“BE-ja ia përplasi në tavolinë Vuçiqit midis Beogradit” – A është ky skenari i planit franko-gjerman?

Politika

“BE-ja ia përplasi në tavolinë Vuçiqit midis Beogradit” – A është ky skenari i planit franko-gjerman?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 21:34
Scholz, Albin Kurti, Vuçiqi dhe Macron

Më 27 shkurt do të mbahet në Bruksel takimi i radhës i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga Bashkimi Evropian, bëjnë të ditur se ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak, të hënën nga ora 15:00 do të presin kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin e presidentin serb Alkesandar Vuciq, fillimisht në takime të ndara e pastaj në takimin tre palësh.

Bashkimi Evropian pret që palët të reflektojnë dhe eventualisht të nënshkruhet një marrëveshje mbi bazën e planit franko-gjerman.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiqit me 27 shkurt në Bruksel, siç dihet është caktuar nga ana e Josep Borrellit, shefit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, dhe atë nën trysninë e rrethanave të komplikuara në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë, me qëllim të qartë që konflikti i ngrirë disavjeçar mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet sa më para që të jetë e mundur.

Tanimë kanë kaluar disa muaj që plani i BE-së (franko-gjerman) i është dorëzuar Prishtinës dhe Beogradit zyrtarisht, rreth të cilit të dyja palët janë deklaruar parimisht se të njëjtin e pranojnë si një bazë e mirë dhe kornizë e re për vazhdimin e bisedimeve midis tyre deri në arritjen finale të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të obligueshme për të dyja palët.

Por, çka do të ndodhë me 27 shkurt gjatë këtij takimi, flet analisti politik Rexhep Elezaj.

Ai thotë se nuk pret nënshrkim të këtij plani.

“Në takimin e Brukselit me 27 të këtij muaji, nuk besoj se do ketë nënshkrim të Planit të BE-së (franko-gjerman) prej 10 pikësh, ngase i njëjti do duhej së pari të diskutohet Nen për Nen midis palëve, sepse ka disa Nene të cilët për palën kosovare nuk mund të jenë apriori të pranueshme, ndaj nuk besoj se ky Plan do nënshkruhet bllanko, ashtu siç iu është ofruar palëve pa e bërë asnjë ndryshim. Pra, pa harmonizimin e këtij Plani midis palëve, Kosovë-Serbi, rreth të cilit Plan bisedimet mund të zgjasin me muaj, nuk besoj se do nënshkruhet me 27 të këtij muaji në Bruksel, derisa i njëjti të mos plotësohet dhe ndryshohet në disa Nene të tij, kur dihet fakti se ky Plan është vetëm një kornizë e re për vazhdimin e dialogut, por me nënshkrimin e të cilit Serbia “de-facto” e pranon ekzistencën e Kosovës si shtet, por jo edhe “de-jure”, pra jo edhe formalisht”, thotë ai.

Image
Rexhep Elezaj

Elezaj tregon se si erdhi ky plan evropian që të diskutohej në Bruksel.

“Këtu duhet theksuar patjetër faktin, se Plani i ri i BE-së (franko-gjerman) për Kosovën ka ardhur si rezultat i dështimit të dhjetëvjeçar të dialogut Kosovë-Serbi, i cili  nuk solli asnjë rezultat në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, dhe atë kryekëput për shkak të shantazheve dhe blerjes së kohës nga ana e Beogradit zyrtar, gjendje kjo e cila ishte shndërruar në një staus-quo të rrezikshëm për Ballkanin perëndimorë, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, ku Serbia me mbështetjen e Moskës synonin destabilizimin e situatës në veri të Kosovës”, shton ai.

Sipas tij, ata donin ta fillonin një konflikt të ri ushtarak në Ballkan, siç edhe kanë ndodhur provokimet ushtarake të Serbisë në veri të Kosovës gjatë vitit 2022, i cili do i shkonte në favor kriminelit Putin dhe Rusisë.

“Ndërsa, se a do ta pranojë kryeministri Albin Kurti një marrëveshje me Serbinë ku nuk figuron njohja e Kosovës, këtë nuk e besoj, mbase Plani i BE-së nuk është marrëveshje, por vetëm një Kornizë e re për vazhdimin e bisedimeve ku njohja reale e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë do bëhet akt i kryer, kuptohet nëse pala serbe e nënshkruan këtë Plan”, thotë ai.

Elezaj thotë se Kurti do të nënshkruaj këtë plan pas harmonizimit dy palësh.

“Andaj, unë besoj se kryeministri Kurti do ta nënshkruaj këtë Plan pas harmonizimit të tij dypalësh, meqenëse për herë të parë Beogradi zyrtar (lexo: Aleksandar Vuçiq) detyrohet që ta pranon realitetin, se Kosova është shtet me vete, pra i pavarur, me të cilin duhet t’i normalizojë marrëdhëniet, po qese vërtetë synon anëtarësimin e saj në BE. Përndryshe, ndaj saj BE-ja do aplikojë sanksione të ashpra të cilat katërshja e BE-së plus përfaqësuesi e SHBA-ve (4 + 1) ia kanë përplasur në tavolinë mu në zyrën e tij në Beograd, me 20 janar 2023”, përfundon analisti politik Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat