Albin Kurti përballë Lajçakut, Borrellit dhe Vuçiqit! Çfarë do t’i kërkohet më 27 shkurt në Bruksel?

Politika

Albin Kurti përballë Lajçakut, Borrellit dhe Vuçiqit! Çfarë do t’i kërkohet më 27 shkurt në Bruksel?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 20:28
Aleksander Vuçiq, Emannuel Macron, Olaf Scholz, Albin Kurti

Të hënën me 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë takim do të diskutohet për propozimin franko- gjerman.

Siç njoftohet në faqen zyrtare të Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin. Këto takime do të fillojnë në orën 15:00.

Në lidhje me këtë takim, analisti politik Sulejman Mehazi nuk beson se më 27 shkurt në Bruksel do të ketë njohje reciproke.

Sipas tij, takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, do jetë sa për të marrë idetë, mendimet dhe propozimet dialoguese të dy palëve nga ndërmjetësuesit evropian e amerikan në Bruksel.

Ai thotë se më shumë do ketë sygjerime, vërejtje, korrigjime e këshillime në mes palëve.

“Nëse na lejohet të themi se takimi i Kurtit dhe Vuçiqit me 27 shkurt në Brukse do ta ketë formën e seminarëve politikë nga dy këshilltarët e planit franko-gjerman, ku pjesëmarrës së këtij seminari politikë me temë: "Plani franko-gjerman" në Bruksel do jenë delegacioni i Kosovës me Kurtin dhe delegacioni serb me Vuçiqin në krye, kurse ligjërues të realizimit të planit franko-gjerman do jenë dy këshilltarët francez e gjerman si projektues të planit për njohje reciproke, Serbi-Kosovë”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Mehazi pohon se, takimi i Kurtit me Vuçiqin më 27 shkurt e ka kuptimin e llojit të parapërgatitjes së palëve për ta pranuar planin franko-gjerman të BE-së, e pas kësaj me anë të detyrave, sygjerimeve, e këshillimeve politike palët dialoguese të përgatiten për ta njohur tjetrën, Serbia Kosovën e Kosova Serbinë.

Pra, takimi i 27 shkurtit në Bruksel në mes dy palëve Kosovë-Serbi, nuk do jetë dialoguese, por këshilluese nga francezët dhe gjermanët, për shkak se me 27 shkurt ligjërues do jenë dy këshilltarët franko-gjerman të BE-së, kurse dëgjues të obligimeve dhe detyrave shtepiake shtetërore do jenë  Vuçiqi dhe Kurti”, përfundon profesori.

Takimi i Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel, do të jetë i pari këtë vit.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim këtë propozim.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat