“Situata është e rëndë dhe koha e limituar”, vjen paralajmërimi për Kurtin para përballjes me Vuçiqin

Politika

“Situata është e rëndë dhe koha e limituar”, vjen paralajmërimi për Kurtin para përballjes me Vuçiqin

Nga: P.R Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 21:56
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Duke komentuar zhvillimet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, analisti dhe publicisti i njohur, Skënder Zogaj, thotë se dialogu me Serbinë ka kohë që ka devijuar në favor të Serbisë.

“Çështja e bisedimeve të Kosovës me Serbinë që nga fillimi është nisur keq dhe ka devijuar në vazhdimësi, duke e favorizuar Serbinë, së cilës i ka konvenuar mënyra "zgjat e moskëput" që në fakt na ka dënuar me tagër të rëndë, sepse 22 vjet qëndrojmë pezull, të çliruar, me shtet të shpallur i lirë por me liri dhe pavarësi të cunguar!”, shprehet Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Pas presionit të fundit ndërkombëtar për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, Zogaj thekson së situata është e rëndë dhe e limituar.

“Drama po vazhdon dhe siç po shihet është në vijën e kuqe, sepse aleatët po thonë se nuk ka më pritje, ndërsa cila është zgjidhja askush nuk po e di, ose nuk po donë ta thotë sepse po thuhet se palët Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise të dhimbshme! Pra, situata është e rëndë dhe koha është e limituar, kështu që, nuk ka më mundësi për organizime të reja”, nënvizon Zogaj, sipas të cilit, kryeministri Albin Kurti është ai që duhet të përballet me Serbinë..

“Në këto rrethana nuk mendoj se e vlen të krijohet ekip uniteti, dhe asgjë e ngjashme, meqenëse, verdikti demokratik i sovranit e zgjedh dhe e ka ngarkuar me përgjegjësi Qeverinë Kurti, pra Kryeministrin Albin Kurti i cili duhet të përballet me Serbinë ta këpus konopin! Populli ka thënë "nuk majet qurani ditën e bajtamit" prandaj unë mendoj se çdo lloj nisme tjetër e re do ta dobësonte edhe më shumë pozitën e Kosovës dhe rezultatin final. Plani franko-gjerman është pranuar nga të dy palët dhe, mbetet të shihet rezultati i kulaçit”, deklaron Zogaj.

“E keqja më e madhe, jam i bindur se është zhagitja e mëtutjeshme, që nuk na konvenon, sepse humbim më shumë se çfarëdo lloj kompromisi që do bëhej shpejt!”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Skënder Zogaj.

Kujtojmë se me 27 shkurt në Bruksel do të zhvillohet takimi në mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku për herë të parë do t’i kushtohet propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, plan ky i cili sipas emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nuk do të negociohet, sepse vetë plani është i hartuar nga Bashkimi Evropian në konsultim me palët e përfshira në dialog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat