“Pretendimet e çmendura të Vuçiqit”, vjen paralajmërimi: Kjo është loja e pistë e Serbisë – të reagojnë BE dhe SHBA!

Politika

“Pretendimet e çmendura të Vuçiqit”, vjen paralajmërimi: Kjo është loja e pistë e Serbisë – të reagojnë BE dhe SHBA!

Nga: A.M. Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 22:11
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Plani franko-gjerman vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, pasi po vlerësohet si propozimi që mund të sjellë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Përveç këtij propozimi të BE, edhe Asociacionin është një çështje shumë e përfolur në opinionin publik.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” foli për planin franko-gjerman.

FIllimisht, ai tha se shteti serb me qasjen e tij do duhej kohë më parë që të ndëshkohej nga dnërkombëtarët, por që fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhi as me Millosheviçin në të kaluarën, e as me Vuçiqin sot.

“Shtrohet pyetja logjike, a mund të penalizohet shteti serb nga SHBA dhe BE, në rast se refuzon planin franko-gjerman? Me sjelljen e saj destruktive dhe agresive, karshi fqinjëve të saj; me aleancën kriminale me Rusinë, edhe pse bëri agresionin fashizoid në Ukrainën sovrane; Serbia ka merituar me kohë penalizimin dhe ndëshkimin, nga Qendrat e Vendosjes.

Serbia është përkdhelur, njësoj si Jugosllavia e Titos dikur, për katër dekada. Pastaj, është vazhduar me tolerimin e Millosheviqin dje dhe Vuçiqin sot, nga ndërkombëtarët. Ajo ka gëzuar dhe gëzon investime nga Perëndimi, por lidhjen strategjike dhe shpirtërore e ka me Rusinë dhe aleatët e saj të Lindjes, të Azisë. Serbia përdorë çadrën ruse, për ta shantazhuar Perëndimin dhe ka funksionuar papengueshëm”, deklaroi ai.

Sipas tij, Beogradi po bën një ‘lojë të pistë’ ku po tenton të ‘grabisë’ sërish tokat e shqiptarëve, këtë radhë përmes Asociacionit.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

“Mjerisht, kjo lojë e pistë, vazhdon edhe sot, në raportet me Kosovën. Ndërkombëtarët sikur nuk mjaftohen se përgjatë 150 viteve të fundit, Serbia ka gllabëruar gjysmën e trojeve etnike shqiptare, pikërisht, në saje të përkrahjes direkete të Rusisë, duke i përdorur territoret shqiptare, si monedhë kusuritjeje, në pazaret e ndyra të Fuqive të Mëdha të kohës.

Dhe, çuditërisht, edhe sot, pas shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në kufijtë ekzistues, synohet të vazhdohet me grabitjen e tokave shqiptare, përmes dallavereve të Asociacionit”, theksoi publicisti.

Krahas kësaj, Zeqiraj tha se mjafton shembulli i Bosnjë Hercegovinës që të refuzohet dhe të mos pranohet assesi themelimi i këtij Asociacioni serb.

Po ashtu, ai përmendi edhe një ‘porosi të artë’ që presidenti historik Rugova e la për dialogun me Serbinë, por që atë e refuzon pushtetarët e shantazhuar.

“Pse u dashkan eksperimente shtesë, siç është - themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe -, kur rasti identik tragjik i Bosnjes dhe Hervegovinës, ka paralizuar shtetin dhe mbanë në ethet e luftës, të vdekjes, popullin e martirizuar boshnjak, për tri dekada radhazi?! Mjafton ky shembull morbid, për t`i thënë njëmijë herë -jo-, krijesës fantazmë, Asociacionit, parathënëse të ndarjes të Kosovës, rrëmbimit, në tavolinë, të veriut të Mitrovicës.

Presidenti Rugova, në gjallje të tij, kërkoi që dialogu me Serbinë, për çështje të padefinuara, të jetë i kufizuar në kohë. Kjo porosi e artë u anashkalua, qëllimshëm, u humb shansi dhe dialogu u ra për hise, pushtetarëve të shantazhuar, pikërisht, nga Serbia, me dosjen e begatë të krimeve, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, nga disa komandantë kriminelë, të etur për pushtet dhe pasuri. Janë ky soj bastardësh, të cilët, për të shpëtuar nga akuzat bazike, vunë në ankand interesat kombëtare, për interesa personale të tyre. Dhe, gatuan çorbën e sotme të thartuar, të cilën shqiptarët nuk po e kapërdjnë dot”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, publicisti tha se BE dhe SHBA po synojnë ta ndalojnë një eskalim të mundshëm të situatës në rajonin e Ballkanit.

“Së fundi, rrethanat gjeostrategjike, rreziku i eskalimit të një konflikti në Ballkan, e mbi të gjitha, mbajtja pezull e një konflikti të ngrirë, siç është ai i Kosovës me Serbinë, që e dyzon vëmendjen e Qendra të Vendosjes, veç agresionit rus në Ukrainë, nuk mund të tolerohet mëtej. Andaj, BE dhe SHBA ultimatuan, njëherësh Serbinë dhe Kosovën, për një normalizim, të ngutshëm, të marrëdhënieve ndërshtetërore, mbi bazën e platformës franko-gjermane”, shpjegoi Zeqiraj.

Tutje, ai foli edhe për një dekalratë të presidentit serb për planin franko-gjerman.

“Presidenti Vuçiq iu drejtua popullit serb, se nëse nuk e pranojmë këtë plan të ndërkombëtarëve, Serbia do të përballet me sanksione fatale. Reagimet e brendshme ndyshonin, por në raport me Kosovën ishin unik, në ngulmimin për Asociacionin.

Përkundër, në Kosovë, disa opozitarë i "zhveshën brekët", sabotuan rezistencën në mbrojtjen e veriu të Kosovës, përkatësisht, e pranuan Asociacionin serb! Pra, njësoj siç e sabotuan luftën, me prishjen e Marrëveshjes në Osllo të Norvegjisë, mos unifikimin e faktorit ushtarak; me vrasjen e Ministrit të Luftës; me sabotimin dhe moslejimin e hyrjes në luftë të "UÇK-së të LPK-së", duke e strehuar atë të mrizonte nën pishnajat e "Bllokut të Zi", të Tiranës; me vrasjet serike të luftëtarëve të FARK-ut dhe të kundërshtarëve politikë”, tha publicisti.

Madje, Zeqiraj potencoi se përmes Asocacionit po tentohet që të ndahet Kosova, prandaj, tani ëshë koha që të ndalohe planet e Serbisë agresore.

“Lë të shpresojmë se do të dominojë aryeja, në mendjet e ftohta të zyrtarëve të Qendrave të Vendosjes. Lë të dëgjohet edhe zëri i arsyes, të një grupimi të madh: senatorësh, kongresmenësh, profesorësh, akademikësh dhe të intelektualëve të shquar të Amerikës. Kuadro të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane, gazetarët e medieve prestigjioze, të cilët nuk pajtohen me presionin paradoksal, që i bëhet Kosovës, për ta pranuar Asociacionin fatal njëetnik.

Ky model Asociacioni, është parathënie e ndarjes të Kosovës, grabitjes së heshtur të Kosovës Veriore. Barrikadimin një mujor të veriut të Kosovës, nga banditët e Beogradit, e konsiderojnë si turp të madh të EULEX-it dhe KFOR-it, përkatësisht, të Evropës dhe të Amerikës. Prandaj, ka ardhur koha të stopohet Serbia agresore, në pretendimet e saja të çmendura, për ta bërë Serbinë e Madhe, në kurriz të Kosovës, të Bosnjes, të Malit të Zi, të Maqedonisë”, deklaroi ai.

Në fund, publicisti kërkoi nga SHBA dhe BE që të mësojnë më shumë për “historinë tragjike të Ballkanit”.

“Që nga shekulli 19 e deri sot, grabitjet e bëra nga Serbia, të territoreve të fqinjëve të saj, duke përfituar nga konjukturat politike dhe mbështetja direkte, dikur e Rusisë cariste, e pasuar nga Rusia Sovjetike dhe sot nga Rusia e tkurrur, por, gjithnjë, me ambicje perandorake.

Gjithnjë aktuale thirrja e poetit çek, Julius Fuçik, para skuadrës ekzekutuese fashiste: "Njerëz, ju kam dashur. Jini vigjilentë!"”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat