Aktivitete kriminale në veri para 27 shkurtit: Brukseli të shqetësohet, pasi Serbia nuk është një subjekt shtetëror i besueshëm

Politika

Aktivitete kriminale në veri para 27 shkurtit: Brukseli të shqetësohet, pasi Serbia nuk është një subjekt shtetëror i besueshëm

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 24 shkurt 2023 Në ora: 18:57
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Me 27 shkurt, në Bruksel do të zhvillohet takimi në mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku për herë të parë do t’i kushtohet propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, plan ky i cili sipas emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nuk do të negociohet, sepse vetë plani është i hartuar nga Bashkimi Evropian në konsultim me palët e përfshira në dialog.

E para pak ditësh, në veri të Kosovës është arrestuar një mashkull i nacionalitetit serb i moshës 42 vjeçare me inicialet J. Zh, të cilit i janë gjetur në veturë mbi 6 mijë e 300 copë fishekë.

"Sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fsh. Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë të cilën e drejtonte një mashkull serb. Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. Policia vazhdon me aktivitete të shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit", thuhet në njoftimin e policisë.

Destabilizimi i veriut

E arrestimi i një serbi me një sasi kaq të madhe fishekësh në prag të takimit të Kurtit me Vuçiqin, po shihet si mesazh destabilizimi për veriun e Kosovës.

Para pak ditësh policia e Kosovës i sekuestroi një qytetari me kombësi serbe 6.300 fishekë, pra municion të armëve të zjarrit. Çdokush e di se një numër kaq i madh fishekësh nuk i duhen askujt individualisht. Prandaj dhe merret me mend lehtë se ai municion do të përdorej për ta destabilizuar veriun e Kosovës”, thotë për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptoj se Serbia nuk është një aleat i besueshëm.

Image
Enver Bytyçi

“Të hënën e ardhshme zoti Kurti dhe Vuçiq do të përballen në Bruksel në bisedime të drejtpërdrejta në dialogun për ta pranuar ose jo planin franko-gjerman e evropian të ndërmjetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis të të dy vendeve. Është ky takimi i parë që prej korrikut të vitit të kaluar. Dihet tashmë pse deri më sot nuk janë takuar dy liderët kryesorë të të dy shteteve. Shkaku kryesor lidhet me presionet dhe diversionin e vazhdueshëm të Serbisë në Kosovë e sidomos në veriun e saj, për ta destabilizuar atë. Lidhet me politikat pro-ruse të Beogradit dhe më projektet serbe të ndarjes së Kosovës përmes metodave obskurantiste”, shprehet Bytyçi.

Por ajo që duhet ta shqetësojë komunitetin ndërkombëtar dhe sidomos Brukselin ka të bëjë me faktin se Serbia nuk është një subjekt shtetëror i besueshëm. Madje, edhe nëse Aleksandër Vuçiq e nënshkruan që ditën e hënë marrëveshjen e ofruar nga Parisi dhe Berlini”, shton Enver Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Serbia mund ta pranojë planin evropian, në këmbim të sanksioneve ndaj Rusisë.

Të hënën që vjen do të ulen së bashku lideri i Kosovës dhe ai i Serbisë. Derisa Vuçiq dha dorëheqje nga dorëheqja e paralajmëruar, do të thotë se ai ka marrë përsipër që t’i japë një përgjigje kërkesës euro-amerikane. Që do të thotë se ai do ta pranojë planin në fjalë. Ndoshta në këmbim të kësaj do të fitojë një leje që të mos vendosë sanksione kundër Rusisë. Dhe ky do të ishte një karrem i pranueshëm për presidentin serb, për shkak se opinion publik në Serbi është më i ndjeshëm nëse vihen sanksione ndaj Rusisë, sesa nëse nënshkruhet një marrëveshje e ngjashme me atë të vitit 2013”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se Kosova nuk mund të pranojë asnjë marrëveshje, e cila nuk garanton paqe, siguri e stabilitet shtetëror

Zoti Kurti nuk ka arsye të thella për të kundërshtuar. Por, unë besoj se ai do të shkojë në Bruksel me kërkesat e tij për të aranzhuar nenet e kësaj marrëveshje në pajtim me garancitë që jepen për paqe e stabilitet në Kosovë e në rajon. Ai duhet të bëjë të qartë se Kosova nuk mund të pranojë asnjë marrëveshje, e cila nuk garanton paqe, siguri e stabilitet shtetëror në Kosovë e në rajon. Sepse marrëveshje të tilla bien në kundërshtim edhe me frymën e ligjit ndërkombëtar.

Arsyetimi dhe argumentimi i kërkesave të tillë ka një domethënie të madhe. Ndryshe mund të prezantohesh si destruktiv. Por nëse argumentohet se marrëveshja nuk duhet të jetë destruktive, atëherë me siguri se prezantimi do të jetë konstruktiv”, nënvizon Bytyçi për “Bota sot”.

Aksion i strukturave të kriminale të Beogradit

Kurse eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se aktivitete kriminale të strukturave paralele në veri të vendit ka pasur ulje pas aksioneve të policisë së Kosovës.

Image
Drizan Shala

“Zhvillimi i aktiviteteve kriminale të kontrabandës në çdo bllokadë përmes barrikadave, mund të themi që ka pasur ulje të intensitetit të veprimit duke pasur parasysh koncentrimin e forcave të rendit në atë pjese qofshin ato vendore apo ndërkombëtare. Por nga momenti që kemi një ulje të tensioneve apo mosmarrëveshjeve politike, atëherë kjo pjesë e strukturës shtetërore të Beogradit terhjeken dhe pastaj veprojnë strukturat kriminale për të vazhduar aktivitetin e tyre”, nënvizon Shala.

Konfiskimi i mbi 6300 fishekëve, sipas Shalës paraqet faktin se strukturat kriminale bartin armë me porosi të strukturave shtetërore të Beogradit.

Në rastin e fundit (6300 fishek ) mund të themi që ky aksione për kapje ishte realizuar tani më nga njësia e ndërhyrjes se shpejt të departamentit të kufirit në kuadër PK, dhe dëshmon e paraqet një fakt që pjesa veriore këto struktura kriminale bartin municion, armë për strukturat shtetërore të Beogradit për t’i dislokuar në pozicionet e tyre të grupet kontrolluese të Serbisë në vend”, thekson Shala.

Në këtë pjesë duhet potencuar një pyetje hipotetike që nëse referohemi informacioneve publike: Beogradi + Grupet Kriminale = Strukturë paramilitare Serbe me prapavijë ideologjike Ruse. Pyetja duhet bërë: Sa janë të shtrirë këto struktura në veri dhe kjo të jetë kërkesë zyrtare nga Institucionet e Kosovës në drejtim të KFOR dhe cilat janë masat që ata i kanë ndërmarr në parandalimin e supportimit nga Beogradit zyrtar”, shpjegon më tej Shala.

Për fund, ai thotë se institucionet e sigurisë duhet të marrin aksione duke u bazuar në kërcënimin e sigurisë nacionale.

“Në anën tjetër institucionet e sigurisë duhet të ri strukturohen bazuar në strategjinë nacionale të sigurisë bazuar në kërcënimet që paraqiten në drejtim të sigurisë nacionale të vendit, dhe qeveria të ndërmarr veprime në forcimin infrastrukturor ligjor/financiar /logjistik në lehtësimin e veprimeve operacionale të segmentit të sigurisë”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat