“Një grup i formuar nga amerikanët”/ Propozim i ri për Kosovën në përballjen me Serbinë

Politika

“Një grup i formuar nga amerikanët”/ Propozim i ri për Kosovën në përballjen me Serbinë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 25 shkurt 2023 Në ora: 08:15
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti- Aleksander Vuçiq dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Të hënën në Bruksel do të përballen edhe njëherë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi.

E kur po afrohet 27 shkurti, dita kur për herë të parë do të diskutohet për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, plan ky i cili sipas emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nuk do të negociohet, analisti Rexhep Shahu po kërkon krijimin e një ekipi të unitetit, ashtu siç ishte në kohën e presidentit Rugova, në mënyrë që Kosova të dalë fitimtare përballë Serbisë.

“Në mungesë të një Ibrahim Rugove, mundet që një ekip uniteti të jetë më i besueshëm e më serioz se sa qeveria dhe ai grup uniteti të bëjë mundësisht një çerek Rugove. Por asnjë lloj grupi tani nuk ka fuqi ta ngrejë në nivelin që kërkohet seriozitetin e politikes së Kosovës në zhvillimet e reja që kanë ndodhë pas luftës së Ukrainës”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, ky grup i unitetit duhet të jetë i krijuar dhe nën mbikëqyrjen e amerikanëve.

“E vetmja mundësi që një grup uniteti me njerëz që nuk lypin vota të jetë i suksesshëm, është që ai grup të formatohet me ndihmën e amerikanëve, të jetë nën regjinë e amerikanëve, pasi asnjë lloj grupi uniteti apo çfarëdo tjetër pa mbështetje amerikane nuk ka sukses”, shprehet Shahu.

“Pjesëtarët e grupit që mund të krijohet duhet të jenë të kthjelltë jo partizane enveriste as OJQ-iste apo OJF-iste, duhet ta dinë se Kosova është lokomotiva që tërheq çështjen shqiptare. Kosova ka elitë dhe mundet të krijohet një grup i tillë si senat mbi parlamentin i pa kushtëzuar prej parlamentit e qeverisë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat