Një ditë para takimit me Vuçiqin, vjen paralajmërimi për Kurtin: Kujdes, këtë ‘kurth’ ka përgatitur Serbia!

Politika

Një ditë para takimit me Vuçiqin, vjen paralajmërimi për Kurtin: Kujdes, këtë ‘kurth’ ka përgatitur Serbia!

Nga: A.M. Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 16:29
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që së fundmi u takuan në verën e vitit të kaluar, do të ulen sërish përballë njëri-tjetrit në Bruksel.

Përpjekja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve do të rifillojë të hënën (nesër), ku Kurti dhe Vuçiq do të takohen sërish në Bruksel.

Ky takim, ka nxitur reagime të shumta, pasi që pritet edhe të nënshkruhet plani franko-gjerman, nga të dyja palët.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot”, tha se është e nevojshme arritja e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, sipas tij, është Serbia ajo që duhet të kërkojë falje dhe të ndryshojë politikat e saj përballë Kosovës.

“Marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, është në interes të përbashkët dhe të një politike të mirëfilltë e fqinjësore, dhe Serbia si shkaktare e luftërave të njëpasnjëshme dhe kjo e fundit në Ballkan, do duhej të ishte e para që të ofrojë politikë tjetër dhe miqësore me vendet fqinjë, posaçërisht me Kosovën, që të arrihet paqja dhe stabiliteti ndërmjet këtyre dy vendeve dhe së paku do e zbuste urrejtjen dhe hasmërinë shekullore në mes këtyre dy popujve.

Pikërisht përmes një dialogu dhe marrëveshje të mirëfilltë në mes palëve, dhe për të pasur qëllime paqësore në mes vete, në rend të parë pala serbe duhet të kërkojë falje dhe të pranohet krimi dhe gjenocidi, që mund të krijohen kushte në zgjidhjen dhe tejkalimin e problemeve, apo nyjeve të ndjeshme të një komponente historike dhe në hapësirën gjeografike në mes këtyre popujve”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Krahas kësaj, Preqi kritikoi edhe qeveritë e mëparshme të Kosovës të cilat ishin sipas tij të papërgatitura dhe të korruptuara, derisa tha se edhe ndërkombëtarët me politikën e tyre e ndihmuan shtetin serb.

“Për fat jo të mirë, Kosova pësoi edhe pas luftës me udhëheqjen e pushteteve të dobëta dhe të korruptuara, duke e udhëhequr shtetin jo njerëz të duhur dhe të papërgatitur për ta ndërtuar më mirë të ardhmen e këtij populli, por në një mënyrë e degraduan disa vite me radhë me një politikë të gabuar dhe të pa ndërgjegjshme, me ç’rast Kosovën, në një mënyrë e kanë tërheqë mbrapa në rrugët e mundshme për të zbërthyer dhe ecur më përpara.

Dhe në anën tjetër, një pjesë të shkakut dhe defektit do e gjejmë edhe në politikën ndërkombëtare, e cila lë mbresat e një lloj diferencimi në mes shkaktarit dhe viktimave, apo u ndërruan rolet dhe agresori serb u shndërrua në rolin e viktimës dhe anasjelltas Kosova, në rolin e agresorit, dhe tani edhe pse duket se janë afruar gjërat, që të pajtohen palët me njëra-tjetrën, nuk i besohet Serbisë, që do e luajë në këto bisedime rolin e paqësorit”, theksoi ai.

Gjithashtu, opinionisti tha se nesër gjatë takimit Kurti-Vuçiq, do duhej t’iu vendosen disa pika të kuqe Serbisë, ku kërkoi edhe dënim për krimet e kryera ndaj shqiptarëve.

“Dhe tani në ditët e fundit, të gjithë e kanë vëmendjen dhe kureshtjen, duke menduar se në këto bisedime në Bruksel, në mes Kurtit dhe Vuçiqit, të organizuar nga BE-ja, dhe me mbështetjen e SHBA-ve, ky takim do e merr një përfundim parimor, dhe të bëhet një pajtueshmëri në mes palëve, por të merret parasysh, se në kapitullin e marrëveshjes do duhet të vihen disa pika të kuqe Serbisë, që si një përfundim të pranojë edhe aktin e saj barbar dhe të kërkojë falje për krimet e saj.

Prandaj, ky epilog i marrëveshjes në mes palës së Kosovës dhe Serbisë, asnjëherë nuk do të merr fund, nëse agresorit serb nuk i ceket akuza e krimit dhe të dënohet për krimet e tilla kundër njerëzimit, në një mënyrë për të cilat duhet ta kuptojë të vërtetën se çdo krim njerëzor nënkupton vepër penale dhe si e tillë duhet të vendosen masa ndëshkuese”, shpjegoi Preqi.

Në vazhdim, ai tha se Kurti duhet të bëjë kujdes, pasi mund të vihen në një ‘kurth’ që ia ka përgatitur pala serbe, siç është formimi i Asociacionit.

“Kosova, deri me tani në dialog me Serbinë, ka përdorur strategji të dobëta dhe të gabuara, që nuk ka ndikuar sa do pak në shërimin e plagëve të këtij populli, sidomos në udhëheqjen e Thaçit, Mustafës dhe Ramushit, prandaj në këtë rast duhet të bëhen përpjekje të kujdeshme, që marrëveshja të përfundojë e aranzhuar më mirë se asnjëherë tjetër, që ka në thelb njohjen reciproke dhe mbështetjen e planit franko-gjerman, në mbikqyrjen e BE-së, dhe SHBA-ve.

Ndër të tjera si komponentë kryesore e këtyre rrethanave në këtë takim të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb Vuçiq, në Bruksel, Kosova dhe kryeministri i saj sikur do vendoset në një sprovë të rëndë, në kurthin që ia ka përgatitë pala serbe, me formimin e Asociacionit të komunave serbe, të nënshkruar në Bruksel, edhe nga pala shqiptare”, nënvizoi opinionisti.

Më tej, Preqi konsideroi se në dëm të Kosovës, po bëhet një plan i një lufte të ftohtë, që e ka formulën e Asociacionit,

“Dhe përveç presioneve të ndryshme që i bëhen palës kosovare, gjegjësisht kryeministrit Kurti, në një mënyrë apo tjetrën, Kosovës po i përgatitet një «hendek» edhe në prani të bashkësisë ndërkombëtare, në të cilin nëse shteti i Kosovës, nuk do bie sot, me siguri se do të bie në këtë hendek në të ardhmen e shpejtë, përmes këtij plani të Asociacionit.

Prandaj, nga do që të nisemi rreth komplekseve që po i parashtron Serbia, në favor të saj pa marrë parasysh gjithë atë bagazh të krimeve të saj në të kaluarën, por sikur në dëm të Kosovës, po gatuhet edhe një plan i një lufte të ftohtë, që e ka formulën e Asociacionit, për të dominuar përsëri Serbia në këtë vend”, u shpreh ai.

Në fund, opinionisti tha se Kurti më mirë është të japë dorëheqje se të nënshkruajë themelimin e Asociacionit me ‘brumin e së kaluarës’.

“Dhe në këto rrethana, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nëse qenien komplekse të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e pranon, apo e nënshkruan vetëm si një presion të caktuar dhe me një vetëdije e sensibilitet të gatuar kryesisht nga brumi i së kaluarës, duke e trajtuar brenda kontekstit të këtij sfondi, do të ishte më mirë të jepte dorëheqje, se të bëhet hisetar i këtij veprimi, për ta ndarë veriun e Kosovës, si një pushtet dhe mini-shtet në vete.

Marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë, për të marrë kuptimin e mirëfilltë dhe sigurinë paqësore, pa ndërmjetësimin e palës së SHBA-ve, do të mbetet vetëm dialog formal, i cili do të ngecte sikur deri më tani pa ndonjë rezulltat të dukshëm, apo vetëm duke pozuar dhe shëtitur nëpër koridoret dhe dhomat e Brukselit, bashkë me Borrelin dhe Lajçakun”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat