Nesër në Bruksel do të kërkohet nënshkrimi i asociacionit? Analistët këshillojnë Kurtin për qëndrimin që duhet të mbajë

Politika

Nesër në Bruksel do të kërkohet nënshkrimi i asociacionit? Analistët këshillojnë Kurtin për qëndrimin që duhet të mbajë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 shkurt 2023 Në ora: 18:49
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Të hënën në Bruksel, do të mbahet takimi ndërmjet palës së Republikës së Kosovës dhe Serbisë.  

Ky takim po konsiderohet mjaft i rëndësishëm për shkak se pritet që të ndërmerren hapa konkretë për fillimin e zbatimit të planit evropian, si projekt për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet të dyja vendeve. 

Mes këtyre temave pritet që të diskutohet edhe çështja e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Kryemisnitri Albin Kurti, ka thënë se nuk do të nënshkruajë marrëveshje për formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive në komunat me shumicë serbe.  

Por, nga ana tjetër, është opozita dhe saktësisht, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e cila ka thënë se Kurti do të nënshkruajë formimin e Asociaiconit në Bruksel, por pa njohje reciproke.  

“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër.   

Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë.   

Të hënën Kryeministrk Kurti do të nënshkruajë asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur.   

Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruajë zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik”, ka deklaruar mes tjerash ajo.  

Kelmendi: Dokumentet që nënshkruhen në Bruksel, pa kaluar nëpër Kuvend dhe me 2/3 e votave nuk bëhen të plotfuqishme  

Profesori Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka thënë se nuk është e lehtë të konstatohet se çfarë do të diskutohet të hënën mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.  

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

Sipas tij, e tëra kjo po vjen si pasojë e marrëveshjeve të nënëshkraura në vititn 2013 dhe 2015.  

“Nuk është lehtë të konstatohet se çfarë do të diskutohet të hënën dhe çka do të nënshkruhet dhe a do të nënshkruhet ndonjë dokument në Bruksel. Ndoshta znj. Çitaku ka të dhëna dhe deklaron se "në Bruksel, më 27 shkurt 2023, do të nënshkruhet "Asociacioni" nga ana e z. Kurti"". Kjo nuk dihet!  

Megjithatë, duhet theksuar se Asociacioni është rrjedhojë e Marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015. Kjo e fundit është anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Ka mbetur Marrëveshja e vitit 2013. Juridikisht, Asociacioni sipas Marrëveshjes së vitit 2013, pasi e ka votuar Kuvendi, në pjesët jo anti kushtetuese, është një obligim ndërkombëtar. Çdo veprim që bëhet ka për qëllim që Kosova të del më pak e dëmtuar nga Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacion”, thotë ai.  

Ai shton se, atje patjetër se do të kërkohet formimi i Asociacionit, por që Kosova duhet të konsultohet edhe me Britaninë dhe Senatin Amerikan për Politikë të Jashtme, derisa shton se pa njohje reciproke nuk duhet të nëshkruhet asnjë dokument.  

“Këtu duhet theksuar ndihmën e madhe që po bën Londra kundër Asociacionit. Në parlamentin anglez u tha:  

"Londra do të jetë kundër Asciacionit me pushtet vetqeverisës që nënkupton një Republikë serbe në Kosovë". Po kështu dhe me këtë qëndrim ishte edhe Senatori amerikan për politikë të jashtme në Uashington. Këto dy qëndrime kërkohen të mbështeten nga Prishtina.  

Në punën e Asociacionit kërkohet që z.Kurti të kërkojë ndihmë nga Senati Amerikan për Politikë të Jashtme dhe nga Parlamenti i Britanisë së Madhe në Londër. Nuk duhet të nenshkruhet Asociacioni pa analizën e tillë dhe ndihmën që mund të japin Londra dhe Senati i ShBA-së, në Bruksel. Këtu në Bruksel, më 27 shkurt 2023, kuptohet se do të kërkohet Asociacioni. Këtë duhet parimisht ta kundërshtojë Prishtina. Pa njohje reciproke nuk bën të nënshkruhet asnjë dokument, pavarësisht natyrës dhe përmbajtjes së dokumentit. Me njohje reciproke hapet perspektiva.  

Tjetër, kërkohet që Asociacioni mos të ketë pushtet ekzekutiv, mos të jetë në nivel vertikal, duke krijuar organe të nivelit të dytë të pushtetit dhe as mos të ketë pushtet, sikundër u tha në Parlamentin e Anglisë, me karakter vetëqeverisës në kuptimin e shtetit, po të jetë organizatë e karakterit jo qeveritar.  

Me organizatë qeveritare de-fakto krijohet në aspektin juridik pushteti juridik edhe de-jure. Këtë shtet në asnjë mënyrë Prishtina nuk duhet të pranojë”, shprehet ai.  

Në fund, Kelmendi deklaron se çfarëdo që nënshkruhet në Bruksel, ai dokument duhet të vijë për aprovim në Kuvend.  

“Në fund të fundit, nëse z.Kurti nënshkruan ndonjë dokument, ai dokument duhet t'i paraqitet Kuvendit për aprovim. Dokumenti i tillë vetëm me 80 vota kalon, përkatësisht duhet të jenë 2/3 e votave të Kuvendit, për t'u bërë i plotfuqishëm. Kjo realizohet vetëm me opozitë. Pa votat e opozitës ky dokument nuk hyn në fuqi”, përfundon Muhamet Kelmendi.  

Mulliqi: Kurti deri më tash ka treguar konsistencë politike rreth “Zajednicës”  

Image
Analisti Skënder Mulliqi

Analisti Skënder Mulliqi, ka thënë se duke iu referuar disa deklarimeve armerikane dhe britanike, që e kundërshtojnë fuqishëm formimin e Ascoiacionit, takimi i së hënës nuk do të sjellë nënshkrimin e Asociacionit.  

“Të gjithë e dimë tashmë së Kosova iu ka nënshtruar trysnisë së fortë të BE-së dhe të Amerikës për të implementuar Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe. Por, është e vërteta tjetër se kemi pasur deklarime kontradiktore të përfaqësuesve specialë, se si do të duket forma përfundimtare e asociacionit, kur dihet se në parim ka ndryshime mes qëndrimeve të BE-së dhe Amerikës.   

Derisa të parët po kërkojnë implementim të marrëveshjes të Brukselit të vitit 2015, Amerika ka një qëndrim pak më ndryshe të paktën sipas deklarimeve të deritashme që i kanë pasur. Eskobar ka qenë paksa kontradiktor, ndërsa më i prerë ka qenë ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, i cili mendon se asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Të njejtin mendim e ndajnë edhe disa ligjevënës të Amerikës mike. Kur i kemi parasysh të gjitha këto dhe qëndrimin zyrtar të Britanisë Madhe se nuk duhet lejuar asociacioni me kompetenca ekzektuve, nuk duhet pranuar kryeministri Kurti në takimin e të hënës në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Prandaj, mendoj se takimi nuk do të sjellë nënshkrimin e Asociacionit siç ka thënë Vlora Çitaku dhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri”, thotë ai.  

Sipas Mulliqit, takimi mund të jetë përafrim qëndrimesh, e po ashtu edhe presion ndaj Serbisë për ta pranuar planin franko-gjerman.  

“Ky takim mund të jetë ndonjë përafrim qëndrimesh, po pa e lënë anash edhe 6 pikat, e propozuara  lidhur me këtë temë të Albin Kurtit. Gjithashtu, më duket se në këtë takim do to bëhet trysni e madhe kësaj radhe Serbisë për të pranuar planin franko-gjerman, kur dihet se Vuçiqi dhe Daçiq nuk kanë pajtueshmëri kur bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në OKB, e që figuron si njëra nga pikat e planit.   

Pastaj, mendoj se në Bruksel do të sqarohet se a do të futet Asociacioni në kuadër të këtij plani, apo të shkohet ndarazi. Natyrisht se do të jetë takim i vështirë edhe për Kosovën. Opozitës sikur i ka mbetur vetëm të deklarimet politike për opinion, e jo që edhe ajo duhet medeomos të bëhet pjesë e këtij procesi mjaft të vështirë, i cili po kërkohet nga bashkësia ndërkonbëtare që sa më parë të përmbyllet, duke u arritur një marrëveshje përfundimtare me palën serbe. Disa opozitarë sikur ju ka mbetur që edhe me temën e Asociacionit, të fitojnë poena për të ardhur në pushtet, kur dihet se në pyetje është e ardhmja e shtetit të Kosovës. Kurti deri më tash ka treguar konsistencë politike rreth “Zajednicës” siç e kanë quajtur rregullisht LVV, dhe mendoj se nuk ishte dashur të pranojë formën e një asociacioni, që e defunksionalizon shtetin e Kosovës. Këtë formë të asociacionit nuk e gjejmë askund në botën demokratike për minoritete. Kosova është pranuar si shtet mbi bazën e planit të Ahtisarit nga shtetet më kualitative në botë”, shprehet ai.  

Në fund, ai deklaron se formimi i asociacionit në formë të tillë, do të tërhiqte zinxhirin edhe te shtetet tjera përreth, duke e destabilizuar kështu rajonin.   

“E kam thënë edhe një hërë tjetër, se Asociacioni i formës ekzekutive do të tërhiqte automatikisht zingjirin edhe të shtetet tjera përreth dhe më gjerë, duke e detabilizuar edhe më shumë rajonin. Një asociacion pa kompetenca ekzekutive edhe mund të implementohet, por e njejta gjë ishte dashur të kërkohët në këtë takim, edhe nga pala serbe për komunitetin shqiptarë shumicë në Kosovën Lindore. Plani franco-gjerman është bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve, por ka çka të korrigjohet gjatë procesit, sidomos në pikën 10 të këtij plani, ku duhet bërë sqarime të duhura, se për çfarë të drejtave e shtesë bëhet fjalë për minoritetin serb në veri. Po ashtu, duhet ngulur këmbë të shprehem ashtu që në Bruksel edhe te pika tjetër kur bëhet fjalë për Kishat Ortodokse Serbe, ku PDK-ja dhe Vlora Çitaku po mendojnë së në Bruksel, do të kemi nënshkrimin e Kurtit, për t’i dhënë Kishës status politik, i papranueshëm për Kosovën, që nuk ishte dashur të ndodhë. Duhet paraqitur nga pala jonë në takim se 40 Kishat dhe Manastirët serbe sa konsiderohen që janë në Kosovë, mos të marrin eksterritore. Të futët në diskutim fakti se ManastIri i Deçanit dhe Patrikana e Pejës etj, kanë qenë të shqiptarëve ortodoks, e jo të serbëve. Gabimet që janë bërë nga Grupi i Unitetit në bisedime maratonike, është rasti që të korrigjohen, për të qenë Kosova më të gjitha atributet e shtetësisë së saj”, përfundon Mulliqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat