“Nuk do të ketë njohje midis tyre”/ Profesori zbulon skenarin për takimin Kurti-Vuçiq, ja çfarë vë në pikëpyetje!

Politika

“Nuk do të ketë njohje midis tyre”/ Profesori zbulon skenarin për takimin Kurti-Vuçiq, ja çfarë vë në pikëpyetje!

M.Haziri Nga M.Haziri Më 26 shkurt 2023 Në ora: 22:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, në Bruksel. 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese. 

Mirëpo, detaje më të hollësishme për takimin nuk janë dhënë. 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” ka folur profesori universitar Enver Bytyçi. 

Ai u shpreh se në takimin e nesërm nuk mund të ketë marrëveshje finale sepse ky projekt nuk mbyll përfundimisht konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. 

Image
Enver Bytyçi

Profesori merr edhe shembullin e Tajvanit, i cili po kalon në të njejtën periudhë si Kosova. 

Nesër në Bruksel përballë Borrell dhe Lajçak do të jenë edhe njëherë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ata kanë në dorë projektin franko-gjerman të marrëveshjes së ndërmjetme midis të dy vendeve, me të cilën shtendosen lidhjet midis tyre dhe duket se evitohet mundësia e një konflikti në rajon. Megjithatë nuk është e sigurt, nëse ky projekt e mbyll përfundimisht konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Sepse formalisht nuk do të ketë njohje midis tyre, më saktë, Serbia nuk obligohet që ta njohë shtetin e Kosovës. Kjo do të thotë se ruhet mundësia e tensionimit të sërishëm të marrëdhënieve midis tyre. Beogradit i jepet edhe një mundësi tjetër për destabilizim, sepse vetëm shtetet sovrane, të cilat e njohin dhe e pranojnë njëra-tjetrën, shkelin të drejtën ndërkombëtare kur agresojnë njëra-tjetrën. Serbia, duke mos e njohur de jure Kosovën, ruan një alibi të saj për ta provokuar vazhdimisht Kosovën. Pikërisht kjo po ndodh me Tajvanin. Një ishull, dikur shtet që përfaqësonte madje edhe Kinën në Këshillin e Sigurimit, që nuk është njohur nga Pekini. Mosnjohja duket si alibi ose preteks që Kina të provokojë vazhdimisht e ta shohë Tajvanin si pjesë të tij. Paralelja nuk është identike, sepse Kina është Fuqi e Madhe botërore, ndërsa Serbia nuk është e tillë. Por kasusi është i niëjtë. Prandaj dhe mosnjohja dhe mungesa e saj në projekt e komplikon situatën, në vend që ajo të qartësohet e të zgjidhet përfundimisht”, u shpreh profesori. 

Më tej, ai thekson që një marrëveshje, që të quhet ndërkombëtare, duhet të jetë e lidhur midis shteteve të pavarura. 

Por jemi para një fakti, tashmë të pranuar. Marrëveshja që do të nënshkruhet i jep Kosovës mundësinë e subjektivitetit ndërkombëtar, por nuk e bën automatikisht atë një subjekt të tillë me të drejta të paprekshmërisë së territorit dhe të kufijve. Kjo edhe për faktin se një marrëveshje, që të quhet ndërkombëtare, duhet të jetë e lidhur midis shteteve të pavarura. Kosova, sa kohë nuk do të jetë anëtare e OKB-së, nuk mund të jetë gjithashtu juridikisht e mbrojtur nga Karta e OKB-së. Pavarësisht kësaj nesër pritet që të dy palët, përkatësisht zoti Kurti dhe zoti Vuçiq, do të pajtohen me projekt-marrëveshjen dhe do të bien dakord që ajo të shndërrohet në një marrëveshje. Pra të dy do të japin verdiktin për ta firmosur atë. Ndoshta mund të kërkohen korrektime të saj, por në thelb kjo marrëveshje nuk do të ndryshojë. Nëse nënshkruhet nesër, kjo nuk është e qartë as e sigurt. Për mendimin tim nënshkrimi do të bëhet një ditë tjetër, ditë e cila do të caktohet nga palët nënshkruese dhe ndërmjetësuesit e Brukselit”, shpjegon tutje profesori. 

Pse tri liderët i shkruan kryeministrit Kurti? 

Ndërsa, pa përmendur profesori nuk mbeti edhe letrën që kryeministri Kurti pranoi gjatë ditës së sotme nga Macron, Scholz dhe Meloni, e që sipas tij është e çuditshme pse ndodhi pikërisht sot. 

Besoj gjithashtu se në ceremoninë e nënshkrimit do të jenë të pranishëm kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Meloni. Nuk do të jetë i pranishëm kryeministri i Britanisë së Madhe. Por mundet që nga SHBA të marrë pjesë sekretari i Shtetit Antony Blinken. Macron, Scholz dhe Meloni i bënë dje një letër i shkruan një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Është e paqartë pse ndodhi kjo? Pse tre liderët e tri shteteve kryesore anëtare të BE-së i shkruan zotit Kurti? A do të thotë kjo se Albini shihet si pengesë për nënshkrimin e këtij projekti, ndërkohë që Vuçiq nuk shihet si i tillë?! Letra, në vend që të kthjellojë ujërat, duket se i ka turbulluar më shumë, sepse ka shtuar pikëpyetjet. Pra ka rrit dyshimin, nëse kjo marrëveshje i jep Kosovës atë që takon, apo e vë atë në pozita diskriminuese”, thotë ai. 

Profesori potencon që Kurti është nën presion në lidhje me një marrëveshje me Serbinë. 

Zoti Kurti vërtetë që është nën presion të padiskutueshëm. Por ai duhet të vendosë së paku dy tri kushte, që nuk varen as nga Kosova, as nga Serbia, por nga SHBA-të dhe BE. Po ashtu edhe nga Britania e Madhe. Të kërkojë njohje me çdo kusht dhe jo me premtime nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat deri më sot nuk e panë njohur pavarësinë e Kosovës. Të kërkojnë premtimin se në një kohë relativisht të shkurtër edhe Vatikani ta njohë Kosovën shtet të pavarur. Dhe të ndërtojë një marrëdhënie të ngushtë me Ukrainën, që kjo të shpallë gjithashtu njohjen e shtetësisë së Kosovës”, shprehet profesori. 

Në fund, ai thotë çfarëdo që të bëhet nesër, situatë nuk do të ndryshojë si më sustë. 

Njohja e Kosovës nga këto vende garanton moralisht e në fakt tërësinë territorial të Kosovës dhe mos-cënimin e funksionalitetit të shtetit. Njohja e këtyre vendeve bën që të afrohet momenti i pranimit të Kosovës në BE, NATO e OKB. Që do të thotë të përshpejtojë garancinë juridike ndërkombëtare jo vetëm të subjektivitetit shtetëror, por edhe garancinë e tërësisë territorial të këtij shteti. Çfarëdo që të bëhet nesër, situatë nuk do të ndryshojë si më sustë. Forcat ekstremiste si Wagner, Ujqit e Natës etj, që veprojnë në Serbi do të rritin fuqinë dhe provokimet e tyre për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Sepse Rusia nuk do të pajtohet me asnjë hap në dobi të stabilitetit në Ballkan”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat