Igor Simiq tha se Asociacioni do të diskutohet më 27 shkurt/ Analistët kanë një kundërpërgjigje për këtë deklaratë!

Politika

Igor Simiq tha se Asociacioni do të diskutohet më 27 shkurt/ Analistët kanë një kundërpërgjigje për këtë deklaratë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 shkurt 2023 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

Ditë më parë, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se beson që Asociacioni i Komunave serbe do të jetë temë e diskutimit të hënën në Bruksel, sepse në tryezë do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Alksandar Vuçiq. 

Ai u shpreh se besonin që BE-ja, e cila është garantuese e asaj marrëveshjeje, do të bënte gjithçka për të zbatuar atë që u nënshkrua. 

“Serbët e Kosovës kanë pritshmëritë e tyre për marrëveshjen e nënshkruar para 10 viteve, që është formimi i Asociacionit, siç është dakordësuar, që të jetë një institucion ombrellë që do të ruajë të drejtat kolektive dhe individuale të serbëve”, ka thënë Simiq në RTS. 

Kujtojmë që më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut. 

Ata para do ta kenë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve, të njohur si Plani Evropian. 

Elezaj: Nënshkrimi i planit franko-gjerman nga ana e Serbisë,  do ishte një hap tejet pozitiv për Kosovën 

Analisti Rexhep Elezaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, për këtë temë thotë që Asociacioni nuk do të jetë pjesë e bisediemeve në takimin e 27 shkurtit. 

Image
Analisti Rexhep Elezaj

Sipas tij, çështja kryesore do të jetë nënshkrimi i planit franko-gjerman. 

“Në takimin i cili do mbahet në Bruksel të hënën, me 27 të këtij muaji, midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, A. Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, temë e bisedimeve do jetë pranimi ose jo i Planit të ri të BE-së (franko-gjerman) për Kosovën, ku sipas disa analistëve vendorë në këtë takim do bëhet nënshkrimi i tij nga të dyja palët. Prandaj, nuk besoj se AKS do jetë temë e këtij takimi, sepse siç dihet brenda këtij Plani është e përfshirë edhe çështja e asociacionit (Pika 7) për të cilin do bisedohet pasi që dyja palët ta kenë nënshkruar këtë Plan. Mbase, siç dihet Beogradi dhe Prishtina janë deklaruar se në parim e pranojnë këtë Plan prej 10 pikësh, siç edhe kanë deklaruar dy negociatorët kryesor, Kurti dhe Vuçiqi, meqë i njëjti paraqet bazë të mirë për vazhdimin e dialogut. Por, megjithatë nuk duhet anashkaluar mundësinë, se do jetë prapë pala serbe, ajo e cila të hënën do tenton që nënshkrimin e këtij Plani ta prolongojë sa më gjatë që është e mundur, kur dihet fakti se Pika 2 e këtij Plani Kosovën e bën subjekt të barabartë shtetëror me Serbinë, e, që ndryshe i bie, pranim të pavarësisë së Kosovës nga pala serbe në mënyrë të tërthortë, pra sipas modelit të dy Gjermanive. Dmth. njohje faktike e realitetit”, thotë analisti. 

Ndër të tjera, ai shton që nënshkrimi i këtij Plani nga ana e Serbisë (Vuçiqit), do ishte një hap tejet pozitiv për Kosovën, sepse do përmbyllej kaptina 23 vjeçare e ëndrrës serbe. 

“E gjithë esenca e këtij Plani ka qenë që Serbia të detyrohet ta pranon realitetin në praktikë, se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, veçse shtet sovran dhe i pavarur. Mbase siç dihet, qëndrimi i Beogradit zyrtar ka qenë i prerë pranë faktorëve ndërkombëtar, “se Serbia kurrë nuk do ta njeh formalisht pavarësinë e Kosovës”, gjë e cila e ka shtyrë BE-në që ta ndryshojë formulën e deri para disa muajve, “Njohje reciproke”, duke e zëvendësuar me Planin e ri për Kosovën prej 10 pikësh, me të cilin pala serbe detyrohet që ta njeh realitetin, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Pra, nënshkrimi i këtij Plani nga ana e Serbisë (Vuçiqit), do ishte një hap tejet pozitiv për Kosovën, sepse do përmbyllej kaptina 23 vjeçare e ëndrrës serbe, se Kosova është pjesë e Serbisë, siç edhe do fillonte normalizimi gradual i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e më këtë akt do ndodhte edhe ndrydhja, sado pak, e logjikës dhe politikës hegjemone dhe kriminale të serbëve ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Pra, dita e hënë, 27 shkurt 2023, mund të sjellë ndryshim të historisë tragjike shqiptaro-serbe”, u shpreh Elezaj për “Bota sot”. 

Duhanaj: Kjo Qeveri tashmë e ka futur Kosovën në një rrugë detyruese që ta nënshkruajë një marrëveshje 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe analisti politik, Leon Duhanaj. 

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj. 

Ai u shpreh se Asociacioni është shndërruar një temë diskutimi në Kosovë dhe se qeveria Kurti ka rënë nën ndikim të Vuçiqit. 

“Çështja e Asociacionit është shndërruar në një temë për shoqërinë e Kosovës gjegjësisht shqiptare, për shumë arsye. Qeveria Kurti ka arritur që për dy vite qeverisje, t'i imitojë të gjitha shtetet mike mbështetëse të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Qeveria Kurti, duke rënë nën ndikimin e Vuçiqit dhe duke luajtur me lojën e zjarrit, u bë sebep që Serbet të dezintegrohen totalisht, duke lëshuar institucionet kolektivisht e masivisht. Kjo qasje i ndihmoj Serbisë që ta promovojë idenë e tyre se serbet nuk mund të bashkëjetojnë me shqiptaret në Kosovë, pa pasur garanti shtesë. Mbi këto premisa, arriten ta bindin edhe komunitetin ndërkombëtarë se asociacioni është temë imediate dhe nëse para një vit e me tepër asociacioni ishte vëtëm pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme në të cilën përfshihej edhe njohja e Kosovës nga Serbia, sot kemi vetëm presion për themelimin e asociacionit përderisa njohja është hequr fare nga diskursi politik ndërkombëtarë e vendor”, u shpreh ai. 

Analisti, tutje thotë që Asociacioni do të jetë e detyrshume të ndodhë dhe se frika e vetme është që Serbia do të kërkojë më shumë nga Kosova. 

“Kjo Qeveri tashmë e ka futur Kosovën në një rrugë detyruese që ta nënshkruaj një marrëveshje, në të cilën asociacioni është tema nr.1 dhe njohja nga Serbia e hequr fare. Tani z. Kurti mund ta nënshkruajë por edhe ta lë, fare duke luajtur patriotin ta çoj vendin edhe në krizë institucional dhe që kishte me qenë marrëzi e llojit vetë. Kam frikë se nga një epilog i tillë, do t'i ofrohet shansi Serbisë, që në proceset e mëtejshme të kërkoj edhe me shumë nga Kosova dhe në fazën e cila tash po quhet permnyllëse të dalë me kërkesa të reja e që për ne do të nënkuptonte kompromise”, nënvizoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat