Një hap para për liberalizim të vizave, Maxharraj: Është vepër e udhëheqjes së re të Kosovës

Politika

Një hap para për liberalizim të vizave, Maxharraj: Është vepër e udhëheqjes së re të Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 mars 2023 Në ora: 14:29
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë miratuar të enjten vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.

Ministrat e miratuan këtë vendim "në lexim të parë", pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve, ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.

“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t'u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“, ka thënë pas miratimit, ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.

Gjersa krerët e shtetit kanë shprehur kënaqësi për këtë lajm “të vonuar” sipas tyre, analistët politikë këtë hap e konsiderojnë “vepër të udhëheqjes së re të Kosovës”.

Analisti politik, Binak Maxharraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se të gjitha qeveritë para qeverisë Kurti, nuk janë meritore për liberalizimin e vizave.

Maxharraj, liberalizimin e vizave e quan lajm të mrekullueshëm, gjersa shton se është i vonuar.

“Liberalizimi është vepër e udhëheqjes së re të Kosovës! Sepse pa ndryshimet e mëdha që populli i bëri më 21 shkurt 2021 liberalizimi nuk do të kishte ndodhur ende! Të gjitha qeveritë para qeverisë Kurti nuk janë meritore për liberalizimin e vizave. Rrugëtimi për liberalizimin e vizave ka nisur para 12 vjetësh, me plot mashtrime dhe gënjeshtra nga liderët tanë në stilin se vizat do të vijnë së shpejti, bile caktonin edhe data se kur do të ndodhë. Por, vizat assesi të vinin. Diçka u dilte përpara dhe i ndalonte pa u nisur fare. Por, të enjten u ngrit perdja e Bashkësisë Evropiane, kur Ministrat e 27 vendeve votuan, duke votuar edhe ato pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e miratuan vendimin e pa kthyeshëm për liberalizimin e vizave për Kosovën, në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel. Kanë mbetur edhe ca proceduar administrative deri te hapi i fundit të hyrjes në fuqi që do të ndodhë më së largu deri më 1 janar 2024, por mund të ndodhë edhe diç më herët. Do theksuar në veçanti se liberalizimi i vizave është një sihariq e lajm i mrekullueshëm, ani pse i vonuar, për qytetarët e vendit tonë të cilët tani do jenë të lirë që lirshëm vetëm me pasaportë të lëvizin në zonën Shengen”, pohon Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Sipas analistit, krerët e shtetit janë ngazëllyer për liberalizimin e vizave, sepse është meritë e tyre në luftimin e korrupsionit dhe demokratizimit të vendit.

“Kjo i bën të lumtur qytetarët e Kosovës, të interesuarit që të mos sorollaten më nëpër ambasada e gjetiu për të kërkuar viza. Tani edhe Kosova është shtet i barabartë me shtetet tjera, në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Ky është edhe fundi i lojërave politike dhe shantazheve që iu bënë Kosovës në këtë drejtim. Edhe krerët e shtetit, u panë të ngazëllyer për liberalizimin e vizave që ndodhi këto ditë, sepse kjo është ekskluzivisht meritë e tyre në luftimin e korrupsionit dhe demokratizimit të vendit”, thekson Maxharraj.

Sipas vendimit të së enjtes, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.

Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet.

Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.

Maxharraj thotë se ky hap nuk është marrë më herët për shkak të mos luftimit të korrupsionit.

Ai përmend qeverisjet e kaluara, si “fajtore”.

“ Për këto 12 vite të humbura në kërkim të liberalizimit të vizave, vlen të theksohet në veçanti, se nuk kishte vit që në raportet e progresit si të BE-së dhe SHBA-ve që nuk theksohej se shkaku i mos realizimit të vizave është kryesisht mos luftimi i korrupsionit, që në Kosovë ishte i përmasave të mëdha. Në Kosovë për të gjitha këto vite u korruptuan liderë të lartë shtetërorë, të cilët këtë vend e vodhën dhe e plaçkitën deri në palcë, dhe u pasuruan pa masë, deri në milionerë. Bënë privatizimin gati falas, duke i rrëzuar për tokë të gjitha asetet e rëndësishme shtetërore të ndërtuara për dekada me radhë, morën objekte shtetërore, morën toka të cilat i kishin blerë gati falas, uzurpuan prona, shtëpi dhe banesa, në të cilat vihej sigla, ”mos e prek UÇK”. Pos kësaj, të gjithë këta të korruptuar nga niveli i lartë apo siç quheshin “peshqit e mëdhenj”, ishin për dekada me radhë të pa prekur, askush bile as prokuroria, e as gjykatat nuk kishin qasje të hulumtonin pasuritë e tyre të paligjshme sepse edhe vetë ishin të korruptuar ,nga pushtetarët e plotfuqishëm në pushtet. Prokuroria dhe gjyqësia ishin të kapura nga kupola e krimit të organizuar. Së këndejmi vijmë në përfundim se për të gjitha këto vite nuk luftohej korrupsioni, sepse liderët ishin të paprekshëm, me fjalë të tjera nuk kishte se kush të luftonte korrupsionin, sepse korrupsioni nuk luftohet nga vetë të korruptuarit. Ani pse Kosova i kishte plotësuar shumë kushte për liberalizimin e vizave për BE dhe SHBA, korrupsioni ishte “thembra e Akilit” që nuk mund të kapërcehej. BE dhe SHBA bash këtu e lidhnin kryqin e tyre për mos lejimin e liberalizimit të vizave. Kjo më së miri shihej kur Franca dhe Holanda vazhdimisht ishin pengesa të pa kalueshme në liberalizimin e vizave për mungesë të luftimit të korrupsionit në Kosovë. U desh të ndodhte mrekullia e ”Zotit”, më 14 shkurt 2021 kur populli e hodhi jashtë loje klasën e korruptuar të PDK-së dhe LDK-së, të cilët i hodhi në opozitë”, ka përfunduar Maxharraj.

Kujtojmë se diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat