Lugina e “frustuar me Vuçiqin”, kërkojnë përfshirje në planin franko – gjerman

Politika

Lugina e “frustuar me Vuçiqin”, kërkojnë përfshirje në planin franko – gjerman

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 mars 2023 Në ora: 20:02
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Lugina e Preshevës është në komunikim e sipër me Qeverinë e Kosovës sa i përket komunitetit shqiptar atje. Sipas tyre, është e pa kuptimtë që Vuçiqi të kërkojë më shumë të drejta dhe privilegje për komunitetin serb në Kosovë, ndërsa të drejtat e fundamentale të shqiptarëve në Luginë të mohohen.

Ata kërkojnë që çështja e Luginës të përfshihet në planin franko- gjerman dhe në çfarëdo plani tjetër.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 kanë nisur procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Aktualisht, bartës i dialogut në nivel politik janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alesandër Vuçiq.

Për vite me radhë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës kanë kërkuar më shumë të drejta, teksa kanë denoncuar shumë shkelje.

“Reciprocitet për barazi, barazi”

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se pozita e vështirë e shqiptarëve në Luginë duhet të marrë formën e trajtimin në kontekst të barazisë e lirive individuale e kolektive si pjesë e standardeve unike dhe simetrike.

Image
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa

“Po sigurisht jemi në komunikim e sipër me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Andaj edhe në 6 kushtet e kryeministrit për kornizën e parimeve për marrëveshjen e mundshme, pika e tretë i referohet reciprocitetit në drejta të komunitetit serb në Kosovë me komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës. Pozita e vështirë e shqiptarëve në Luginën duhet të marrë formën e trajtimit në kontekst të barazisë e lirive individuale e kolektive si pjesë e standardeve unike dhe simetrike dialogut Kosovë – Serbi. Dialog parimor dhe me parime të pranueshme ndërkombëtare, gjithëpërfshirës e të kushtëzuar reciprokisht. Reciprocitet për barazi, barazi për paqe, paqe për prosperitet e normalitet. Ndryshe, jo vetëm Lugina, do të mbetet gjenerues të krizave në të ardhmen”, pohon Mustafa.

Sipas Mustafës, në radhë të parë është e pakuptimtë që Vuçiqi të kërkojë më shumë të drejta dhe privilegje për komunitetin serb, kur i mohon të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Kërkohet reciprocitet në Preshevë

Nuk ka asnjë arsye mundësitë dhe zgjidhjet që u garantohen komunitetit serb në Kosovës, sipas Mustafës, e të mos i lejohen shqiptarëve në Luginë.

“Që nga Platforma e përbashkët Politike e 14 janarit të vitit 2006 e aprovuar nga Kuvendi i këshilltarëve Shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është kërkuar reciprociteti me të drejtat e komunitet serb në Kosovë. Pra, në radhë të parë, është e pakuptim që Vuçiq të kërkojë më shumë të drejta dhe privilegje për komunitetin serb në Kosovë, përderisa i mohon edhe të drejtat më fundamentale të shqiptarëve në Luginë. Së dyti nuk ka asnjë arsye mundësitë dhe zgjidhjet që u garantohen komunitetit serb në Kosovë, të mos i lejohen shqiptarëve në Luginë. Standardet dhe rregullimi organizativ që akordohet në marrëveshjen mes Kosovës-Serbisë duhet domosdoshmërisht të jetë i aplikueshëm edhe shqiptarët në Luginë”, thekson Mustafi.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë, 15 mijë shqiptarë janë regjistruar në Luginën e Preshevës në Serbi. Qytetarët shqiptarë, duke pasur për bazë rezultatet preliminare kanë thënë se Serbia, tashmë, duhet të përballet me realitetin e pamohueshëm dhe t' i plotësojë të drejtat themelore të njeriut që vetëdijshëm po ua mohon shqiptarëve.

Hasani: Pakica serbe në Republikën e Kosovës është e favorizuar

Analisti shqiptar në Bujanoci, Refik Hasani, thotë se pakica serbe në Kosovës është e favorizuar, që në asnjë shtet të botës nuk kanë të drejta pakicat sikur në Kosovë, që pakica serbe gëzon të drejta.

Image
Analisti shqiptar në Bujanoci, Refik Hasani

Sipas Hasanit, janë dy standard të mbështetjeve, mbështesin pakicën serbe në Kosovë, por po harrojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Partitë Politike shqiptare në Krahinën shqiptare që përfshin Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kanë obligim moral, kombëtar dhe pasi edhe janë të zgjedhurit e popullit të jenë vazhdimisht zëri dhe të përfaqësojnë njëmendë interesat dhe vullnetin e kësaj krahine, pasi Shqiptarët në Republikën e Serbisë, sivjet kanë jubileun 31 vjet nga Referendumi i datës 1 e 2 Mars 1992 - 1 e 2 Mars 2023. Shqiptarët në Republikën e Serbisë, përveç referendumit kanë organizuar edhe luftën e armatosur ku Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ka luftuar për mbrojtjen e pragut dhe kundër trajtimit të padrejtë diskriminimi në gjitha fushat, duke arritur që faktori politik dhe ushtarak ndërkombëtar të ndërmjetësojë dhe të arrihet edhe Marrëveshja e Konçulit. Në raport në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, çështja e Krahinës shqiptare të mbetur dhunshëm e padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, do të duhej të luan rolin dominant. Pakica serbe në Republikën e Kosovës është e favorizuar, që në asnjë shtet të botës nuk kanë të drejta pakicat sikur në Kosovë-që pakica Serbe gëzon të drejta. Kurse kemi dy standarde në këtë rast mbështesin pakicën serbe në Kosovë, por po harrojnë Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoci që në vitin 1992 kanë mbajtur dhe organizuar Referendum”, pohon Hasani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e 27 shkurtit ka pranuar planin franko- gjerman, plan ky që synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Analisti Hasani thotë se çështja e Luginës do të duhej të përfshihej jo vetëm në planin aktual franko- gjerman, por edhe në të gjitha fazat dhe në çfarëdo plani dhe fillimi të zbatimit të tyre në praktik.

Sipas tij, sa më shumë Beogradi zvarrit njohjen e Prishtinës, aq më shumë zgjaten edhe problemet e Serbisë.

Beogradi kërkon autonomi territoriale për bashkëkombasit e vet në Kosovë

“Jo vetëm në planin aktual franko-gjerman, por në të gjitha fazat dhe në çfarëdo plani dhe fillimi të zbatimit të tyre në praktik do të duhej të përfshihet edhe çështja e Krahinës shqiptare që përfshinë Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sepse çështja e kësaj Krahine shqiptare, përkundër Referendumit të mbajtur më datës 1 e 2 Mars 1992, plus kryengritjes së armatosur ku Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, dhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, jo vetëm nuk është zgjidhur, por është përkeqësuar dukshëm dhe pret të zgjidhet. Sa më shumë që Beogradi e ZVARRIT njohjen e Prishtinës aq më shumë zgjaten edhe problemet brenda vetë kësaj Serbie, duke na mohuar Referendumin, kryengritjen e armatosur të UÇPMB-ës. Serbia nuk e ka zgjidhur çështjen e pakicave, përmes 22 Këshillave Nacionale, që funksionojnë. Serbia e ka “zgjidhur çështjen e pakicave’’, përmes disa këshillave nacionale, kurse Beogradi kërkon autonomi territoriale për bashkëkombasit e vet në Kosovë që përbëjnë më pak se 4%, të gjithë popullatës në Republikën e Kosovës”, përfundon Hasani.

Shqiptarët në Serbi përbëjnë me shekuj në jug të vendit një popullsi autoktone. Ata sot, kryesisht jetojnë në Luginën e Preshevës, një trevë kufitare në mes Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë dhe sipas censusit të vitit 2002, në dy komuna përbëjnë shumicën e popullsisë, në komunën e Preshevës dhe Bujanocit, ndërsa një pakicë të konsiderueshme në komunën e Medvegjës.Përveç këtyre trevave, shqiptarët jetojnë edhe në jugperëndim të Serbisë, gjegjësisht në Sanxhakun e Pazarit të Ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat