“Nuk firmos kapitullimin e Serbisë”, vjen reagimi ndaj Vuçiqit: Ky ëshë një politikan frikacak – ja si do reagojë përballë Kurtit!

Politika

“Nuk firmos kapitullimin e Serbisë”, vjen reagimi ndaj Vuçiqit: Ky ëshë një politikan frikacak – ja si do reagojë përballë Kurtit!

Nga: A.M. Më: 11 mars 2023 Në ora: 22:00
Foto nga takimi në Bruksel

Kosova dhe Serbia janë pajtuar në parim për tekstin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por, tani, do të duhej të pasonte hartimi i udhërrëfyesit për zbatimin e tij.

Kjo është edhe arsyeja e një takimi të paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ky propozim ka ngjallur reagime të shumta, ku më pas janë hedhur dyshime mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje në Ohër.

Opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli për takimin Kurti-Vuçiq dhe mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje.

Sipas tij, plani franko-gjerman merr kuptim kur Serbia ta pranojë të vërtetën se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

“Kuptimi i këtij nënshkrimi të planit franko-gjerman, do qartësohet prej çastit kur palët do të marrin një vendim të tillë, sipas të cilit nuk do të ketë rëndësi njohja reciproke, sa do të ketë rëndësi kur njeriu çlirohet dhe dallon të vërtetën prej mashtrimeve dhe trillimeve, të drejtën nga e pa drejta njerëzore, ndryshon prej ëndërrave të verbëta dhe vartësinë nga mitet e këtyre ëndërrave, kur dihet botërisht dhe ligjërisht se Kosova, sot është shtet i pavarur dhe sovran”, deklaroi ai.

Preqi e cilësoi Vuçiqin si një politikan frikacak, pasi po refuzon ta nënshkruajë planin franko-gjerman, i cili po gjen edhe mbështetje nga Amerika.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

“Ndërsa në anën tjetër, edhe nëse pala serbe në krye me Vuçiqin, do të hezitojë ta nënshkruajë një dokument të tillë me palën shqiptare të udhëhequr nga kryeministri Kurti, dhe duke thënë para popullit të vet se, «nuk më bie ndërmend që ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë», ashtu-kështu edhe shefi i tij Millosheviq, thoshte dikur, por ky lloj politikani është frikacak, sepse nuk ka nevojë ta nënshkruajë një kapitullim apo rikapitullim, por vetëm një marrëveshje paqësore dhe historike.

Dhe është me rëndësi të veçantë se, një plan të këtij lloji franko-gjerman, e gjenë edhe mbështetjen e ShBA-ve, të cilët në një mënyrë po investojnë në shërbim të këtij projekti me përpjekjet e tyre, që përmes këtij plani evropian, palët mund të gjejnë vetëveten secili ngapak apo dhe më shumë se asnjë plan tjetër, që është prezentuar deri më tani, me ç’rast Kosova, do të humb më shumë nëse nuk e nënshkruan një plan të tillë”, theksoi opinionisti.

Krahas kësaj, ai e vlerësoi lart Kurtin dhe guximin e tij për ta pranuar planin franko-gjerman, ku edhe ka objektiva të qarta dhe jo si ish-pushtetarët e mëhershëm.

“Dhe e veçanta e gjithë kësaj do të ishte se, edhe pse ky plan nuk është i detajuar dhe i përcaktuar që t’i përmbush të gjitha kushtet dhe objektivat e palës kosovare, apo dhe anasjelltas për palën tjetër, por premisat që mund t’i vërejmë në këtë aktivitet janë nga shumë tregues serioz, që përveç ndërmjetësimit të palës evropiane, i kemi SHBA-të, që së bashku do të marrin edhe përgjegjësitë, që i ka vënë përpara plani në fjalë.

Dhe akti tjetër do të jetë guximi, në këtë rast i Albin Kurtit, një guxim jo vetiak, sikur i atyre pushtetarëve të mëhershëm, por një guxim i pamohueshëm, që ka mbështetjen e mazhorancës në pushtet, dhe një guxim tjetër, që ballafaqohet me kaosin kërcënues dhe problematik të Vuçiqit, si një qëllim i pastër e paqësor, dhe më i fortë se kërcënimet e Serbisë, edhe pse kryeministri Kurti, po përballet edhe me diçka tjetër, që e ka një opozitë «bishtëruese» dhe pa mbështetjen e saj në shumë kauza të rëndësishme, sikur edhe tani me një moskordinim dhe kundështim ndaj planit evropian, që ka edhe mbështetjen amerikane”, nënvizoi Preqi.

Në vazhdim, opinionisti analizoi politikat dhe mashtrimet e Vuçiqit.

Sipas tij, presidenti serb ka zhvilluar planet e tij më kërcënime dhe shantazhe ndaj shtetit të Kosovës.

“Prandaj në këto rrethana të krijuara, që edhe BE-ja, së bashku me SHBA-të, i kanë vënë energjitë e tyre më shumë se asnjëherë tjetër, në gatishmëri dhe të një forme të tillë, që mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare në mes palëve, edhe pse nuk e kanë njohjen reciproke në qendër, e rëndësishme është që mos ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integrale dhe në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.

Po t’i japim një analizë paraqitjes së politikave dhe dredhimeve të Vuçiqit, Kosova, kurrë nuk do të arrijë cakun e duhur në asnjë pikë të marrëveshjeve, sepse Serbia dhe udhëheqësi i saj Aleksandër Vuçiq, deri më sot, do të shohim se sa pak janë të përgatitur për të realizuar një plan të marrëveshjeve dhe plan të paqes, por pikërisht me ato që kanë të bëjnë, duke humbur kohë dhe duke i shtyer proceset e marrëveshjeve, por dhe përmes kërcënimeve e shantazheve ndaj shtetit të Kosovës, pushteti i tij do të kishte më shumë jetëzgjatje”, shpjegoi ai.

Më tej, Preqi potencoi se ‘egërsia’ e Serbisë nuk do të dominojë gjithmonë me llojin e vet primitiv.

“Egërsia në formën e saj primitive e Serbisë, ndaj shtetit të Kosovës, me siguri se do të mposhtet shumë shpejtë, sepse vetë natyra njerëzore rreth e rrotull nesh do na bind, se kjo egërsi nuk do të dominoj gjithëherë me llojin e vet primitiv dhe abuziv, duke i bartë me vete gjitha humnerat edhe në trashëgëminë e gjeneratave të ardhshme, pasi shumica e ka kuptuar se çka po ndodh me diplomacitë dhe format e tilla fashizoide ruso-serbe, të cilat po i vuan populli i pafajshëm”, tha opinionisti.

Në fund, ai shtoi se Kosova e ka përkrahjen e ShBA-së dhe BE-së si asnjëherë më parë, në dialogun përballë Serbisë.

Po ashtu, tha se Asociacioni u ‘shpik’ në kuzhinat e Beogradit me recetë të Thaçit e Mustafës.

“Kosova dhe qeveria Kurti, përballë këtij plani evropian janë në një ofenzivë mjaftë të favorshme dhe serioze, dhe pothuaj si asnjëherë tjetër e ka përkrahjen nga BE, dhe SHBA, në dialog me Serbinë, për të përfunduar një marrëveshje në mes palëve, edhe pse thuhet se brenda këtij plani evropian fshihet edhe një plan tjetër, që është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili sipas ndërkombëtarëve duhet të realizohet, edhe pse dihet se këtë lloj «diagnoze» helmuese për Kosovën, e shpikën kuzhinat politike të Beogradit, por recetën e saj e nënshkruajnë H.Thaçi, dhe Isa Mustafa, ndërsa pasojat po i riparon kryeministri Kurti, duke i përcaktuar ndonjë diagnozë tjetër adekuate dhe jo të dëmshme për të mos e helmuar në tërësi organizmin e shtetit të Kosovës”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat