Mbështetet propozimi i Sanduloviqit: Të angazhohet William Walker ose Bob Mendez në dialogun Kosovë-Serbi!

Politika

Mbështetet propozimi i Sanduloviqit: Të angazhohet William Walker ose Bob Mendez në dialogun Kosovë-Serbi!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 mars 2023 Në ora: 13:09
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Negociatat Kosovë-Serbi janë në një fazë vendimtare, ku shumëçka do të varet nga mbarëvajtja e takimit Kurti-Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Bashkimi Evropian (BE) është angazhuar më shumë se kurrë për të pajtuar palët që të nënshkruajnë një marrëveshje finale.

Krahas përfaqësuesëve evropian, për këto bisedime po angazhohet edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Së fundmi, kryetari i Parti Republikane Serbe (PRS), Nikola Sanduloviq, ka thënë se është koha që ShBA-ja ta angazhojë dikë të fuqishëm e të përgjegjshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se William Walker ose Bob Menendezin mund të ndihmonin në këtë çështje.

Ka ardhur koha që të angazhohet dikush shumë i fuqishëm dhe i përgjegjshëm, si dhe me përvojë të madhe në këto hapësira, e para së gjithash mendoj te dikush në Administratën Amerikane, si puna e zotit William Walkeri, apo zotit Bob Menendez, që kanë një ndikim të madh politik dhe kanë një përvojë të madhe nga ajo që ka ndodhur këtu dhe se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Sanduloviq shtoi se Aleksandar Vuçiq nuk do të nënshkruaj asgjë, por do të merret me pjesët triviale të marrëveshjes, siç janë targat apo Bashkësia e Komunave Serbe.

Ndërkaq për Kurtin tha se është pjekur si një politikan serioz dhe i përgjegjshëm, i cili duhet të ketë idenë se çfarë thotë populli i Kosovës dhe të thirret edhe ai në Kushtetutën e Kosovës sikur Aleksandar Vuçiqi që thirret në Kushtetutën e Serbisë, ku deklarohet se “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe se ai asnjëherë nuk do ta pranojë Kosovën”.

Analistët për gazetën “Bota sot” komentuan mundësinë që William Walker ose Bob Menendez, të angazhohen në bisedimet Kosovë-Serbi dhe si do mund të ndikonte kjo për shtetin tonë.

Qarri: Të zëvendësohet Escobar me Walker apo Mendez-in

Analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim për gazetën “Bota sot” foli për propozimin e Sanduloviqit për forcimin e pozicionit të SHBA-së në bisedimet në Bruksel.

Image
Gani Qarri

Ai tha se në rast të angazhimit e Walker apo Mendez në dialog, ky do të ishte një akt i duhur, i mirëseardhur dhe në të mirë të Kosovës.

Duke pasur parasysh faktin se Aleksandër Vuçiq ka arritur ti përvetësojë, ndërmjetësuesit Lajçak dhe Eskobar, me mënyrat që i di vetëm ai, apo edhe me formën tashmë të popullarizuar të modelit McGonigal, ashtu siç shprehet edhe politikani serb me përvojë të gjatë Sanduloviq, i cili njeh më mirë se kushdo tjetër kapacitet manovruese dhe mentalitetin zvarritës të politikës së Vuçiqit, vërtetë ka ardhur koha që të angazhohet dikush tjetër shumë më me përvojë, në dialogun maratonik Kosovë-Serbi. Një i dërguar special më i fuqishëm dhe më i përgjegjshëm, për zhvillimet në këto hapësira, nga Administrata Amerikane, si z.William Walker, apo edhe senatori Bob Menendez, të cilët, është dëshmuar se janë dashamirë të sinqert të popullit dhe vendit tonë, nuk kanë rënë nën ndikimin rus dhe as nuk janë diskredituar nga manipulimet sllave, pra vetëm një vendim si ky, do të ishte akt i duhur, i mirëseardhur dhe në të mirë të Kosovës”, deklaroi analisti.

Qarri kritikoi Escobarin për mbështetjen që po ia jep nganjëherë Vuçiqit.

Pasi, sipas tij, ky i fundit nuk do ta nënshkruajë planin franko-gjerman në Ohër.

Përndryshe me të dërguarin aktual të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkëshortes së të cilit Elizabeth Escobar, Ministria e Jashtme e Serbisë i hapi edhe ekspozitë pompoze në Washington, kurse vet z.Eskobar, kush e di, ndoshta mund ti ketë dhuruar edhe atij ndonjë peshqesh të madh, për mbajtjen e anës Serbisë, në bisedime me Kosovën, Vuçiq jo vetëm që nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje, por vërtetë do të vazhdojë të merret me pjesët triviale të dialogut, si zajednica dhe targat serbe, në veri të Kosovës. Madje këtë e vërteton vet manipuluesi politik Vuçiq, me deklaratat e tij kundërthënës publike, i cili përderisa vetëm pak kohë më parë, shprehej nga Beogradi se si, kinse Serbia ka pranuar propozimin evropian, në shenjë "falënderimi" të përkohshëm kamuflues, për lëshimet e jashtëzakonshme që asaj i janë bërë nga ndërmjetësuesit e BE-së dhe emisari Eskobar, duke futur “zajednicën” në proces dhe hequr nga marrëveshja njohjen e Kosovës, ani pse njohja reciproke ishte pika kryesore për të cilën, para më tepër se një dekade edhe kanë filluar bisedimet ndërmjet të dy vendeve”, theksoi ai.

Më tej, analisti parashikon se presidenti serb me çdo kusht do përpiqet t’i shmanget nënshkrimit të një marrëveshje me Kosovën.

“Kurse tani, Vuçiqi jo vetëm që propozimin e BE-së, nuk e nënshkroi në Bruksel, por po përpiqet t’i ik, në një mënyrë, apo tjetër këtij plani edhe në Ohër, duke kërcënuar që, nëse asociacioni, nuk do të jetë temë qendrore, ai nuk do ta nënshkruaj as më 18 mars, edhe këtë gjysmë marrëveshje, pa pranuar tu jap shqiptarëve në Kosovën Lindore asnjë të drejtë, madje kërkesën e tyre, për asociacion të shqiptarëve, nuk hezitoi ta quante edhe marrëzi”, shpjegoi Qarri.

E nisur nga kjo, si kërkoi zëvendësimin e Escobarit me ambasadorin William Walker ose senatorin Bob Mendez.

Prandaj nisur nga vet letra e Presidentit Joe Biden, që është i pari i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë emisar, ku flitej decidivisht për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jo për ngritjen e asociacionit një etnik serb, në krye-temë të marrëveshjes, vetëm largimi i emisarit Gabriel Escobar, për të cilin tanimë në kuluare, ka filluar të pëshpëritet edhe për korruptimin e tij, vetëm zëvendësimi i emisarit Escobar me ambasadorin William Walker, ose senatorin Bob Mendez, mund ta kthejë gjendjen e dialogut në binar normal, përndryshe, megalomani Vuçiq deklaron çdo ditë publikisht, se nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje që ka të bëjë me njohjen e Kosovës as pranimin e Republikës së Kosovës në OKB”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Habitemi se si është e mundur të del ky propozim i mrekullueshëm nga Nikolla Sandulloviqi

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, profesori Sulejman Mehazi në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” u shpreh i befasur nga propozimi i politikanit serb Sanduloviq.

Ai foli fjalë të mëdha për Walker dhe Mendez, të cilët i cilësoi si dy personalitete të fuqishme dhe miq të Kosovës.

Edhe pse politikanëve serbë nuk ju zëmë besë për shkak përvojës së hidhur, po ja që po na habit kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikola Sanduloviq, i cili kërkon që SHBA-ja të jetë më e ashpër ndaj Serbisë me rastin e dialogut me Kosovën që mikluesi i Vuçiqit, Eskobari, të zëvendësohet me dy personalitete të fuqishme e të autoritetshëme siç janë Ambasadori dhe miku shumë i dashur i Kosovës, William Walker, që me argumentet e masakrave serbe në Reçak tronditi botën demokratike, apo me Senatorin Bob Menendez, zëdhënësin më të fuqishëm të shqiptarëve, Kryetarin e Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-së që është porosia më e fortë për mbrojtjen e Kosovës nga Serbia, i cili është edhe dashamirësi më i madh i Lobit Shqiptaro-Amerikane për të drejtat e shtetërore të Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi”, deklaroi profesori.

Mehazi tha se është për t’u befasuar se si një propozim si ky, erdhi nga një politikan serb.

Sipas tij, ky propozim është çelësi kyq i dialogut Serbi-Kosovë.

Habitemi se si është e mundur të del ky propozim i mrekullueshëm nga ana e demokratit republikan serb, Nikolla Sandulloviqi, e jo nga politikanët demokrat republikan të Shqipërisë, Kosovës e RMV-së, me të vërtetë propozimi i Kryetarit të PRS, Nikolla Sandulloviq, është çelësi kyq i dialogut Serbi-Kosovë me njohje reciproke në të mirë të dy vendeve fqinje. Është shumë e qëlluar dhe e saktë se vetëm dy diplomatët e fuqishëm amerikan, Ambasadori William Walker apo Senatori Bob Menendez, gjatë dialogut me Serbinë jo që do jenë zëdhënës të fuqishëm të shqiptarëve, por do binin paqën në mes Kosovës e Serbisë me njohje reciproke”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, ai tha se angazhimi i njërit prej tyre, Walkeri-t apo Mendezi-t, do të sillte paqe mes dy shteteve.

Nëse plani franko-gjerman në takimin e radhës në Ohër të RMV-së dështon, atëherë nuk i mbetet gjë tjetër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, përveç që të propozonte BE-në e SHBA-të që ndërmjetsues të dialogut me Serbinë të jenë ose Ambasadori amerikan, William Walker, ose Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të SHBA-ve, Bob Menendez. Respekt të madh Kryetarit të PRS, Milan Sandulloviqin për këtë propozim të mençur ndaj dialogut Serbi-Kosovë që bie paqe e rahati jo vetëm në mes dy shteteve fqinje, por në gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat