“Pa asociacion s’ka marrëveshje”, flasin analistët: Deklaratë sinkron me presidentin serb

Politika

“Pa asociacion s’ka marrëveshje”, flasin analistët: Deklaratë sinkron me presidentin serb

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 mars 2023 Në ora: 10:12
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Nëse nuk ka asociacion, nuk ka marrëveshje”, kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak të hënën.

Lajçak në një intervistë për median serbe, ka thënë se propozimi i BE-së flet për normalizim, jo për ndonjë lloj të kapitullimit, gjersa ka përsëritur disa herë se Asociacioni i komunave serbe duhet të formohet.

Ai ka thënë se nga kjo marrëveshje nuk do të ketë një humbës dhe një fitues.

“Qëllimi është të kërkojmë një situatë të favorshme dhe të hapim derën evropiane”, tha Lajçak.

Miroslav Lajçak që nga e hëna ndodhet në Beograd. Ai sot po vazhdon bisedimet me presidentin e Serbise, ai gjithashtu ka zhvilluar takime edhe me një pjesë të opozitës atje.

Kurti: Ne e dimë qëndirmin e Serbisë

Kësaj deklarate i është kundër përgjigjur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se asociacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshje 25 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39.

“Ne jemi dakorduar për propozimin evropian me iniciativë frankogjermane e i mbështetur nga SHBA dhe Italia dhe aty janë pesë fjali në preambulë, janë 11 nene gjithsej. Le ta diskutojmë planin e zbatimit. Unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo zajdenicën siç e kemi quajtur ndryshe. Ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt kur kam shikuar tash së fundi, bashkë me konkluzione që janë bërë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011, deri më 25 gusht 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asocacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshje 25 pikëshe e cila është e 16-ta prej 39. Natyrisht, ne e dimë qëndirmin e Serbisë, por unë duhet t’i referohem asaj që jemi marrë vesh dhe atë keni mundur të lexoni që tqë gjithë. Ndërkaq plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër e mbase jo vetëm në Ohër”, ka deklaruar Kurti.

Duhanaj: Humbje për Kosovën zvarritja e procesit

Image
Leon Duhanaj

Duke komentuar deklaratën e Lajçak, analistët politikë thonë se është deklaratë sinkron me presidentin serb, Aleksandër Vucciq, gjersa shtojnë se Kosova ka pësuar humbje nga zvarritja e procesit të dialogut.

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se deklaratat e kryeministrit Kurti janë “hedhje hi syve”.

Për mendimin tim, krejt këto deklaratat e pranoj, se pranoj, nuk janë gjë tjetër por hedhje hi syve nga Kryeministri Kurti për të manipuluar me "xhematin" e tij, dhe në mënyrë që të gjejë opsione sa me të kapshme për ta plasuar në fund si "sukses" Ne e pamë që pas takimit në Bruksel, si Kryeministri Kurti, ashtu edhe Presidenti serb Vuçiq nuk patën deklarata të njëjta as mes tyre, por as me përfaqësuesit e BE-së. Përderisa z. Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë, por nuk pranoi pala tjetër, edhe z. Vuçiq në Serbi deklaroi të njëjtën gjë por nga këndvështrimi i tij. "Isha i gatshëm, por pala tjetër jo. Çfarë nënkupton kjo?”, thekson Duhanaj.

Humbja më e madhe që ka ndodhur për Kosovën, sipas Duhanajt, është zvarritja e procesit ndër vite.

Për mendimin tim, që të dy janë të pasinqertë me qytetarët reciprok dhe, mundohet ta shesin marrëveshjen si fitore për ta, kinse pala tjetër nuk pranoj, pasi që kemi nxjerrë favore për neve. Në anën tjetër, ishte deklarata e z. Borell, i cili tha se palët u dakorduan për planin dhe madje dakortësi kishte që nga shtatori, gjë që nxjerrë në pah lojtarët mashtruese të Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb, të cilët në atë kohë, publikisht flisnin për luftë! Pra, në ketë kontekst, për mua nuk la shumë ose aspak relevancë çfarë deklarojnë Kurti e Vuçiq, sepse që të dy janë pajtuar. E gjithë ato që prezantojnë në publik, shkon në interes të konsumit të brendshëm dhe asgjë tjetër. Për mendimin tim, humbja me e madhe që ka ndodhur për Kosovën dhe se ka ndikuar në rritjen e kompromisit, ka qenë zvarritja e procesit ndër vite, e që z. Kurti ka dhënë kontributin me të madh”, pohon analisti.

“Lajqak sikur sërish po bie nën presionin e palës serbe”

Image
Skënder Mulliqi

Kurse, analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se Lajçak po bie nën presionin e palës serbe.

Sipas tij, deklarimi se nuk do të ketë marrëveshje në Ohër, pa formimin e asociacionin, shkon në sinkron me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Asociacioni i komunave më shumicë serbe vazhdon të jetë prioritet i ndërmjetësve ndërkombëtarë. BE-ja dhe ShBA-të, po kërkojnë që sa më shpejtë të themelohet Asociacioni. Të fundit që kërkuan këtë gjë janë Mirosllav Lajqak dhe Aleksandër Vuqiqi, pas vizitave që i pati Lajqak në Kosovë dhe në Serbi. Lajçak, tha se ia ka dorëzuar Albin Kurtit, 15 modele evropiane në lidhje më Asociacionin. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe Vuçiq, i cili kërkoi që para së të diskutohet për planin franco-gjerman të formohet Asociacioni, e që është presion për Kosovën, para takimit të Ohrit më 18 të këtij muaji. Çeku Lajqak sikur sërish po bie nën presionin e palës serbe. Deklarimi tij së nuk do të këtë marrëveshje në Ohër, pa u formua Asociacioni shkon në sinkron më deklaratën e presidentit serb Vuçiq”, deklaron Mulliqi.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Mirsolav Lajçak, të martën është takuar me opozitën serbe, ku theksuar se kërkohet nga Serbia që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, siç e specifikon edhe Neni 4 i propozimit evropian për normalizim të raporteve.

Në këtë takim me opozitarët serbë, Lajçak ka treguar se Vuçiq i ka thënë edhe kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron se “vijat e kuqe” të Serbisë janë anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

“BE dhe Amerika ishte dashur në takimin e Ohrit t’i bëjnë presion Serbisë”

Analisti Mulliqi thotë se BE dhe Amerika do të duhej t’i bënin presion Serbisë ta nënshkruaj së pari planin, pastaj të vazhdohet për modelet evropiane.

Ky sikur është paralajmërim se Vuqiqi as në Ohër nuk do të firmos planin franco-gjerman, më qëllim të zhagitjes të procesit. Serbia nuk është duke u pajtuar më pikën e planit ku bëhet fjalë që Kosova të inkuadrohet në OKB, dhe organizma të tjetër të Evropës. BE dhe Amerika ishte dashur në takimin e Ohrit t’i bëjnë presion Serbisë që të nënshkruan planin së pari, e pastaj në vazhdim të dialogut të merren vesh lidhur më 15 modelet evropiane të asociacionit. Mjaftë gjatë është duke u përkëdhelur Serbia, e kësaj radhe ishte dashur t’i tregohet shkopi në vend të karotës”, thekson Mulliqi.

Në anën tjetër, Kosovës i janë ofruar 15 modele evropiane për asociacionin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 mars se është duke i analizuar 15 modelet evropiane që i ka ofruar BE-ja.

I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë se këto modele janë në përputhje me standardet evropiane.

Asnjëra prej 15 modeleve evropiane nuk janë bërë publike as nga Kosova e as nga Brukseli.

“Asociacioni nuk guxon të pranohet jashtë ligjeve dhe jashtë Kushtetutës të Kosovës”

Duke folur rreth modeleve të mundshme që do t’i pranonte Kosova, Mulliqi, shprehet se asociacioni nuk guxon të pranohet jashtë ligjeve dhe jashtë kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij, Amerika nuk do të lejojë një Republikë Srpska tjetër në Kosovë.

Kur është për modelet e asociacioneve të propozuara nga BE-ja, ende nuk ka të dhëna më të përafërta për solucione lidhur më këtë temë. Nga Qeveria e Kosovës bëhet e ditur së Mirosllav Lajçak i ka prezantuar kryeministrit Albin Kurti 15 modele për rregullimin e të drejtave të pakicave, e jo për Asociacionin, të cilat modele janë sipas standardit të Këshillit të Evropës. Kosova është dakorduar që të formohet një Asociacion për komunat më shumicë serbe, por jo të formës ekzekutive, që është niveli i tretë i qeverisjes, siç po e kërkon edhe Serbia. Asociacioni nuk guxon të pranohet jashtë ligjeve dhe jashtë Kushtetutës të Kosovës. Vuqiqi është duke kërkuar të drejta mbi të drejtat që ju takojnë pakicave , e që është ndarje të Kosovës mbi bazat etnike, ku cenohet rëndë rendi kushtetues i vendit tonë. Nëse Serbia ngulë këmbë që të kemi vetëm Asociacion në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, pa e pranuar planin franco-gjerman paraprakisht, mendoj së bisedimet do të futën në qorrsokak. Besohet së Amerika nuk do të lejojë një Republika Srpska tjetër në Kosovë. Këto edhe janë zotimet që i kanë dhënë disa nga zyrtarët më të lartë të shtetit. Në të kundërtën, shumë do të merrte krahë hegjemonia serbo -ruse në rajon dhe më gjerë”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat