Paralajmërohen pasoja deri në konflikt të ri, nëse nuk nënshkruhet plani franko-gjerman nga Kosova e Serbia

Politika

Paralajmërohen pasoja deri në konflikt të ri, nëse nuk nënshkruhet plani franko-gjerman nga Kosova e Serbia

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 mars 2023 Në ora: 16:28
Takimi trepalësh- Bruksel 27 shkurt

Ambasadori amerikan,  Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi "është marrëveshja më e mirë në dispozicion".   

Ai ka thënë të mërkuren se presin marrëveshje përfundimtare, me njohjen reciproke në qendër.  

"Është një marrëveshje e përkohshme, dhe SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa saj dhe me një pozicion që e kemi mbajtur prej vitesh, se presim marrëveshje përfundimtare, me njohjen reciproke në qendër. Ky është objektivi. Kjo na çon shumë më afër tij", tha Hovenier.   

Derisa, edhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.  

“Kjo marrëveshje nuk është diçka për t'u frikësuar. Shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja. E kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj”, tha Escobar.  

Pavarësisht këtyre deklaratave pala e Serbisë nuk është shfaqur e gatshme për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Analistët konsiderojnë se deri tek njohja reciproke na pret një rrugë e gjatë, duke potencuar se në takimin e Ohrit mund të mos ketë nënshkrim të marrëveshjes.    

Kelmendi: Mos nënshkrimi i planit franko-gjerman, bart pasoja edhe për Kosovën edhe për Serbinë

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka thënë se plani aktualisht nuk është nënshkruar, por që mendohet se me 18 mars në Ohër do të pranohet plani nga dy palët.  

“Aktualisht nuk është nënshkruar plani franko-gjerman as nga Kosova dhe as nga Serbia. Plani mendohet se është bazë e "mirë" e zgjidhjes së çështjes Kosovë - Serbi.  Ka dyshime se shteti serb nuk e nënshkruan. Kërkesat nga Beogradi për ndryshim të planit janë paraqitur. Megjithatë, mendohet se me 18 mars në Ohër do të pranohet plani nga dy palët”, thotë ai.  

Ai më tej, përmend disa nga vështirësitë që ballafaqohen dy palët nëse nuk nënshkruhet marrëveshja.  

Ndër tjera, ai përmend edhe mundësinë për thellimin e konfliktit të armatosur.  

E kundërta e planit është vazhdimi i gjendjes aktuale midis Kosovës dhe Serbisë, kuptohet në tendencë të keqësimit, deri të ndonjë konflikt i ri. UE dhe SHBA-te i kanë treguar pasojat e mos nënshkrimit të marrëveshjes.  

Në këtë kuadër për Kosovën dalin:  

1. Mos liberalizimi i vizave.  

2. Mos njohja e shtetit të Kosovës nga 5-a e UE-se.  

3. Në Këshillin e Evropës nuk pranohet Kosova.  

4. Nuk hapet perspektiva e inkuadrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.  

5.  Nuk jepen investime.  

6. Gjendja brenda vendit keqësohet.  

7. Keqësohen raportet me UE-në dhe me SHBA.  

8. Gjendja konfliltuoze me Serbinë thellohet dhe ka mundësi edhe të konfliktit të armatosur.  

Ka dhe shumë vështirësi tjera që mund te krijohen.   

Ndërsa për shtetin serb dalin:  

1. Bllokimi i integrimit të Serbisë në UE-në.  

2. Ndalen të gjitha investimet e UE-së dhe të shteteve perëndimore në Serbi.  

3. Bëhet tërheqja e investimeve nga Serbia.  

4. Humb statusi i shtetit të privilegjuar në kuadër të UE-së dhe më gjerë.  

5. Ka mundësi të vendosen sanksione ekonomike, politike dhe ushtarake ndaj Serbisë.  

6. Dalin qartë lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe me Kinën.  

7. Vërtetohet se Serbia është shkaktare e gjendjes së rëndë në Ballkan.  

Ka gjithashtu edhe pasoja tjera. Duke i ditur këto pasoja, kjo marrëveshje mund të vonohet me nënshkrim, por domosdo do të nënshkruhet edhe nga Kosova dhe edhe nga Serbia.  Mbi këtë marrëveshje do të ndërtohen marrëveshjet të veçanta implementuese të planit. Duket se për këto dy shtete nuk ka rrugë tjetër!”, përmbyll Kelmendi.  

Duhanaj: Dialogu ka marrë dinamikë të re  

Analisti Leon Duhanaj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se dialogu ka marrë një dinamikë të re, por deri te njohja duhet shumë kohë.  

Image
Leon Duhanaj

“Çështja e dialogut, kohëve të fundit ka marrë një dinamikë të re dhe se siç duket, pas deklarimit të palëve rreth propozimit franko-gjerman, duket që do të kemi një marrëveshje.  

Megjithatë që të vije deri tek marrëveshja përfundimtare, me njohje reciproke, duket që do të shkoj edhe ca kohë, përkatësisht vite. Kjo ndoshta edhe për faktin që ne si Kosovë akoma nuk po dimë t'i lexojmë mesazhet nga çarqet ndërkombëtare, përkatësisht miqtë tanë, ose po i keqkuptojmë ato qëllimshëm. Një gjë duhet ta kemi të qartë, se sa me shumë prolongohet procesi i dialogut, aq me e rehabilituar do të jetë Serbia dhe aq me i madh do të jetë kompromisi ynë”, thotë ai.  

Duhanaj kritikon Kurtin, për të cilin thotë se më parë ka kundërshtuar çdo proces.  

“Siç po shihet tani edhe nga Kurti, i cili s’ka lënë dy gurë bashkë duke kundërshtuar e penguar çdo proces, tashmë është pajtuar dhe se nuk po i pengon aspak lëshimi pe. Atëherë do e pyesja, pse more burrë i dheut, e bëre gjithë atë nam, duke përçarë çdo të dytin qytetarë? A veç për  të ardhur në karrigen e pushtetit që të nënshkruar çdo gjë që ke kundërshtuar madje edhe me keq?!”, shprehet ai.  

Në fund, deklaron se shtetet e QUINT-it, e kanë humbur durimin dhe do të jenë ato që do të insistojnë në marrëveshje mes dy vendeve.  

“Tani, shtetet e QUINT, duket ta kenë humbur durimin, e atë posaçërisht me ne dhe, nuk do të lejojnë të sorollatemi duke luajtur "patriotin" por do të insistojnë të ketë marrëveshje, por që e njëjta, për t'u bërë përfundimtare, do të shkojë edhe do kohë, të paktën deri pak para aderimit të rajonit në BE.  

Bazuar në pozicionet e tanishme, Serbisë do t'i kushtëzohet aderimi në BE me njohjen e realitetit Kosovar, tani se a do mbetet ky disponim apo mund akoma të ndryshoj, do ta tregoj vetë koha, por që çdo vonesë për ne shkon në disfavor”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat