“Kurti i vendosur për Asociacionin, Serbia në pozitë të vështirë” - zbulohet loja që do ta luajë Vuçiq sot në Ohër

Politika

“Kurti i vendosur për Asociacionin, Serbia në pozitë të vështirë” - zbulohet loja që do ta luajë Vuçiq sot në Ohër

Nga: A.Zhushi Më: 18 mars 2023 Në ora: 09:36
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se në takimin e sotëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, mund të diskutohet çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe “me durim dhe vullnet të mirë”.

Megjithatë, kryeministri Kurti përkujtoi se kjo çështje nuk e ka kaluar testin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Nuk e mohoj Asociacionin që është një dakordim paraprak, mirëpo në anën tjetër nuk mund ta nxjerrim siç themi ne “qeren para kalit” dhe duhet ta kemi parasysh se marrëveshja e Asociacionit nëse është e veçantë, është e veçantë në kuptimin që nuk e kaloi testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

Marrëveshja më e dashur e tyre për të cilën insistojën dhe trumbetojnë gjithandej, në njërën anë nuk e ka kaluar Gjykatën Kushtetuese në Kosovë si test dhe në anën tjetër është shkelur prej vet atyre. Por unë besoj se të gjitha këto gjëra duhet t’i diskutojmë me durim, me përqendrim dhe gjithashtu me vullnet të mirë për të gjetur zgjidhje në dialogun në vijim, përfshirë sidomos takimin në Ohër ”, ka thënë kreu i ekzekutivit të Kosovës.

Të vendosur për temën e Asociacionit, Kurtin e sheh profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi. Për gazetën “Bota sot”, analisti politik ka përkujtuar kushtin e opozitarëve në Kosovë, për ta përkrahur Kurtin lidhur me marrëveshjen bazuar në planin franko-gjerman.

“Kurti duket i vendosur në pikëpamjen e tij sa i përket Asociacionit, por duhet kujdes edhe në çështjet e tjera, të cilat në thelb nuk janë të kontestuara dhe nuk ka pse të kontestohen. Kurti ka kundërshtarë sa i përket vendimit të tij në këtë rast. Duket qartë se opozita e kushtëzon nënshkrimin me njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Projekti i marrëveshjes nuk e parasheh këtë aksiomë”, është shprehur Bytyçi.

Ai ka shpjeguar se si qëndrimi i partive opozitare, do ta bëjë kryeministrin Kurti më të kujdesshëm për dialogun me Serbinë.

“Sigurisht që opozita është në të drejtën e saj të mbajë një qëndrim më radikal ndaj kësaj çështjeje, edhe pse ka marrë porosinë nga ndërkombëtarët që “të mos bëjë opozitë me dialogun”! Por, unë mendoj se kjo thjesht e bën kryeministrin të jetë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm. Pra, ky qëndrim, edhe pse mbahet nga pozitat e luftës politike për pushtet, mendoj se është i dobishëm”, ka thënë më tej profesori.

Ai vlerëson se presidenti serb, ka më shumë kundërshtarë se sa kryeministri i Kosovës, për nënshkrimin e marrëveshjes. Ndërsa, duke komentuar zërat se Vuçiqin mund ta vrasin nëse e nënshkruan marrëveshjen në Ohër, Enver Bytyçi, ka thënë se kjo është një strategji e presidentit serb për të forcuar pozitën në dialog.

“Aleksandar Vuçiq ka më shumë kundërshtarë, sesa zoti Kurti. Sepse, skena politike në Beograd është e polarizuar në pro-ruse dhe deri diku pro-perëndimore, më saktë evropiane. Nisur nga kjo skenë, është thënë se zotin Vuçiq do ta vrasin rusët, nëse nënshkruan këtë marrëveshje. E shoh se Rusia nuk është entuziaste për nënshkrimin e projektit franko-gjerman.

Sepse presidenti Putin kërkon që ta mbajë Kosovën dhe konfliktin me Serbinë si nyje që ndihmon në zgjerimin e konfliktit në Ballkan. Por, nuk besoj se rusët e vrasin Aleksandar Vuçiqin. Publikimi i këtij lajmi ka të bëjë me strategjinë e Vuçiqit për të forcuar pozitat e tij në dialog. Për ta justifikuar atë në kundërshtitë e tij për ta pranuar projektin në fjalë. Për t’ia forcuar pozitat në shoqërinë serbe. E pse jo, edhe për të paralajmëruar se ai “nuk është në muaj mjalti” në miqësinë e tij me presidentin rus. Pra, kjo është thjesht një shou, të cilin presidenti i Serbisë e ka përdorur si alibi edhe herë të tjera”, ka potencuar ai.

Profesori në fund ka vlerësuar se “pozicioni i Serbisë është tashmë i vështirë”.

“BE dhe SHBA nuk mund të presin gjatë dhe të durojë lojërat e politikës së Beogradit, në stilin “edhe te nëna të jem, edhe burrin ta kem”! Megjithatë këtë lloj loje Vuçiq do të përpiqet ta luajë deri në fund”, ka shtuar ai për gazetën. /Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat