Çka pas Ohrit? Analistët numërojnë humbjet dhe përfitimet e Kosovës – ja kur mund të arrihet marrëveshja finale

Politika

Çka pas Ohrit? Analistët numërojnë humbjet dhe përfitimet e Kosovës – ja kur mund të arrihet marrëveshja finale

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 mars 2023 Në ora: 18:14
Pamje nga takimi i 18 marsit në Ohër.

Pas 10 orë bisedimesh, të shtunën më 18 mars përfunduan takimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e kreut të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell.

Nga ky takim Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se të dy vendet “janë dakorduar për t'i respektuar të gjitha pikat e propozimit evropian dhe se do t'i implementojnë të gjitha”.

Bashkimi Evropian publikoi në formë të shkruar marrëveshjen/planin e zbatimit që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq.

Marrëveshja verbale e Ohrit zgjoi reagime të shumta, madje edhe dyshuese në Kosovë dhe Serbi, kurse perëndimi e mirëpriti atë.

Kurti dhe Vuçiq ranë dakord më 18 mars për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, nga distanca Serbia nuk ka shprehur vullnet për respektimin e marrëveshjes.

Qarri: Serbia nuk mori kurrfarë përgjegjësie obligative mbi vete

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai rendit tri gjëra të cilat ndodhën në takimin mes Kurtit dhe Vuçiq, duke mos i cilësuar edhe të lehta për Kosovën.

“Pavarësisht faktit që nga Bashkimi Evropian u tha sikur në Ohër është arritur dakordimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, Vuçiqi duke mos nënshkruar asgjë, as kësaj radhe dhe dakorduar vetëm gojarisht me propozimin e BE-së, sipas mendimit tim, me këtë lloj taktizimi meskin, ai arrit tri goditje aspak të lehta për Kosovën.

Nën një, ai në koordinim me ndihmën e ndërmjetësuesve euro-amerikan, arriti ti imponinojë Kosovës ngritjen edhe defakto të "zajednicës", që për popullin e Kosovës ishte dhe mbetet akt "non grata"!

Nën dy, Serbia nuk mori kurrfarë përgjegjësie obligative mbi vete, për implementimin e asnjë marrëveshje në dobi të Kosovës.

Dhe nën tre, Vuçiq serish parandaloi (mjerisht me sukses) njohjet e reja të shtetit të Kosovës nga pesë vendet mos-njohëse të BE-së, të cilat vazhdojnë të arsyetohen se ende nuk ka marrëveshje të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.

Takimi i 18 marsit, vazhdimësi e takimit paraprak më 27 shkurt

Më tej, analisti thekson që BE e ka cilësuar takim të suksesshëm mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo ishte vetëm një storie e vazhdimësisë së takimit në Bruksel, ku pala serbe ka arritur serish të manipulojë me mjeshtri.

“Kështu që, megjithëse Bashkimi Evropian takimin e 18 marsit në Ohër, të zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy shteteve, e ka klasifikuar si takim të suksesshëm, vërtetësinë e këtij deklarimi, do ta dëshmojë vetëm koha dhe zhvillimet e mëtejme, në hapat e zbatimit dhe implementimit të marrëveshjeve të dakorduara, pasi që edhe kësaj radhe ka mendime të ndryshme, rreth asaj se çfarë marrëveshje në fakt është arritur. Përndryshe takimi në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, njëjtë si me 27 shkurt, ishte vetëm një storie e vazhdimësisë së takimit në Bruksel, ku pala serbe ka arritur serish të manipulojë me mjeshtri. Në fakt takimi në Ohër ndodhi pas dakordimit në kryeqendrën e BE-së, që propozimi evropian të pranohet me të 11-t pikat e rreshtuara në planin franko-gjerman, me ç’ rast, të gjitha vendet që e kanë mbështetur Kosovën gjatë rrugëtimit të saj si shtet i pavarur, kanë shprehur bindjen se në rast të pajtimit, marrëveshja në Ohër do t’i sjellë benefite Kosovës dhe rajonit”, shpjegon analisti.

Gjithashtu Qarri përmend deklaratën e ambasadorit Hovenier duke thënë që ShBA-ja do ti përtërijë përpjekjet dhe të rris masivisht aktivitetin për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, apo NATO.

“Kurse ambasadori amerikan, z. Hovenier, ka qenë edhe më konkret, në këtë drejtim, duke deklaruar se nëse Kosova tregohet palë konstruktive dhe kontribuon në arritjen e dakordimit për zbatim të propozimit evropian, ShBA-ja do ti përtërijë përpjekjet dhe rris masivisht aktivitetin për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, apo NATO, akt që shteti ynë i brishtë e ka vizion dhe aspiron në vijimësi.

Përfitimi tjetër, sipas asaj që thuhet në deklaratat publike, për Republikën e Kosovën, është se pas këtij dakordimi, Serbia obligohet që të mos e kundërshtojë më, si deri më tani, anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thotë ai.

Në bisedë e sipër, Qarri përmbylli duke thënë që përveç përfitimeve kualitative, Kosova ka marrë për obligim edhe definimin e çështjes së kishave ortodokse dhe formimin e Asociacionit, por jo si ngrehinë një etnike serbe.

“Por me këtë rast duhet cekur se, përveç përfitimeve kualitative të Kosovës nga marrëveshja e dakorduar gojarisht, si pranimi i tërësisë territoriale, kufijve të vendit tonë , simboleve shtetërore, vulave doganore të Republikës së Kosovës, diplomave dhe dokumenteve tjera zyrtare, Kosova ka marrë për obligim edhe definimin e çështjes së kishave ortodokse dhe formimin e Asociacionit, por jo si ngrehinë një etnike serbe.

Një asociacion multietnik të ashtuquajtur të vetmanaxhimit të komunave të banuara me shumicën e pjesëtarëve nga pakica serbe dhe pakicat tjera, ku përfshihen edhe territore të caktuara me popullsi shqiptare, si njëra nga çështjet më të diskutueshme dhe trashëgimia më e keqe, nga qeveritë e kaluara. Megjithëse tani me ndryshim të emrit dhe vetëm në bazë të parimeve kushtetuese të Kosovës, me ç` rast ndërmjetësuesit e BE-së, i kanë ofruar Qeverisë së Kosovës, 15 modele evropiane të trajtimit të pakicave, pjesë të të cilave do të mund të aplikoheshin në rastin e Kosovës”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Haziri: Kosovës, kjo marrëveshje i hap dyert në procesin e integrimeve evropiane

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që takimi në Ohër është hapë i mirë për shtensionimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij një marrëveshje finale mund të ndodh pas fitores së Perëndimit ndaj Rusisë.

“Takimi i Ohrit në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-ë dhe përkrahjen e fuqishme nga SHBA-ja, që për epilog patë dakordimin e një marrëveshje publike për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për çfarë edhe ishin marrë vesh në Bruksel më 27 shkurt. Natyrisht se nuk është historike, por është një hapë i mirë për shtensionimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë e gjithashtu është një hap drejtë marrëveshjes finale e cila do të ndodhë në një periudhë më të favorshme ku Kosova dhe Serbia do ta njohin njëra-tjetrën edhe de jure. Dhe si duket kjo periudhë do të jetë pas fitores së perëndimit ndaj Rusisë në luftën që po vazhdon të zhvillohet në Ukrainë si shkak i agresionit rus, por edhe më arritjen e fazës finale të integrimeve evropianë të Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Haziri në fund u shpreh që kjo marrëveshje i hap dyert në procesin e integrimeve evropiane, siç është anëtarësimi në KE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

“Natyrisht se kjo marrëveshje nuk është më e mira, por gjithsesi më e mundshmja që përmban edhe përfitimet për Kosovën dhe po ashtu edhe për Serbinë. Sa i përket Kosovës, kjo marrëveshje i hap dyert në procesin e integrimeve evropiane, siç është anëtarësimi në KE dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe shpresoj edhe një kthim të normalitetit dhe forcimit të marrëdhënieve me SHBA, që është aleati ynë më i rëndësishëm strategjik. Sa i përket asociacionit të Komunave me shumicë serbe, tani quajtur si "Vetë- menaxhim", përpos emrit, dallimi tjetër është se statuti i këtij "Vetë-menaxhimi" nuk do ti nënshtrohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese ashtu siç ishte me marrëveshjen e vitit 2015 dhe tani cilat do të jenë kompetencat e tij, mbetët për tu parë me fillimin e hartimit të këtij statute”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat