“Cili është Isa Mustafa i vërtetë?”/ Haziri reagon fuqishëm: Në Speciale është i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemail Mustafës

Politika

“Cili është Isa Mustafa i vërtetë?”/ Haziri reagon fuqishëm: Në Speciale është i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemail Mustafës

Nga: Petrit Rudi Më: 30 mars 2023 Në ora: 22:11
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Të dielën në Kosovë do të mbahet “Marshi për Drejtësi”, marsh ky në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët, nga Gjykata Speciale akuzohen edhe për vrasjen e shqiptarëve, anëtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

E në mbështetje të këtij marshi, përveç disa partive dhe organizatave të ndryshme në Kosovë, sot ka dalë edhe ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ani pse dikur ishte pikërisht Mustafa që i akuzonte për vrasjen e anëtarëve të LDK-së Thaçin, Veselin e strukturën e ShIK-ut.

“Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim! Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidarë sot me të gjithë ata që kontribuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi! Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi”, ka shkruar Isa Mustafa në reagimin e tij në facebook.

Por kundër këtij marshi ka dalë analisti politik, Nexhat Haziri, sipas të cilit, ky marsh po organizohet më shumë për poenë politikë nga PDK-ja.

“Drejtësia nuk bëhet përmes rrugëve, protestave dhe marsheve, por përmes sistemit të drejtësisë, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar nga politike, dhe mungesa e saj është rezultat i themelimit të Gjykatës Speciale, pra një domosdoshmëri. Marshi i së dielës, gjoja në emër të drejtësisë, i thirrur nga PDK-ja dhe mbështetur nga të gjitha subjektet politike të ashtuquajtura "krahu u luftës", është diçka që bëhet nga PDK-ja më shumë për poenë politikë dhe për ta ngritur rajtingun e saj politik, se sa që ka ndonjë ndikim në punën e Gjykatës Speciale, e cila është gjykatë që është themeluar nga vet Kosova”, shprehet Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Siç thotë ai, ndërhyrja në drejtësi e dëmton rëndë imazhin e Kosovës.

“Kjo nuk është një imazh i mirë i politikës, pasi ndërhyrja në drejtësi dëmton Kosovën në sytë e opinionit ndërkombëtar, një gjë që nuk duhej të ndodhte. Ata që e kanë përcjellur procesin gjyqësor në të cilin është dënuar Sali Mustafa i ashtuquajturi Komandant Cali dhe tani procesi që po zhvillohet ndaj Pjetër Shalës, atëherë çdo qytetar në vendin tonë e kupton se e rëndësishme është drejtësia për një shoqëri normale e që ka ambicie për integrime euro-atlantike”, thekson Haziri.

Ani pse nuk e përmend me emër, Haziri deklaron se në Gjykatën Speciale është i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemail Mustafës dhe vrasjet tjera që kanë ndodhur në LDK.

“Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës si vend demokratik, ku sundon rendi dhe ligji pa zbardhjen e vrasjeve politike, gjatë dhe pas periudhës së luftës, të aktivistëve dhe zyrtarëve të lartë të LDK-së, bashkëpunëtorëve të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, pasi çdo krim i pandëshkuar është rrezik potencial që ai të përsëritet. Nuk duhet harruar dhe nuk duhet të mbyllen sytë se në Gjykatën e Hagës gjendet i dyshuari kryesor për vrasjen e Xhemail Mustafës, dhe poashtu janë dosjet e shumë zyrtarëve të tjerë të vrarë të LDK-së e që duhet zbardhur, por edhe viktimave të tjera civile”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Më tej, Haziri lidhur me përkrahjen që Isa Mustafa i ka dhënë marshit të 2 prillit, thotë se kjo është një thirrje absurde.

“Ndërsa sa i përket asaj që ish-kreu i LDK-së Isa Mustafa i ka dhënë mbështetje protestës së të shtunës, është absurde pasi vet Mustafa sa ishte aktiv në politikë dhe në krye të LDK-së kërkonte zbardhjen e vrasjeve të Kol. Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhamajl Mustafës, Shaban Manajt, Smajl Hajdarajt e të tjerëve. Dhe të gjithë këta dhe të tjerët nuk i ka vra "reja", ashtu sic nuk e ka vra "reja" gazetarin Ismail Berbatovcin, Shefki Popovën, Ismet Rracin e të të tjerë, por janë vra për qëllime politike dhe për pushtet. Andaj nuk e di kur ka qenë i vërtetë z. Mustafa, atëherë kur kërkonte zbardhjen e vrasjeve politike, apo tani kur jep mbështetje një proteste që ka për qëllim ndërhyrje në drejtësi”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat