Vuçiqi i padëshirueshëm, nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë - Kurti inkurajohet që të mos ndryshojë mendje!

Politika

Vuçiqi i padëshirueshëm, nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë - Kurti inkurajohet që të mos ndryshojë mendje!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 prill 2023 Në ora: 16:06
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se në muajin qershor do ta vizitojë Kosovën.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do ta lejojë këtë vizitë me arsyetimin se në rrethanat aktuale Vuçiq nuk do të ishte i dëshiruar në Kosovë, pasi i ka mohuar krimet e luftës.

Unë nuk kam marrë asnjë kërkesë për një vizitë të tillë dhe duke pasur gjendjen rrethanat në të cilat ndodhemi ai nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë dhe mbase kjo është arsyeja se ai që më shumë se dy vjet nuk e bën këtë kërkesë.

Nëse keni parasysh që personi thotë që masakra e Reçakut është fabrikim dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës. Natyrisht që nuk do t’i japë leje.” – ka thënë Kurti ndër të tjera.

Ai tutje duke ironizuar duke thënë: “Mbase më mirë të bëjë kërkesën, por pasi që e thashë këtë ai nuk do ta bëjë fare kërkesën”.

Në rrethanat aktuale, kur Kosova gjendet në fazën e përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, një vizitë e tillë nga analistët po konsiderohet si tendencioze.

Ata e inkurajojnë kryeministrin Kurti që të vazhdojë të mbajë qëndrimin e njëjtë deri në qershor dhe të ndalojë ardhjen e Vuçiqit në vendin tonë.

Ahmeti: Kryeministri Kurti duhet ta mbajë këtë qëndrim edhe nëse do të ketë presion ndërkombëtar për të lejuar një vizitë të tillë

Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai u shpreh se vizitat e zyrtarëve të shteteve të tjera janë të rregulluara me ligj, mirëpo vizita e Vuçiqit është me tendecë politike dhe me të drejtë mund të refuzohet.

Vizitat e zyrtarëve të shteteve tjera janë të rregulluara me ligj, të cilat kërkojnë procedura të caktuara, por në bazë të qëllimit të vizitës dhe arsyetimit të saj mund të lejohen apo refuzohen . Por çështja në fjalë e vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq , më shumë mund të shihet si vizitë më tendenca politike dhe, me plotë të drejtë edhe mund të refuzohet”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që Vuçiq do ta shfrytëzonte këtë vizitë duke përdorur propaganda politike.

Kryeministri Kurti duhet ta mbajë këtë qëndrim edhe nëse do të ketë presion ndërkombëtar për të lejuar një vizitë të tillë. Në kushte normale, atëherë kur vizitat janë të domenit tjetër nuk do të kishte arsye të refuzonte një kërkesë të tillë. Por pa pikë dyshimi, zoti Vuçiq do ta shfrytëzonte këtë vizitë duke përdorur propaganda politike, të cilat do të nxisin komunitetin serb që jeton në Kosovë për të injoruar institucionet e Republikës së Kosovës”, shpjegoi ndër të tjera ai.

Ndërsa për ndërkombëtarët analisti thotë që ata e dinë që tashmë vizitat e tyre arrijnë vetëm të sjellin propagandë politike.

Edhe ndërkombëtaret nëse do të ishin të arsyeshëm nuk do të do bënin një presion të tillë, pasi përvoja me këto vizita të zyrtarëve të lartë serb na ka mësuar se propaganda e tyre politike më shumë ndikon në dez-integrimin e komunitetit serb se sa në integrimin e tyre”, tha Ahmeti për “Bota sot”.

Burjani: Duhet të ketë marrëveshje në mes palëve për të ndodhë vizitat pa probleme

Ndërsa juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, thotë që nuk duhet të ketë tensione mes raporteve të Kosovës dhe Serbisë.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij duhet të ketë marrëveshje mes dy palëve që vizitat të ndodhin pa probleme,

Mendoj se ende nuk ka shtensionim të gjendjes politike, dhe relaksim të raporteve Kosovë -Serbi andaj ende ka kohë për të aranzhuar vizita, kjo duhet të jetë reciproke edhe kryeministrit Kurti duhet të i lejohet vizita në Luginë të Preshevës. Mendoj se duhet të ketë marrëveshje në mes palëve për të ndodhë vizitat pa probleme dhe pa leje reciproke duhet të fillohet zbatimi i marrëveshjes për çka palët janë zotuar ende nuk dihen sjelljet e Serbisë në këtë drejtim as marrëveshjet e vjetra që do të zbatojnë ku hynë targat dhe plotë marrëveshje tjera që nuk i kanë zbatuar qe 11 vjet e më shumë”, u shpreh ai.

Juristi më tej thekson që duhet të ketë një protokoll për këtyre vizitave që të mos ketë fushata armiqësore.

Mirë është palët të kenë mundësi të lirë të vizitave të pakicave që kanë, pra edhe Kurti duhet të ketë mundësinë e lirë kur të dojë të vizitojë por nuk mund të shfrytëzojnë vizitat për të ngre zëra nacionalistë dhe destabilizues. Pra duhet të ketë një protokoll të këtyre vizitave që duhet të jenë miqësore në mes dy vendeve por jo armiqësore dhe për të bërë fushata apo marketing zgjedhor në frymën nxitëse dhe nacionaliste apo shoveniste, dhe diskriminuese”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat