“Me Milatoviçin do të harrohet tema e Demarkacionit”- Zgjedhja e Presidentit të ri të Malit të Zi dhe raporti me Kosovën

Politika

“Me Milatoviçin do të harrohet tema e Demarkacionit”- Zgjedhja e Presidentit të ri të Malit të Zi dhe raporti me Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 prill 2023 Në ora: 18:10
Jakov Milatoviç

Në Mal të Zi, ish-ministri i Ekonomisë, Jakov Milatoviç ka fituar qartë zgjedhjet e balotazhit për president.

Kandidati 36 vjeçar i partisë “Europa tani” ka arritur të marrë 60% të votave.

Ndërsa Milo Gjukanoviq arriti të marrë vetëm 40% të votave. 61-vjeçari e uroi në natën e zgjedhjeve pasuesin e tij.

Me humbjen e zgjedhjeve presidenciale nga Gjukanoviq merr fund një epokë në Malin e Zi, në të cilën presidenti aktual ka përcaktuar në masë të madhe politikën e shtetit të vogël ballkanas. Në vitin 2006 Gjukanoviq e pavarësoi Malin e Zi si pjesë të ish-republikës jugosllave dhe në vitin 2017 ia doli të anëtarësojë Malin e Zi në NATO.

Kujtojmë që gjatë ditës së sotme presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, përshëndeti çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që është në të mirë të dy palëve.

Po ashtu, ai tha se nuk është reale të pritet tërheqja e njohjes së Kosovës.

"Ne mbështesim gjithçka për të cilën do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon, dhe Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë që do të promovojë marrëdhënie të mira fqinjësore", tha ai.

Zgjedhja e Milatoviç nuk është mirëpritur në Kosovë, politikat e tij po konsiderohen më shumë si pro-serbe.

Kelmendi: Jakov Milatoviç është zgjedhja më e keqe në Mal të Zi

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se do të ketë ndryshime si brenda ashtu edhe jashtë vendit (Malit të Zi).

Sipas tij, në raportet e jashtme do të keqësohet pozita e Malit të Zi në raport me UE-në dhe me NATO-në

“Zgjedhjet në Malin e Zi përfunduan. Fitoi serbi 36 vjeçar i partisë “Europa tani”, Jakov Milativiç, kundruall Gjukanoviqit malazez. Në politikë do të kemi ndryshme të dukshme si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Brenda vendit do të ketë ndryshme në organizimin politike dhe në të drejta të ndryshme. Do të bëhen kufizime të drejtave nacionale në llogari të kombit serb. Në raportet e jashtme do të keqësohet pozita e Malit të Zi në raport me UE-në dhe me NATO-në”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thotë që raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi do të keqësohen.

“Me Kosovën do të keqësohen raportet dhe ndoshta edhe njohja do të pasivizohet. Raportet me Serbinë thellohen. Mali i Zi do të futet si anëtare i ri në “Ballkanin e Hauptur”. Mali i Zi do të bëjë atë që vendoset në Beograd. Për demarkacion as që ka vend me këtë President të diskutohet. Fitorja e Jakov Milatoviçit është humbja më e madhe për shtetin. Me atë do të keqësohen raportet dhe gjendja e lirive dhe të drejtave në Mal te Zi do të keqësohet”, përmbylli ndër të tjera Kelmendi për “Bota sot”.

Duhanaj: Nuk mendoj që do të ndryshojë politika malaziase

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ndryshime do të ketë mirëpo që nuk do të jenë rrënjësore.

Sipas tij, lufta në Ukrainë po arrin të sjellë ndryshime në qasjen ndërkombëtare.

“Ndryshimet në skenën politike të Malit të Zi, nuk mendoj që mund të konsiderohen si diçka rrënjësore, apo revolucionare. Kjo pasi që tashmë ish Presidenti Gjukanoviq ka me shumë se 3 dekada që është në pushtet dhe se pa marrë parasysh sa i mirë të ketë qenë, vet pushteti kaq i gjatë konsumon çdo politikan. Në anën tjetër, lëvizjet e reja politike sot, duket konsideruar shumë me ndryshe se ç' ishin ditë më parë me zgjedhje e Jakov-it.. Për arsye se, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, kemi ndryshime rrënjësore të qasjes ndërkombëtare karshi zhvillimeve gjeopolitike në regjionin e ballkanit perëndimor”, tha analisti.

Nga ana tjetër Duhanaj shton që nuk beson në ndryshime mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Pa e marrë parasysh bazën e vullnetit të presidentit të ri për orientim gjeopolitik, mendoj që hapësira manovruese e tij është tejet e kufizuar dhe atë në drejtim europian. Në ketë kontekst, nuk mendoj që ndryshimi në politikën malaziase do të reflektoj shumë edhe në qasjen, apo orientimin, sepse edhe vetë Serbia ka premisa ndryshimi, duke qenë se nuk ka rrugë tjetër. Në anën tjetër, për ne si Kosovë dhe shqiptarë, nuk ndryshon asgjë. Ne duhet të mbajmë raporte të mira fqinjësore duke u kujdesur për interesat e shqiptarëve në Mal të Zi në mënyrë që të kenë hapësirë të barabartë në jetën publike e institucionale me malazezët”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat