Gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit/ Sinjalet e para – nis zbulimi i vrasjeve politike

Politika

Gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit/ Sinjalet e para – nis zbulimi i vrasjeve politike

Nga: P.R Më: 5 prill 2023 Në ora: 21:34
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Gjykimin e nisur në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasnuqit, të cilët Gjykata Speciale i akuzon edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të LDK-së, ish bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj thotë së nëse vertetetohen akuzat e Prokurosisë, atëhërë kjo do të jetë njolla më e zezë në historinë shqiptare.

“Fillimi i gjykimit në Hagë dhe paraqitja e prokurorisë me një mal akuzash e sidomos atyre pretendimeve se kanë kryer krime kundër veprimtarëve të LDK-së, ishte vërtetë, vërtetë e dhimbshme por edhe e turpshme. E dhimbshme për familjarët e bashkëveprimtarët e viktimave, e turpshme para opinionit ndërkombëtar. Si ka mundësi që një grup shqiptarësh (ndërmarrje e përbashkët kriminale, siç po i quan prokuroria), të vrasin, rrahin, torturojnë, masakrojnë shqiptarët me bindje tjera politike. Vetëm e vetëm pse ishin veprimtarë të LDK-së, parti që e udhëheqte Presidenti Rugova. Nëse prokuroria arrin t’i dëshmojë të gjitha këto me fakte dhe dëshmitarë, atëherë do jetë njolla më e zezë në Historinë tonë, e cila asnjëherë nuk do shlyhet”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, më nisjen e gjykimit në Hagë, më në fund po jepen sinjale se do të zbulohen vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Të gjitha ato pretendime të prokurorisë për vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së, shtuan shpresën te familjarët e viktimave se më në fund enigma do të zgjidhet dhe drejtësia do vihet në vend. Të gjitha këto zhvillime në fillimin e gjykimit të të dyshuarve, janë një sinjal i mirë se po shkohet drejt zbulimit të së vërtetës, se kush dha urdhër për ekzekutim dhe kush ishin ekzekutorët. Jam goxha i bindur se prokuroria do e nxjerrë të vërtetën në shesh dhe Kosova do lirohet njëherë e përgjithmonë nga kjo barrë e rëndë që po e robëron tani e 23 vite. A ka torturim më të madh se sa ky që përjetuan familjarët e viktimave gjatë kësaj periudhe të gjatë kohore?”, shprehet Tahiraj.

Ai thotë se të akuzuarit po përpiqen t’i ikin përgjegjësisë komanduese që kanë pasur.

Image
Saim Tahiraj

“Strategjia e palës mbrojtëse për mua ishte turpëruese, sepse përpiqej që të ikej nga përgjegjësia e zinxhirit komandues dhe t’i lihej komandantëve të zonave. Kur ishte puna me marrë meritat dhe lavdin e luftës, vetëm këta me atë far shtabin e tyre ishin në ballë dhe askush tjetër, kurse tani përpiqen t’i largohen përgjegjësisë me çdo kusht. Kjo është ligësi e madhe, mos u bëni kaq burracakë, pranoni edhe përgjegjësitë komanduese siç i uzurpuat meritat dhe lavdinë për luftën. Ata "luanët" e mëdhenj që deri dje ishin të plotfuqishëm, të paprekur, mbi ligjin dhe shtetin, sot në Hagë u bënë pula, të urtë, demokratë, engjëj, madje iu vinte keq pse nuk ishte Presidenti Rugova dhe profesor Agani për të dëshmuar për "pafajësinë" e tyre”, deklaron Saim Tahiraj.

Për fund, ai thotë se Thaçi, Krasniqi e Selimi kanë hedhur edhe akuza në drejtim të njëri-tjetrit, lidhur me komunikatën 59, komunikatë kjo e shkruar kundër Gani Gecit, ish luftëtar i UÇK-së dhe ish deputet i LDK-së.

“Kur i akuzonin për tradhtarë, se do të dënohen me ligje të luftës, për një çast i harruan të gjitha dhe sot po ju vjen keq se nuk janë për të dëshmuar për "pafajësinë" tuaj, vërtetë, vërtetë shumë e ligë, shumë e ulët! Ata shkuan edhe më larg, filluan ta akuzojnë njëri tjetrin për komunikatën 59, sa e ulët ishte kjo! U dasht të pritet 23 vite që e vërteta e komunikatës 59 të dali në shesh. Athua a e dinë këta horra se sa pasojat i përjetoi familja Geci nga ajo komunikatë e turpshme? Uroj që ky proces gjyqësor të shkojë mirë, ashtu siç ka nisur, pavarësisht presioneve të ndryshme si; protestat në Kosovë dhe Hagë, sulme të ulëta nëpër shumë studio televizive, sulme publike të politikanëve të shitur dhe atyre të manipuluar”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat