“Në Speciale po gjykohen individët, jo UÇK-ja”- Tendencat për njollosjen e UÇK-së në emër të mbrojtjes së komandantëve, analistët japin një porosi

Politika

“Në Speciale po gjykohen individët, jo UÇK-ja”- Tendencat për njollosjen e UÇK-së në emër të mbrojtjes së komandantëve, analistët japin një porosi

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 prill 2023 Në ora: 08:44
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi

Gjykata Speciale me seli në Hagë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, siç thuhej për ‘pastrimin’ e UÇK-së.

Nga kjo gjykatë ka pasur edhe dënime për ish-krerët e UÇK-së, si ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, thuhej në vendim.

Po ashtu, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar edhe Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Kurse, tani pas më shumë se dy vjetësh që nga konfirmimi i aktakuzës, në Hagë nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Në ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që thuhej se kishte për shënjestër kundërshtarët, përfshirë këtu ata që i konsideronte “tradhtarë”, “kolaboracionistë” e mbështetës dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë që Gjykimi në Hagë po vijon, në Kosovë ka shpërthyer një debat lidhur me çështjen e “vrasjeve të kundërshtarëve politik”, që është pjesë kryesore e akuzave të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në kohën e themelimit të Gjykatës Speciale, themeluesit e saj do të deklaronin se kjo gjykatë do t’i hetojë dhe gjykojë individët që mund të kenë bërë ndonjë gabim gjatë luftës apo t’i kenë shkelur ligjet e luftës, ndërsa tani ka një tendencë propaganda që këtë gjykatë t’ia mveshin UÇK-së si tërësi.

Elezaj: Në asnjë mënyrë nuk mund të njolloset dhe as të zhvlerësohet lufta e shenjtë e popullit shqiptar në Kosovë për liri dhe pavarësi

Image
Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka thënë se kjo është tendencë për ta gjykuar UÇK-në, si në kohën e UNMIK-ut, kur në Kosovë janë mbajtur proceset gjyqësore dhe dënimi ndaj disa ish komandantëve të zonave ushtarake të UÇK-së, siç ishte zona e Drenicës, Llapit, Dukagjinit.

"Tendencat për ta identifikuar procesin gjyqësor në Hagë ndaj katër ish udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, i cili ka filluar, si një gjykim ndaj vetë UÇK-së, një tendencë e tillë në opinionin shqiptar është shfaqur qysh në kohën e UNMIK-ut, kur në Kosovë janë mbajtur proceset gjyqësore dhe dënimi ndaj disa ish komandantëve të zonave ushtarake të UÇK-së, siç ishte zona e Drenicës, Llapit, Dukagjinit, etj.

Pra, qysh atëherë në opinion tonë është shfaqur tendenca, që proceset gjyqësore ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së, të vlerësohen, jo si gjykim ndaj individëve, por si gjykim ndaj vetë UÇK-së, tendencë kjo e cila ka qenë prezente në disa qarqe brenda opinionit kosovar, siç është dëgjuar hapur qëkur në Hagë u morën në paraburgim katër ish krerët e UÇK-së.

Sido që të jetë, tendencat dhe akuzat ndaj proceseve gjyqësore që janë mbajtur si dhe sikur ky që po ndodhë aktualisht në Gjykatën speciale për Kosovën në Hagë, ndaj katër ish udhëheqësve në fjalë të UÇK-së, duhet parë dhe analizuar nga disa kënde, e jo vetëm nga këndi shqiptar, ngase lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, nuk ka pasur karakter dhe përmasa vetëm lokale, por edhe dimension të gjerë ndërkombëtar, gjë të cilën e dëshmon vetë Konferenca e Rambujesë, e cila edhe ia hapi rrugën intervenimit ndërkombëtar të forcave të NATO-s kundër Serbisë, regjimi i të cilës po kryente gjenocid ndaj 2 milion shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë”, thotë ai.

Më tej, Elezaj deklaron se kjo Gjykatë u themelua për siç thuhet pastrim të UÇK-së, përderisa gjykatat vendore nuk kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë.

"Pra, shikuar nga ky këndvështrim real, del se udhëheqës të UÇK-së edhe kanë mundur të kenë bërë ndonjë keqpërdorim dhe shkelje të ligjeve të luftës, andaj nisur mu nga ky pikë-vështrim drejtësia ndërkombëtare para më shumë se 8 viteve doli me kërkesën për formimin e Gjykatës speciale për Kosovën, e cila do i verifikon faktet, se a ka pasur apo jo nga ana e udhëheqësve të UÇK-së shkelje dhe eventualisht krime të luftës, duke marrë për bazë faktin, se gjykatat vendore të Kosovës nuk arritën që këtë verifikim, gjegjësisht këtë pastrim të luftës ta bëjnë pa emocione dhe sipas ligjeve të luftës.

Madje, siç dihet ishin të parët miqtë tanë amerikanë ata të cilët e morën nismën për themelimin e Dhomave speciale për gjykimin e rasteve eventuale të keqpërdorimit dhe shkeljes së mundshme të normave të luftës, kuptohet nëse të tilla ka pasur, kërkesë kjo e cila u plotësua nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, i cili në vitin 2015 do e miraton ligjin për formimin e Gjykatës speciale për Kosovën, kësaj radhe me seli në Hagë, e jo në Kosovë, pranë faktit se kjo gjykatë ishte e Kosovës..!?

Ndërsa, shikuar nga prizmi shqiptar gjithë rrjedhën e proceseve gjyqësore që janë mbajtur ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së pranë gjykatave vendore, përfshirë këtu mbajtjen në burg dhe gjykimin në Gjykatën e Hagës për krime të luftës në ish Jugosllavi, të dy ish komandantëve të zonës luftarake të Dukagjinit dhe Drenicës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, të cilët u liruan si të pafajshëm, rezulton qartë se gjykimet ndaj tyre janë kuptuar si gjykim i padrejtë ndaj luftës sonë çlirimtare. Ndaj, mu këtu qëndron gabimi themelor i bërë në vlerësimin publik në Kosovë, se me gjykimin e udhëheqësve të UÇK-së, po gjykohet lufta e drejtë dhe e pastër e saj, e bërë kundër një armiku barbarë siç ishte Serbia.

Mirëpo, pa marrë parasysh faktin se një popull apo një ushtri bënë luftë vetëmbrojtëse, siç kemi bërë ne shqiptarët në vitin 1998/99, edhe në raste të tilla, patjetër se duhet përmbajtur ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare të luftës, verifikimin e mundshëm të shkeljes së atyre rregullave, po e bënë pikërisht kjo gjykatë këto ditë në Hagë”, shprehet Elezaj.

Në fund Elezaj thekson se ata që po gjykohen në Hagë, po gjykohen si individë për pozita që kanë pasur si udhëheqës të UÇK-së, nuk po gjykohet UÇK-ja, si forcë çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë, e cila në historinë e saj do hynë si ushtria e parë, e cila bëri luftë të organizuar kundër regjimit kriminal dhe okupues të Serbisë fashiste.

"Pra, sot në gjykatën e Kosovës me seli në Hagë, ish katër udhëheqësit e UÇK-së nuk po gjykohen “për krime të luftës”, siç janë gjykuar kriminelët serbë, Millosheviçi, Karaxhiqi, Mlladiçi, Shesheli, Pavkoviçi dhe shumë kriminelë tjerë, veçse po gjykohen si individë të cilët nga pozitat që kanë pasur si udhëheqës të UÇK-së, mund të kenë lejuar apo mund t’i kenë mbyllë sytë ndaj ndonjë veprimi, i cili ka rënë ndesh me ligjet dhe normat ndërkombëtare të luftës.

Se a kanë vepruar kështu ose jo këta katër ish udhëheqës, këtë do ta zbardhë procesi gjyqësor që ka filluar dje në gjykatën speciale për Kosovën në Hagë, dhe se cilido që të jetë rezultati, në asnjë mënyrë nuk mund të njolloset dhe as të zhvlerësohet lufta e shenjtë e popullit shqiptar në Kosovë për liri dhe pavarësi shtetërore, sado që ndonjë udhëheqës i UÇK-së mund të ketë bërë ndonjë veprim që mund të vlerësohet si krim apo si shkelje e ligjeve të luftës.

Pra, duhet ta kuptojmë njëherë e mirë, se në Hagë po gjykohen ish udhëheqës të UÇK-së, si individë për përgjegjësinë që e kanë pasur sipas hierarkisë politike dhe ushtarake, e jo UÇK-ja, si forcë çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë, e cila në historinë e saj do hynë si ushtria e parë, e cila bëri luftë të organizuar kundër regjimit kriminal dhe okupues të Serbisë fashiste. Ndaj, nuk ka gjykatë e as forcë në botë, e cila UÇK-në mund ta degradojë ose ta zhbëjë nga historia e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, derisa të ekzistojë njerëzimi në këtë botë”, përfundon Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Pas marrëveshjes së Ohrit është e mundur që Gjykata Speciale të shpallë të pafajshëm komandantët politikë të UÇK-së

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se votimi i kësaj gjykate doli në dëm të tyre.

Ai shton se si po duket Gjykata Speciale është formuar vetëm për të eliminuar nga pushteti krerët politikë të PDK-së të cilët jo që nuk shkonin rrugës diplomatike amerikane dhe evropiane, por me anë të dialogut përkulëse me Vuçiqin politikisht ushqenin apetitet serbe-ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Momenti i votimit të Gjykatës Speciale nga gishtat e deputetëve të partisë së Hashim Thaçit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës jo vetëm që ishte i dëmshëm për UÇK-në, por edhe më keq për krerët politikë të UÇK-së: Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin, deklarata e vetë Hashim Thaçit para se të votohet Specialja i cili me inteligjencën e tij naive tha, se Specialja do formohet për të gjykuar e akuzuar gabimet individuale të ushtarëve e jo UÇK-në, doli në dëm të tij e të bashkëpunëtorëve të tij. Logjika e burgosjeve të krerëve të UÇK-së na detyron të themi se SHBA-të Gjykatën Speciale e krijuan vetëm për shkak gabimeve naive politike të krerëve të UÇK-së me rastin e dialogut të shtangut e naiv në dobi të Serbisë ruse. Devijimet e paditura e jo inteligjente politike të PDK-së së Hashim Thaçit me Vuçiqin për do lloje shkëmbimesh territoresh, për do asociacione ekzekutive serbe-ruse brenda Kosovës, detyruan amerikanët që në Kosovë të krijojnë Gjykatën Speciale të Hagës jo kundër Kosovës e UÇK-së, por enkas për krerët e komandantëve politikë të PDK-së të cilët në dialog me Serbinë devijuan planet strategjike gjeopolitike amerikane duke e dërguar Kosovën me anë të Serbisë drejt Rusisë.

Si vërehet Gjykata Speciale është formuar vetëm për të eliminuar nga pushteti krerët politikë të PDK-së të cilët jo që nuk shkonin rrugës diplomatike amerikane dhe evropiane, por me anë të dialogut përkulëse me Vuçiqin politikisht ushqenin apetitet serbe-ruse në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

Tutje, ai deklaron se pas marrëveshjes në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, është e mundur që Gjykata Speciale të shpallë të pafajshëm komandantët politikë të UÇK-së: Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin, pasi më nuk do jenë të rrezikshëm ndaj politikës amerikane e evropiane.

Nuk është e rastësishme që pas marrëveshjes pajtuese e dakorduese të planit franko-gjerman të Serbisë dhe Kosovës në Ohër filloi gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë, marrëveshja e Ohrid tani më ka zgjedhur dilemat gjeostrategjike e politike të Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së e SHBA-së e jo drejtë ndryshimeve të kufijve të Thaçit dhe asociacioneve autonome të pakicave serbe nënshkruar më 2013 dhe 2015.

Marrëveshja e Ohrit pastroi dilemat e Kosovës me Serbinë, rruga e dy shteteve fqinje tani më është drejtë BE-së dhe SHBA-ve, tani e tutje BE-ja e SHBA-të nuk do kenë probleme shkëmbimesh territoresh të Thaçit dhe asociacionesh të Mustafave sipas dëshirave serbe, por do ketë modele të asociacioneve të pakicave evropiane.

Pas marrëveshjes së Ohrit është e mundur që Gjykata Speciale të shpallë të pafajshëm komandantët politikë të UÇK-së: Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin, pasi më nuk do jenë të rrezikshëm ndaj politikës amerikane e evropiane”, shprehet profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat