“Kjo është një katasrofë për Thaçin”, Bytyçi: Të rrish me Fatos Klosin e të mos ndikohesh për të bërë krime, është e pamundur

Politika

“Kjo është një katasrofë për Thaçin”, Bytyçi: Të rrish me Fatos Klosin e të mos ndikohesh për të bërë krime, është e pamundur

Nga: N. Shaqiri Më: 14 prill 2023 Në ora: 16:13
Fatos Klosi dhe Hashim Thaçi

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka filluar procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Të katër këta i përkasin Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nuk i përkasin atyre që quheshin shtabe zonale.

Kjo përkatësi ka shërbyer që njerëzit e Thaçit në Kosovë e në Tiranë ta përdorin gjyqin ndaj tyre si gjyq ndaj vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu shprehet analisti politik dhe perofesori Enver Bytyçi, i cili shprehet se taktikisht po synohet që të sensibilizohen qytetarët, me qëllim që përmes tubimeve të bëhet presion kundër gjykatës.

“Skenari që po ndiqet është më i keqi i mundshëm. Madje i sjell dëm edhe vetë atyre që janë në bankën e të akuzuarve. Se kush i ka këshilluar t’i bëjnë veprime të tilla nuk e di. Por gjykoj se është gabim i madh të nxiten shqiptarët në protesta kundër gjykatës. Ajo gjykatë është ngritur nga vetë parlamenti i Kosovës, madje me presion të madh të vetë të akuzuarit kryesor, Hashim Thaçi”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, si e tillë kjo gjykatë është legjitime.

“T’i bësh presion një gjykate legjitime të votuar nga përfaqësuesit e sovranit në Kosovë mund të shihet si përpjekje për ta paraqit shtetin dhe shoqërinë kosovare si “të papjekur për shtetndërtim”! Nuk duhet harruar se shtetësia është elementi themelor i vetëvendosjes. Nuk ka vetëvendosje kombëtare pa shtetësi”, shton ai.

Ai pohon se, nga ana tjetër edhe vënia e shenjës së barazimit midis këtyre katërve që janë në Hagë me UÇK-në është shumë e dëmshme për Kosovën.

“Serbia e eleminoi në dhomat e izolimit në Hagë Sllobodan Milosheviçin vetëm e vetëm që më dënimin e tij të mos legjitimohet përgjegjësia e shtetit dhe kombit serb. Ne, megjithëse prokurorët e gjykata thonë se UÇK është e pastër, përsëri duam ta identifikojmë kreun e UÇK-së me vëtë lirinë e Kosovës. Akuzat janë të rënda. Nëse provohen vetëm 10 përqind e tyre, atëherë Thaçi e dikush tjetër do të ngarkohen me përgjegjësi. Kjo përgjegjësi duhet të lokalizohet te këta, jo të Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, pohon profesori.

Bytyçi shprehet se Thaçi po mbrohet duke mohuar se ai ka qenë në krye të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm.

“Kjo është një katasrofë për vetë zotin Thaçi dhe të tjerët. Derisa u shpall akt-akuza në qershorin e vitit 2020 Thaçi mburrej me lidershipin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje investoi që zv. Presidenti amerikan, Joe Biden, ta cilësojë si “George Uashingtoni i Kosovës”! Investoi paratë e taksapaguesve shqiptarë për të paguar njerëz që të shkruajnë një libër lëvdatash për të. Mori në dorë pushtetin në Kosovë në emër të meritave për luftën dhe lirinë. Tani në gjykatë po thotë se nuk duhen marrë parasysh vetëlavdërimet nëpër libra, mitingje e nëpër oda të Kosovës. Kjo taktikë mbrojtje mendoj se do ta rëndojë pozitën e tij”, vlerëson ai.

Sipas tij, mbrojtja më e mirë do të ishte që të pranohet e vërteta se Thaçi ka qenë në krye të UÇK-së, por edhe se ai është ndikuar nga politikanët e Tiranës në atë periudhë, ndikim i cili e ka çuar atë në gabime serioze e madje faje.

“Të këshillohesh, të rrish 16 orë në ditë me Fatos Klosin e të mos ndikohesh prej tij për të bërë krime, është e pamundur. Aq më tepër për një djalë të ri, të papjekur politikisht e pa përvojë në administrimin e peshës që mbante”, thotë Bytyçi.

“Mendoj se është herët të thuhet e të parashikohet fajësia ose pafajësia e katër komandantëve që sot gjenden në Hagë. Megjithatë, për aq sa informacion na u dha, unë mendoj se Thaçi dhe Rexhep Selimi do të shpallen fajtorë. Ndoshta edhe zoti Krasniqi e Veseli. Por për këta dy të fundit nuk dëgjova akuzë konkrete. Nëse do të ketë në të ardhmen, nuk e di. Dëshmitarët do të jenë ata që do t’i japin ose jo legjitimitet akuzave që janë ngritur. Megjithatë besoj se akuza për krime kundër njerëzimit do të rrëzohet. Nuk besoj se ka krime të tilla. Krimet kundër njerëzimit janë krime që kryhen në masë, jo kundër individëve të caktuar. Ato janë krime që kryhen për qëllime spastrimi etnik ose fetar, thjesht për shkak të këtyre përkatësive të popullsive”, thotë profesori i cili shton se këto nuk janë kryer nga ana e të akuzuarve.

Por, sipas tij, mjafton akuza për krime lufte, që disa ose të gjithë këta të dënohen me afate të gjata.

“Nuk janë dëshmitarët që mund ta shpëtojnë Hashim Thaçin. Ai kur flet i brengosur pse nuk jeton Rugova, i cili mund ta ndihëmonte në dëshminë e tij, e bën këtë për propagandë. Sepse nuk di ndryshe. Thjesht të hedhë mjegullnajë. Por nuk është me rëndësi të intrigosh publikun për pafajësinë tënde. Me rëndësi është të mos provohen faktet që ngre akuza. Faktet që ngre akuza as i provon, as i zhbën qoftë dhe një dëshmi e presidentit amerikan, Biden. Sepse në fund të fundit politikanët e diplomatët ndërkombëtarë nuk kanë patur asnjë shans të ishin dëshmitarë të asaj që është bërë në terren”, pohon ai.

Bytyçi thekson se në Shtabin e Përgjithshëm është pranuar një grup francezësh, por jo edhe grupi i amerikanëve.

“Amerikanët e kanë vazhguar UÇK-në shumë kohë nga larg. Prandaj dhe u bë akuza e ish-ambasadorit amerikan në Beograd se UÇK është një organizatë terroriste!!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat