“Dy strategjitë e Beogradit”/ Ndizet alarmi për Kosovën – Ja çfarë ka projektuar Aleksandar Vuçiq

Politika

“Dy strategjitë e Beogradit”/ Ndizet alarmi për Kosovën – Ja çfarë ka projektuar Aleksandar Vuçiq

Nga: P.R Më: 15 prill 2023 Në ora: 12:00
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare doktor Enver Bytyçit, Serbia po shfrytëzon zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut në Kosovë, me qëllim tensionimin dhe krijimin e një vatre të re konflikti.

“Në veri të Kosovës situata vazhdon të jetë e tensionuar. Edhe pse para disa javësh në Ohër të dy vendet u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq po shfrytëzojnë zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut me qëllim tensionimin dhe krijimin e një vatre të re konflikti. Sulme kundër policisë, djegie të makinave të pronarëve që ndërrojnë targat, plagosje e vetëplagosje, provokime të policisë në pikat kufitare, të gjitha këto dëshmojnë për një skenar të caktuar destabilizues”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, në gjithë këtë situatë tensioni ka dorë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

“Është e sigurt se në këtë situatë tensioni ka dorë presidenti i Serbisë Vuçiq. Ai është kryetari de facto i Listës Srpska në Kosovë dhe jep direktiva, udhëzime e urdhra se si duhet të veprohet për të krijuar konflikt në veri midis shqiptarëve përfshirë shtetin e Kosovës dhe serbëve lokalë”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se ekzistojnë dy strategji të Beogradit në këtë rast.

“Njëra ka të bëjë me taktikën e presidentit të Serbisë për t’i dëshmuar perëndimorëve se ai është faktor. Pra se ai është i aftë të bëjë paqen dhe luftën në Ballkan. Me këtë strategji synon zgjatjen e jetës së tij në pushtet dhe mbështetjen afatgjatë ndaj tij të aktorëve perëndimorë. Ai e di se sapo të zgjidhet konflikti me Kosovën nuk do të jetë më në pushtet. Sepse perëndimorëve u ka ardhur deri në majë të hundës me taktikat e tij destruktive dhe mashtrimet po ashtu të tij për konstruktivitet!”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Mund të them se bota perëndimore kërkon ta përfundojë sa më shpejt konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë jo vetëm për të vendosur përfundimisht paqen në rajonin e Ballkanit, por edhe për ta heq qafe një lidership mashtruesish në Serbi! Një lidership, i cili ka vendosur një sistem autoritar sundimi e regjimi në këtë vend. Një lidership që funksionon përmes skemave të krimit dhe korrupsionit. Serbia ka infektuar gjithë rajonin me një model arrogance e mashtrimi të pushtetarëve. Por bota e civilizuar për momentin vendos stabilitetin përpara demokracisë. Gjithnjë derisa ky stabilitet të arrihet”, shpjegon Bytyçi.

Sipas tij, strategjia e dytë e Beogradit ka të bëjë me synimin për realizimin e skenarit për ndryshim kufijsh.

“Arsyeja e dytë e strategjisë së tensionit dhe konfliktit në veri të Kosovës, të cilën e përdor Beogradi, lidhet me nacionalizmin serb dhe përpjekjet e tij për të krijuar atë që ne e quajmë Serbi e Madhe, pra me ndryshimin e kufijve. Kam përshtypjen se në Beograd presin që në përfundim të konfliktit në Ukrainë zgjidhja të jetë me ndryshimin e kufijve midis Ukrainës dhe Rusisë. P.sh që Krimeja të njihet si pjesë e Rusisë në këmbim të përfundimit të luftës atje. Aleksandër Vuçiq për këtë arsye nuk do që të vendoset paqja midis Kosovës e Serbisë. Sepse është në kërkim të precedentit për ndryshimin e kufijve në Ballkan”, shprehet profesor Bytyçi.

Ai thotë se Vuçiq synon largimin e forcave speciale të Kosovës nga veriu.

“Në kuadër të kësaj politike e strategjie duhet t’i shohim edhe zhvillimet në katër komunat e veriut të Kosovës. Vuçiq dhe vartësit e tij çdo ditë kërkojnë “largimin e forcave speciale” nga veriu, nga këto katër komuna. Madje prezencën e policisë në veri e konsiderojnë si “pushtim” e dhunim të të drejtave të qytetarëve me kombësi serbe. Me këto konsiderata, përcepsione dhe fiksione e pushtoi Vladimir Putin Krimenë. Nuk ka asnjë ndryshim midis politikave anti-Kosovë e anti-shqiptare të presidentit të Serbisë nga politikat anti-Ukrainë e anti-perëndim të presidentit të Rusisë. Vuçiç po imiton propagandën ruse që shoqëroi luftën në Ukrainë për të destabilizuar Kosovën”, thotë Bytyçi.

Bytyçi alarmon Kosovën, pasi sipas tij, Vuçiq ka projektuar një konflikt që të duket si një lloj lufte civile në Kosovë.

“Por për fatkeqësinë e Vuçiq, në Kosovë gjendet NATO-KFOR-i. Prandaj e dëgjojmë shpesh të thotë se “ne nuk do të luftojmë me NATO-n”! Megjithatë ai përpiqet të fshihet me deklarata të tilla. Në fakt ka projektuar një konflikt që të duket si një lloj lufte civile në Kosovë. Me këtë taktikë Serbia si shtet i iku ndëshkimit për krimet e saj dhe gjenocidin që i shkaktoi myslimanëve boshnjakë. Gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar Serbia krijoi një eksperiencë në këtë drejtim. Shkaktoi tragjedi të panumërta kundër popujve jo serbë dhe i justifikoi ato si produkt të luftës civile ndëretnike. Të njëjtën gjë po përpiqet ta bëjë Vuçiq në Kosovë, duke manipuluar serbët, sidomos ata të veriut, përmes Listës Srpska”, deklaron profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi kërkon që institucionet e Kosovës të jenë prezent kudo në veri të Kosovës.

“Prandaj shteti dhe qytetarët e Kosovës duhet të jenë vigjilent. Institucionet e shtetit, pa përjashtim, përfshi dhe ato të inteligjences dhe të sigurisë, duhet të jenë prezent kudo. Jo për të shkel të drejtat e qytetarëve, por për të mbrojtur shtetin dhe shtetësinë. Kjo do të thotë se duhet marrë informacion për çdo akt dhunë që përgatit Serbia e Beogradi në zonat e banuara me serbë në Kosovë, me qëllim që këto akte t’ua faturojnë shqiptarëve dhe institucioneve të Kosovës. Duhen parandaluar akte të tilla. Në mos medoemos duhen zbuluar dhe demaskuar ato. Unë e di se shërbimet e huaja e mësojnë para Kosovës se çfarë ndodh aty dhe sa provokon Serbia në Kosovë. Por ato nuk kanë as detyrë, as për funksion t’u shërbejnë institucioneve të Kosovës. Shërbimet e huaja mbajnë shënim dhe shënimet e tyre mund të shërbejnë për histori, por jo për të parandaluar katastrofën e konfliktit që planifikon dhe realizon presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat