Prill i ‘nxehtë’ në veri, kundërshtohet shtyrja e zgjedhjeve në komunat veriore: Të merren masa nëse ka ‘aksione’ serbe!

Politika

Prill i ‘nxehtë’ në veri, kundërshtohet shtyrja e zgjedhjeve në komunat veriore: Të merren masa nëse ka ‘aksione’ serbe!

Nga: A.M. Më: 15 prill 2023 Në ora: 16:55
Mitrovicë Veriore - Fotografi nga arkivi.

Situata në komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, është e brishtë.

Kjo pasi, është caktuar që zgjedhjet lokale në këto komuna të mbahen më 23 prill.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje deri në përmbushjen e dy kërkesave: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqjen e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Kësisoj, janë ngritur disa pikëpyetje mbi mundësinë e shtyrjes së këtyre zgjedhjeve, me qëllim që të evitohen tensionet në këtë pjesë të vendit.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” foli për zgjedhjet në veri dhe kërkesat për shtyrjen e tyre.

Së pari, ai kundërshtoi shtyrjen e tyre, ku tha se duhet domosdoshmërisht që të mbahen ato, pasi forma e presionit antidemokratik duhet refuzuar.

“Zgjedhjet janë mjeti kryesor i demokracisë funksionale, pa to nuk funksionon sistemi demokratik dhe nuk del vullneti i votuesve, kjo është ana themelore e zgjedhjeve.

Në veri kërkohet të mbahen zgjedhjet, ku edhe besohet se do të ketë zgjedhje dhe do të dalin organet kompetente nga zgjedhjet. Forma e presionit dhe e diktimit te sistemit është antidemokratike dhe duhet refuzuar. Kjo, u pa edhe nga forma e sistemit te vendosur në veri të Kosovës. 

Rezultatet e zgjedhjeve atje u diktuan nga Serbia dhe me thirrjen e Beogradit të gjithë e lëshuan punën. Ikën administratorët, policët, gjyqtarët dhe prokurorët, ikën sepse u diktuan nga Serbia dhe ishin vendosur nga Serbia. Ata mbanin vetëm veshjen e Republikës, kurse punonin për shtetin serb”, deklaroi juristi.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Gjithashtu, Kelmendi sa ka rreshtime të serbëve të Kosovës pas Beogradit, kësisoj beson se me mbajtjen e zgjedhjeve mund të krijohet një sistem më stabil.

“Këtej vërehet se të diktuarit janë rreshtuar pas Beogradit. Për zgjedhësit dhe shtetin, pushteti ishte mashtrim për sistem. Tjetër është kur dalin nga zgjedhjet, pa u diktuar dhe vendosur nga mekanizmat diktuese të Serbisë.

Zgjedhjet kërkohen të mbahen, ato nuk duhet të shtyhen dhe rezultati që del nga vota duhet të respektohet, pavarësisht nga përqindja e votës që jepet në zgjedhje.

Me zgjedhje krijohet një sistem stabil,  ku nuk kemi diktim nga Beogradi dhe organet janë të pavarura”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, juristi këmbënguli që këto zgjedhje të mbahen pavarësisht pengesave që mund të shafaqen nga Lista Serbe dhe Beogradi.

Ndërsa, në rast të ndonjë ‘aksioni’ nga serbët, tha se shteti i Kosovës duhet të marrë masa konkrete.

“As në planin franko-gjerman dhe në aneksin e Ohrit nuk është vendosur tjetër gjë për sistem. Mekanizmi i votës e ndalon diktatin dhe krijon pushtet juridik stabil. Kjo e bënë të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve. E nëse vjen te aksionet duhet shteti të përgjigjet me masa konkrete.

Nuk ka nevojë të fshihet pas askujt, zgjedhjet janë të ligjshme dhe çdo kush që merr masa penguese duhet të ndalohet. Këtë nuk e kundërshton askush në botë. Pro zgjedhjeve janë edhe faktorët relevant ndërkombëtar.  Zgjedhjet nuk duhet të shtyhen”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat