‘Mesazhi i bukur’ i Abazoviqit, kundërshtohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive – mësohet prapaskena e këtij propozimi

Politika

‘Mesazhi i bukur’ i Abazoviqit, kundërshtohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive – mësohet prapaskena e këtij propozimi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 prill 2023 Në ora: 08:05
Dritan Abazoviq dhe Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka qëndruar në vizitë tre ditore në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe, Abazoviq ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin ka nënshkruar një marrëveshje për trafikun ajror.

Po ashtu, Abazoviq ka takuar dy krerët e opozitës, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai është pritur të premten në iftar nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ndërsa të shtunën në Presidencë është pritur nga e para e vendit, Vjosa Osmani.

Në një nga prononcimet e tij, Kryeministri në detyrë i Malit të Zi ka thënë se ai është i gatshëm që qeveria e tij, bashkë me Qeverinë e Kosovës të mbajnë një mbledhje të përbashkët, njëjtë siç bënë me atë të Shqipërisë.

Sipas Abazoviqit, vetëm një gjë mund të ndodhë që mund të shtyjë që të mos vije deri tek ky takim, e ajo është zgjedhjet që do të mbahen së shpejti atje,

“Absolutisht, Qeveria e Malit të Zi është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë edhe me Qeverinë e Kosovës, vetëm një faktor mund të ndodh se për çka mund të mos vije deri te ajo, është se në Mal të Zi së shpejti do jenë zgjedhjet”, është shprehur Abazoviq.

Abazoviq më tej tha se nuk ka lidhje vendi se ku do të mbahej, në Podgoricë apo Prishtinë, por mesazhi do të ishte i bukur.

“Nuk ka lidhje se a do të mbahej në Podgoricë apo Prishtinë, ne do të ishim të gatshëm për të treguar një mesazh të bukur dhe do të kishim krijuar një ekip me njerëzit mes dy qeverive”, tha Abazoviq.

E lidhur me mundësinë e mbajtjes së kësaj mbledhje të përbashkt të qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi, e komentuan analistët politik për “Bota sot”.

Ata treguan prapavijën e kësaj deklarate të Abazoviqit.

Mehazi: Abazoviq luan rolin e kryeministrit kukull dhe autoriteti i tij në krye të qeverisë së Mali të Zi ështe deri në zgjedhjet e reja parlamentare

Fillimisht, për këtë temë foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai në një prononcim për “Bota sot” beson se thirrja e Abazoviqit për mbledhjen të përbashkët të dy qeverive është nj farsë politike, pasi dihen qëndrimet e tij.

“Deklarata e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviqit, me vizitën në Kosovë, se "është i gatshëm të mbajë një mbledhje të përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi", më shumë është frazë e lyer me farsë politike sesa reale, themi kështu pasi qëndrimet politike të kryeministrit të Malit të Zi, Abazoviqit, janë të qarta se ai jo që përkrah Ballkanin e Hapur të Vuçiqit dhe Ramës, por edhe gjatë zgjedhje presidenciale ishte kundër Gjukanoviqit duke e përkrahur proserbin, Milatoviqin”, deklaroi profesori.

Më tej, Mehazi tha se Abazoviqi nuk e ka forcën qeverisëse që të vendos për një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës.

“Pastaj kryeministri i Malit të Zi, Abazoviqi nuk e ka forcën politike e qeverisëse për të vendosur mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës, pasi ai është kryeministër i pakicës e jo i fuqisë partiake. Abazoviqi nuk e ka forcën e luksit qeverisëse për të vendosur një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës, për shkak se më shumë e luan rolin e kryeministrit kukull dhe autoriteti i tij në krye të qeverisë së Mali të Zi ështe deri në zgjedhjet e reja parlamentare, kaq”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori vlerëson se Kosova duhet të mbajë raporte më të afërta me Gjukanoviqin, se sa me Abazoviqin.

“Përfitimet e qeverisë së Kosovës do të ishin shumë më të sigurta e më të mira me ish-presidentin e Malit të Zi, Gjukanoviqin, sesa me Abazoviqin dhe presidentin e ri të Malit të Zi, Milatoviqin, të cilët më shumë anojnë nga Serbia e Vuçiqit sesa nga Kosova e Kurtit”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Dritanit nuk i besoj derisa ka marrëveshje me serbët në Mal të Zi!

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se mbledhjet e përbashkëta kanë rëndësi nëse mund të arrihen marrëveshje të dobishme.

Sipas tij, Abazoviqi përmendi mundësinë e mbledhjes së përbashkët, me qëllim të përmirësimit të imazhit të tij në Kosovë.

Realisht është e mundur të ndodh një gjë e tillë, janë të duhura mbledhjete përbashkëta por vetëm kur ka synim për të arritur marrëveshje të dobishme për të dyja vendet. Me këtë deklaratë, Abazoviqi synon ta përmirësojë imazhin e tij jo të mirë në Kosovë, kjo pas marrëveshjes famëkeqe me Kishën serbe si dhe mbështetjen që i ka dhënë projektit ruso-serb me emrin "Open Ballkan"”, shpjegoi ai.

Gjtihashtu, analisti potencoi se nuk do duhej që Abazoviq të pritej në Kosovë, pasi nuk i beson shumë atij.

“Nuk është dashur të pritet fare Abazoviqi në Prishtinë, duke mos i dhënë mundësinë ta pastrojë figurën e tij. Dritanit nuk i besoj derisa ka marrëveshje me serbët në Mal të Zi duke ndihmuar të triumfoj fryma ruso-serbe atje”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat