“Heshtja mbytëse” – Lufta ndaj LDK-së dhe reagimi i ‘zbehtë’ i saj për ndriçimin e vrasjeve politike në Kosovë!

Politika

“Heshtja mbytëse” – Lufta ndaj LDK-së dhe reagimi i ‘zbehtë’ i saj për ndriçimin e vrasjeve politike në Kosovë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 prill 2023 Në ora: 10:08
Vrasjet e pasluftës

Më 3 prill nisi gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Të katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020.

Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.

Në Gjykatë janë përmenduar edhe nga prokuroria edhe vrasjet dhe keqtrajtimet e zyrtarëve të LDK-së.

A po vërehet një heshtje te zyrtarët e LDK-së lidhur me këtë çështje?

Analistët komentojnë ‘heshtjen’ e LDK-së.

Bajraj: LDK promovon vlera të shtetit ligjor

Lidhur me këtë teme, analisti Fatmir Bajraj në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se zhdukja e provave, vrasja dhe likuidimi i dëshimtarëve, sikur e bëjnë komplek drejtësinë, por që nuk duhet të na dekuarjoj për të triumfuar drejtësia në fund.

Image
Fatmir Bajraj

“Kontaminimi i ambientit politik në mbi dy dekada, hegjemonia e shtrirë e një diskursi publik-paradoksal në media dhe në shoqëri, ku krimineli promovohet dhe glorifikohet si hero dhe viktima anatemohet e stigmatizohet padrejtësisht dhe në mënyrë bizare, vend dhe hapësirë për drejtësi mbetet fare pak, ngase zëri për drejtësi ndjehet i mbytur dhe i pashpresë, andaj këto kondida duhet ndryshuar, për të ndryshuar parametarat, dhe kjo është imanencë e kohës. Zhdukja e provave dhe dëshmive, ndryshimi i deklaratave të dëshmitarëve nga arsye presioni, kërcënimi dhe tjera, vrasja dhe likuidimi i dëshmitarëve, pa përjashtuar këtu edhe vdekjet e natyrshme të tyre në mbi dy dekada, sikur e bëjnë më kompleks procesin e drejtësisë, por ky fakt s'duhet të na dekurajoj se drejtësia më në fund do të triumfojë”, thotë ai.

Sipas tij, në botën deokratike, kur flet drejtësia, politika hesht, andaj edhe LDK si palë e dëmtuar ose viktimë, kerkon drejtësi, sepse ishte target e sulmeve kriminale dhe të pa presedent nga një grupim klandestin dhe rebel, “politiko-ushtarak”.

“Kur flet drejtësia, politika heshtë, dhe ky është standardi i një shoqërie demokratike në të cilën pushtetet e ndara janë edhe tëpavarura nga politika në funksionin dhe ushtrimin e pushtetit të garantuar me ligjet pozitive dhe Kushtetutën e vendit, por a jemi ne një vend i tillë, kjo është dilema!? Gjykata Speciale është nën juridiksionin Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e bërë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe vetëm personeli dhe selia janë jashtë Kosovës dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare, për arsyet të cilat dihen botërisht. Gjykata Speciale, i'u imponua Kosovës dhe shqiptarëve, jo për baraspeshimin dhe barasvlerësimin e krimeve të kryera nga palët, e që raporti do ishte 1:100, në dëmin tonë, por për faktin se edhe 1%-shin e krimeve të kryera nga ana jonë, nuk denjuam t'i dënojmë dhe të kemi verdikte të gjyqësorit, përkundrazi edhe tani refuzojmë t'i bindemi drejtësisië si shoqëri dhe institucione, dhe kjo është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin dhe të ardhmën tonë”.

“LDK si parti politike shtetëformuese, nuk ka shkaktuar krijimin e Gjykatës Speciale, pra nuk akuzohet për krimet e pretenduara nga Gjykata Speciale, dhe as nuk ka promovuar krijmimin e saj, sikur ka ndodhur me krahun tjetër, PAN-in, i cili ngarkohët për krimet e kryera në njerën anë, dhe angazhimin me zell të votimit të saj në Parlamentin e Kosovës në anën tjetër. LDK, duhet t'i inkurajoj dhe mbeshtesë moralisht, meqë ka dështuar t'i ndihmoj materialisht me ligj familjarët dhe familjet e dëmtuara të të vrarëve me atentate, që të bashkëpunojnë me drejtësinë, duke dhënë dëshmitë dhe duke ofruar fakte të pakontestueshme për Gjykatën si instancë vetme që të sjellë verdiktin në dobi të tyre dhe në dëm të kriminelëve. LDK është palë e dëmtuar (viktimë), dhe si e tillë kerkon drejtësi! LDK ishte target e sulmeve kriminale dhe të pa presedent nga një grupim klandestin dhe rebel; "politiko-ushtarak", por i armatosur, e që vetëthirrëshin në emër të UÇK-së dhe të një Shtabi fantom me seli në Tiranë, konkretisht në hotelin "Rogner", nga ku "drejtohej & bëhej lufta" për "çlirimin" e Kosovës, dhe natyrisht merrëshin edhe vendimet dhe urdhërat për luftimin e kundershtarëve të supozuar politik, dhe të tillë potencialisht e konsideronin LDK-në dhe liderin historik, Dr.Ibrahim Rugova”, shprehet Bajraj.

Luftimi i LDK-së

Ai thotë se për ‘shkatërrimin’ e LDK-së, mori pjesë edhe binomin famëkeq; Nano-Klosi, "Shtabi i Rognerit" në krye me Hashim Thaçin, mori një mbështetje marramendëse në luftimin e institucioneve legjitime dhe legale të Republikës së Kosovës dhe të vetë presidentit Rugova.

Ai më tej, tregon rrjedhën e ngjarjeve që pasuan në LDK.

“Me ndihmën e Tiranës zyrtare, të asaj të "Revolucionit të vonuar demokratik" të 97-tës, në krye me binomin famëkeq; Nano-Klosi, "Shtabi i Rognerit" në krye me Hashim Thaçin, mori një mbështetje marramendëse në luftimin e institucioneve legjitime dhe legale të Republikës së Kosovës dhe të vetë presidentit Rugova, dhe instalimin me çdo çmim të pushtetit të tyre me gryken e armëve dhe vëllavrasje, gjë që u provua katercipërisht me vrasjet politike duke filluar nga atentati i 21 shtatorit 1998 në Tiranë mbi Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe deri të atentati ndaj gazetarit Bardhyl Ajeti në Gjilan me 03 qershor 2005! U vranë dhe atentatuan, pa hak, pa gjyq dhe pas shpine; veprimtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të afërt të Presidentit Rugova, që nga Enver Maloku si ish shef i QIK-ut, Xhemail Mustafa, ish këshilltar politik dhe për informim i presidentit Rugova, Komandant të zonave, Deputet të Parlamentit të Kosovës, Kryetar komunash, Asambleistë të Kuvendeve Komunale, deri të gazetarë dhe intelektual e atdhetar të shquar të çështjës sonë kombëtare dhe të levizjes sonë nacionale për liri dhe pavarësi në krye me Presidentin historik, Ibrahim Rugova”.

“LDK dhe vetë Presidenti Rugova në krye të misionit historik: "lirinë dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia", përkundër goditjeve makabre që pësonte nga ky krah ekstremist dhe agresiv në luftën e tyre për pushtet, i tha JO vëllavrasjës duke bërë maksimumin e mundshëm në minimizimin e pasojave të cilat mund të ishin katastrofale për atdheun dhe kontekstin historik. LDK dhe lidershipi i saj, prore kanë kërkuar nga Drejtësia zbardhjën e këtyre krimeve të rënda dhe atentateve politike ndaj figurave dhe personaliteteve të shquara nacionale, por kërkesa e saj ka hasur n'vesh të shurdhër të Sistemit të Drejtësisë, duke filluar nga Administrata e UNMIK-ut, EULEX-it, dhe fatkeqësisht edhe nga Sistemi i Drejtësisë në Republikën e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008 dhe procesit mbikqyrës të pavarësimit. Bashkësia ndërkombëtare dhe misionet e saj për Rend & Ligj, nuk ishin të interesuara që të merrëshin fare me vrasjet politike, si një nga temat e "nxehta" dhe sfiduese, ngase "ruajtja e paqës dhe stabiliteti politik", konsiderohej primar dhe i pa alternativë, derisa drejtësia vendore ishte "kapë", pikërisht nga ata të cilët i shkaktuan këtë plagë të rëndë vendit, LDK-së dhe familjeve të dëmtuara nga atentatet. Për shkak të proceseve delikate të pasçlirimit të vendit, siç ishte procesi i pavarësimit dhe ai i shtetëndërtimit, LDK edhe pse ishte në bashkëqeverisje me krahun e"luftës", hezitoj të ngulmoj dhe insistoj në zbardhjën e vrasjeve dhe ndëshkimin e autorëve të atentateve, për faktin se ishte e vetëdijshme se do haste në rezistencë dhe do sabotohej i gjithë procesi kur dihej dhe dihet se vetë urdhëdhënësit ishin në pushtet dhe në shtetkapje, pra kishin n'zap të gjitha pushtetët e "ndara & të pavarura", përfshi Drejtësinë (prokurorinë dhe gjyqësorin)”, vazhdon tutje analisti.

Në fund, Bajraj thotë se LDK në qeverisja në PDK, votuan një ligj i cili si duket u shkonte përshtati PDK-së, e cila ishte potencial substancial i Gjykatës Speciale.

“Ndëshkimi i viktimave dhe familjarëve”

“LDK në koalicion qeverisës me PDK-në e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, me Kryemnistër Isa Mustafa, ish kryetar i LDK-së, siç duket u "shtrënga" të votojë në Parlamentin e Kosovës një Ligj diskriminues për Republikën e Kosovës, e që i shkonte për shtati pikërisht PDK-së, e cila ishte potencial substancial i Gjykatës Speciale dhe i cili ishte: "Ligjin për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të akuzohen nga Gjykata e Posaçme për krime lufte". Pra një Ligj i cili favorizon të akuzuarit për krimet e pretenduara dhe vrasjet politike, përfshi këtu edhe shumë favore dhe privilegje t'pamerituara për familjët dhe të afërmit e kriminelëve potencial të ndodhur para Drejtësisë. Në anën tjetër, "ndëshkohen" viktimat dhe familjarët e viktimave, përfshi familjarët e vrasjeve politike, duke mos u kompenzuar me Ligj nga buxheti i Kosovës sikur kriminelët potencial, dhe në anën tjetër, duke qenë taksapagues të të njëjtit buxhet që kompenzon kriminelët potencial, alias të akuzuarit për krimet e pretenduara, absurd i llojit sui-generis”.

“LDK, si familje politike dhe si kupolë e një misioni dhe projekti nacional në një kontekst të dhënë historik për Kosovën e lirë e t'pavarur, për të cilin edhe i'u atentatuan ushtarët e pushkës dhe penës për atdhe dhe kauzën e lirisë, u detyrohet pafundësisht në zbardhjen dhe dënimin e autorëve të krimeve dhe mbështetjën e pa rezervë; morale dhe institucionale & shtetërore të familjarëve të tyre, si satisfaksion që të atentatuarit të prehën të qetë dhe familjarët e tyre t'mos ndjehën të braktisur e t'harruar! LDK dhe lidershipi i saj, janë t'vetëdijshëm, të ndërgjegjshëm dhe t'përgjegjshëm për nevojën imediate të zbardhjes së vrasjeve politike të aktivistëve dhe veprimtarëve të saj, si dhe për nevojën që autorët e krimëve të marrin dënimin e merituar, andaj duhet të jenë edhe ma këmbëngulës dhe konsistent në këtë kerkesë, meq fati i vendit, dhe jo vetëm i LDK-së dhe i familjëve të dëmtuara është peng i drejtësisë së vonuar”, përfundon Bajraj për “Bota sot”.

Elezaj: Heshtja mbytëse e LDK-së ndaj zbardhjes së aktorëve të vrasjeve politike në Kosovë

Image
Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj thotë se vrasjet me motive politike, vazhdojnë të jenë njollë e zëzë për shtetin e Kosovës.

“Vrasjet me motive politike të cilat kanë ndodhur në Kosovë gjatë, dhe sidomos pas luftës çlirimtare, janë pa asnjë dyshim, njolla më e zezë si dhe ndër ngjarjet më tragjike që i kanë ndodhur popullit shqiptar të Kosovës në historinë e tij nacionale. Dhe, po ashtu nuk ka asnjë mëdyshje, se këto akte kriminale në masë të madhe i kanë dëmtuar vlerat e luftës sonë çlirimtare, si dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë ai.

Ai thotë se dihet publikisht që shumica e të vrarëve i takonin LDK-së, vrasje këto që ndodhnin kryesisht për motive politike, andaj edhe zanafilla duhet të ketë qëndruar në rrafshin e rivalitetit politik si dhe të dallimeve ideologjike midis krahut pacifik, i udhëhequr nga LDK-ja dhe presidenti Rugova, dhe krahut majtist, i udhëhequr nga LPK-ja.

Vrasjet ndodhën me motive politike

“Të luftosh në front të luftës kundër armikut shekullor serb, ndërsa në të njëjtën kohë të merresh me vrasjen dhe eliminimin e oponentëve politik, në të njëjtën kohë, jam i sigurt se kjo dukuri e shëmtuar nuk i ka ndodhur pothuajse asnjë populli në Evropë, sidomos me përmasa kaq të mëdha, ku sipas shënimeve jo zyrtare në Kosovë, gjatë dhe pas luftës kanë ndodhur mbi 300 vrasje me motive politike. Mbase, siç dihet publikisht shumica e të vrarëve i takonin LDK-së, partisë së presidentit Ibrahim Rugova, vrasje të cilat ndodhnin kryesisht për motive politike, zanafilla e të cilave duhet të ketë qëndruar në rrafshin e rivalitetit politik si dhe të dallimeve ideologjike midis krahut pacifik, i udhëhequr nga LDK-ja dhe presidenti Rugova, dhe krahut majtist, i udhëhequr nga LPK-ja, udhëheqësit e të cilës e konsideronin veten bartës të vërtetë të rezistencës popullore si dhe të organizimit të luftës kundër armikut”.

“Mjerisht, numri më i madh i të vrarëve ishin intelektualë dhe figura të shquara të LDK-së, filluar nga Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Haki Ymeri, e deri tek Ismet Rraci, Ukë Bytyqi, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, dhe shumë të tjerë, të cilët i takonin linjës politike të presidentit Ibrahim Rugova, LDK-së, e cila nga krahu i majtë enverist, akuzohej si parti kolaboracioniste me armikun, dhe ky qëndrim konsiderohej ndër shkaqet kryesore që kanë çuar tek vrasjet politike në Kosovën e pas luftës dhe, me të drejtë në opinionin kosovar pas ndërprerjes së vrasjeve serike në Kosovë, dmth. pas vitit 2006 dhe vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, është shtruar dilema hamletiane, pse udhëheqësit e LDK-së asnjëherë nuk e iniciuan në Kuvend dhe pranë organeve tjera shtetërore, zbulimin e aktorëve të këtyre vrasjeve, meqë gati të gjithë të vrarit i takonin kësaj partie, e që shikuar realisht, nisma dhe procedura ligjore për zbardhjen e vrasjeve politike i takonte të merrej në rend të parë nga LDK-ja. Por, siç dihet publikisht, krerët e kësaj partie edhe pas ardhjes së tyre në pushtet pas vitit 2010, asnjëherë nuk e ngritën këtë çështje pranë organeve të drejtësisë, por as në ndonjë forum tjetër, përveç se në kohën e fushatave zgjedhore, i keqpërdornin këto vrasje për interesa puro politike për të ardhur në pushtet”, deklaron ai.

“Gjykata Speciale ka agjendë zbardhjen e vrasjeve politike”

Në fund, Elezaj thotë se heshtja e LDK-së është mbytëse ndaj zbardhjes së aktorëve të vrasjeve politike në Kosovë, duke shtuar se shpeshherë kanë lënë dyshime edhe pikëpyetje në publik.

“Po ashtu, heshtja mbytëse e LDK-së ndaj zbardhjes së aktorëve të vrasjeve politike në Kosovë, shpeshherë ka shtruar dyshime dhe pikëpyetje të ndryshme në opinion, se pse krerët e saj i kanë ikur trajtimit dhe hapjes së kësaj kutie të pandorës, ku tanimë po bëhen mbi 23 vite dhe e njëjta kuti vazhdon të mbahet e mbyllur..!? Mendoj se është mjaft vështirë, për cilindo analist politik apo studiues të dukurisë së vrasjeve politike në Kosovë, që në mënyrë të qartë t’i përkufizojnë shkaqet e vërteta, motivet politike si dhe cilat kanë qenë përfitimet e çdo lloji të atyre që janë pajtuar me vrasjet, ose të atyre të cilët kanë dhënë urdhra për ekzekutimin e njerëzve për motive politike, ngase si akte kriminale që ishin, përgjegjësinë kryesore sipas mendimit tim, e mbajnë organet e drejtësisë në Kosovë, të cilat asnjëherë në dy dekadat e fundit nuk kanë iniciuar dhe as nuk janë marrë fare me zbardhjen e këtyre vrasjeve, gjë e cila lenë shumë për t’u dëshiruar”.

“Ndaj, edhe pse Dhomat e gjykatës speciale për Kosovën me seli në Hagë, ku këto ditë ka filluar gjykimi i katër ish krerëve të UÇK-së, nuk e kanë në agjendë zbulimin e vrasjeve politike në Kosovë, mbase duket se periudha e mandatit të saj juridik i përcaktuar me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke pasur juridiksion mbi krimet që janë kryer gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë, nga 1 janari 1998 e deri më 31 dhjetor 2000, do t’i përfshijë edhe vrasjet politike në Kosovë, gjë të cilën shqiptarët në Kosovë duhet ta presin me gëzim. Ndërsa, sa i përket reagimit të zbehtë të zyrtarëve të LDK-së ndaj përmendjes në seancën e fundit të gjykatës në Hagë, të vrasjeve dhe të keqtrajtuarve të ish zyrtarëve të kësaj partie, mbetet që shkaqet e një reagimi të tillë të zymtë, të sqarohen në seancat e kësaj gjykate në ditët dhe muajt në vazhdim”, përmyblli Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat