Në prag të zgjedhjeve në veri, vjen paralajmërimi për Kosovën: Kujdes, kështu mund të ‘forcohet’ Lista Serbe!

Politika

Në prag të zgjedhjeve në veri, vjen paralajmërimi për Kosovën: Kujdes, kështu mund të ‘forcohet’ Lista Serbe!

Nga: Arife Morina Më: 17 prill 2023 Në ora: 08:15
Ilustrim

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Kujtojmë, se këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

E për zhvillimet, polemikat dhe debatet mbi këto zgjedhje në veri të vendit, për “Bota sot” foli kandidati për kryetar të Mitrovicës së veriut nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, Betim Osmani.

Sipas tij, pjesëtarë të Serbisë dhe LS-së po nxitin provokime në veri, gjë që nuk do duhej ta bënin, bazuar në marrëveshjen e fundit të arritur mes dy shteteve.

Image
Betim Osmani

“Provokimet janë nga strukturat paralele dhe disa pjesëtarë të mbrojtur nga Lista Serbe dhe Serbia, që edhe pse zyrtarisht nuk duhej të ekzistojnë, pra në bazë të marrëveshjeve në Bruksel ato është dasht të mos ekzistonin, ndërsa me qytetarët serbë nuk ka probleme”, deklaroi ai.

Më tej, Osmani kundërshtoi mundësinë e zgjedhjeve, duke thënë se me këtë do ‘forcohej’ edhe më shumë Lista Serbe.

“Shtyrja e zgjedhjeve, qytetarëve dhe Kosovës nuk i konvenon. Me shtyrje të zgjedhjeve forcohet ndikimi i Listës Serbe në Kosovë. Shpresoj që qytetarët e komunitetit serb tani e kanë kuptuar politikën e Beogradit dhe nuk do të ketë shumë ndikim”, vlerësoi Betim Osmani për “Bota sot”.

Vlen të theksohet se Lista Serbe është subjekti më i madh politik në katër komunat në veri të Kosovës, e që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kjo parti është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk ka aplikuar për të garuar në zgjedhjet e 23 prillit.

Mungesa e kandidatëve nga Lista Serbe në këtë garë zgjedhore, parashikohet se do ndikojë në pjesëmarrje të ulët në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat