Rrezik për trazira në veri, Halimi: Ka qenë i menaxhuar nga Serbia për 24 vjet/ Kështu duhet të veprojë Qeveria

Politika

Rrezik për trazira në veri, Halimi: Ka qenë i menaxhuar nga Serbia për 24 vjet/ Kështu duhet të veprojë Qeveria

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 prill 2023 Në ora: 18:47
Veriu i Kosoves

Rreziku për trazira në veriun e Kosovës mund të shtohet nëse nuk do të ketë marrëveshje Kosovë- Serbi në Ohër, kështu kishte deklaruar analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec pak ditë para pajtimit të marrëveshjes për normalizim të raporteve Kosovë- Serbi.

“Ajo që me shqetëson mua më shumë dhe mendoj se duhet të shqetësojë udhëheqësit e të dyja vendeve, është rritja e mundësisë dhe rreziku i mundshëm për trazira të dhunshme në veriun e Kosovës, nëse nuk ka një marrëveshje. Shkalla e integrimit të veriut të Kosovës në kuadrin institucional të Kosovës që u zhvillua pas marrëveshjes së Brukselit, është kthyer shumë prapa përgjatë vitit të kaluar, tani jemi thuajse në pikën fillestare dhe kjo nuk është situatë e qëndrueshme në asnjë variant. Unë isha në Kosovë dhe në atë pjesë të Kosovës gjithashtu në muajin janar dhe mendimi i përgjithshëm i banorëve vendas dhe mbikëqyrësve ndërkombëtarë ishte se veriu i Kosovës ishte shumë afër konfliktit të dhunshëm disa herë përgjatë vitit të kaluar, kështu që ky është shqetësimi im. Nëse nuk ka marrëveshje mendoj se rreziku atje mund të shfaqet sërish dhe nëse ka dhunë në atë pjesë mund të dëmtohet seriozisht e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, kishte deklaruar Prelec para 18 marsit.

Edhe pse, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, veriu vazhdon të ketë tensione.

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë në një prononcim për “Bota sot”, thotë se në veri ka pasur një simbioz mes pushtetit dhe krimit.

“Duke qenë se veriu i vendit për 24 vite rresht ka qenë i menaxhuar nga Serbia de facto nëpërmes Listës Serbe dhe krimi i organizuar ka qenë institucionalisht, pra ka pasur një simbioz mes pushtetit dhe krimit, si një sinonim, ndërprerja e një regjimi të tillë kohës së fundit, ka bëre që të njëjtit të kalojnë në një dimension tjetër. Pra, atë në strukturim të grupeve kriminale dhe terroriste, të cilët i kanë bartë të njëjtat metoda të frikësimit të popullatës të asaj ane, madje edhe ndaj vetë minoritetit serb të cilët janë lojal ndaj shtetit të Republikës së Kosovës, çka e bën atë pjesë si zonë rreziku për qytetarët.”, pohon Halimi.

Image
Armend Halimi

Që të mos jetë zonë rreziku për qytetarët ajo pjesë, sipas Halimit, Qeveria duhet të dalë dhe ta prek terrenin.

“Për të mos lejuar një gjë të tillë, dhe për të u bërë me dije qytetarëve të asaj ane se janë nën kujdesin e shtetit, qeveria jonë duhet të dalë dhe të prek terrenin, duke vërë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët e atyre viseve. Rol në këtë do duhej të luajë edhe bashkësia ndërkombëtare, pra KFOR”, shton Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat