“Mirupafshim”/ Deklarata e Konjufcës në çastin e duhur – Analistët flasin për mundësinë që Kosova do ta braktisë dialogun!

Politika

“Mirupafshim”/ Deklarata e Konjufcës në çastin e duhur – Analistët flasin për mundësinë që Kosova do ta braktisë dialogun!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 maj 2023 Në ora: 08:06
Glauk Konjufca

Që nga viti 2011 Kosova është futur në procesin e dialogut me Serbinë.

Ky proces nuk është se ka qenë aq i favorshëm për vendin tonë. Ka pasur presione të shumta nga Bashkësia Ndërkombëtare e po ashtu edhe kompromise të “dhimbshme” në dëm të vendit tonë.

Një ndër këto marrëveshje është ajo e Asociacionit, e cila ishte nënshkruar nga Hashim Thaçi e pastaj nga Isa Mustafa gjatë vitit 2013 dhe 2015.

Ajo që vlen të theksohet çdoherë është presioni i madh nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë të cilën Serbia po e kërkon me ngulm.

Asociacioni ka rënë ndesh me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila i ka hedhur poshtë 23 pika të tij.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si kurrë më parë të hënën që kaloi bëri një deklaratë të ashpër kundër Serbisë dhe ndërkombëtarëve për këtë gjë.

“Nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog. E nëse procesi i dialogut e ka si çmim shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, sipas tij është më mirë të thuhet “mirupafshim nga ky proces”.

Elezaj: Deklarata e Konjufcës për largim nga dialogu, ishte me vend dhe mjaft i qëlluar drejtuar ndërmjetësuesve të BE-së në dialog me Serbinë

Lidhur me këtë analisti Rexhep Elezaj, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se deklarata e Konjufcës është në kohën e duhur sepse duhet t’u bëhet me dije atyre që po duan një Asociacion jashtë Kushtetutës, që Kosova mund edhe ta suspendon dialogun me Serbinë.

Image
Rexhep Elezaj

Deklarata e kryeparlamentarit z. Konjufca, sipas mendimit tim, vjen në çastin e duhur, kur kihen parasysh rrjedhat e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, deklaratë të cilën duhet përshëndetur i gjithë spektri politik në Kosovë, pa dallim, ngase presionet që palës kosovare po i vijnë këto ditë nga zyrtarë të lartë të BE-së në krye me J. Borrellin, kur është fjala për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS), ato duhet refuzuar kategorikisht. Pra, ata duhet njoftuar me kohë, se në rrethana të tilla pala kosovare mund edhe ta suspendon dialogun me Serbinë!

Është kështu për faktin, sepse siç ka thënë z. Konjufca, nëse BE-ja rastësisht mendon se AKS duhet të formohet sipas kërkesave të Beogradit, e jo në harmoni me normat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atëherë rrugët e Kosovës duhet të ndahen nga ato të Borrellit dhe Stano’s, kur është në pyetje çështja e formimit të “Zajednicës” serbe në Kosovë. Ngase, është pikërisht siç ka thënë kryeparlamentari Konjufca, “se nëse ky dialog ka për qëllim rrënimin e themeleve të shtetit të Kosovës, duke themeluar një “republika srpska” të re në Kosovë, në një situatë të tillë është shumë më mirë është që pala kosovare t’i thotë dialogut me Serbinë, mirë u pafshim nga ky proces”..!”, shpjegon analisti.

Ai thotë se kjo deklaratë vije ngase Joseph Borrell po mban qëndrim pro-serb, i cili madje deklaroi pas zgjedhjeve në veri se deklaroi publikisht se “janë potencial për destabilizimin e situatës në veri”.

Prandaj, deklarata e z. G. Konjufca e dhënë në konferencën për shtyp bashkë me kryetarin e Kuvendit të Austrisë mike, Wolfgang Sobotka, vjen pa asnjë dyshim, si rezultat i qëndrimit pro-serb të Borrellit dhe bashkëpunëtorëve të tij, i cili pa asnjë sens diplomatik pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel me 2 maj, deklaroi publikisht se “zgjedhjet e pjesshme të mbajtura në veri për katër komuna, të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë, janë potencial për destabilizimin e situatës në veri”, duke i bërë thirrje të hapur Listës srpska dhe serbëve në veri që të dalin në protesta, një thirrje kjo pikë për pikë e njëjtë po sikur atë ta kishte bërë presidenti fashist të Serbisë, A. Vuçiq.

Andaj, nga këtu kërcënimi i z. Konjufca për largim nga dialogu, ishte me vend dhe mjaft i qëlluar drejtuar ndërmjetësuesve të BE-së në dialog me Serbinë.

Me këtë rast duhet shtruar patjetër pyetjen, se ku mbeti Draft-teksti i AKS i përgatitur dhe i diskutuar në ambasadën amerikane nga ekspert të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, i cili ishte i përgatitur në nivel shumë të lartë juridik dhe të cilin duhej prezantuar në takimin e fundit Kurti-Vuçiq në Bruksel, e jo Draftin e përgatitur nga një grup serbësh, i formuar më herët nga institucionet e Kosovës, por të cilin grup me të drejtë e shkarkuan para ca ditësh organet tona shtetërore”, thotë Elezaj.

Kurse, për mundësinë e largimit nga dialogu, Elezaj thotë se nuk do të ndodhte asgjë e pazakontë sepse ka edhe raste të tjera në botë që dialogjet midis shteteve janë ndërprerë.

Me një fjalë, z. Borrell dhe zëdhënësi i BE-së, z. P. Stano, siç duket janë të korruptuar nga Beogradi zyrtar, ngase si mund të dalin hapur në anën e palës serbe, duke e përkrahur Draft-Statutin të përgatitur nga grupi i cekur më lartë, vetëm nga serbët, një lojë kjo e ndyrë e presidentit serb, A. Vuçiq, që me çdo kusht ta kalon në Bruksel dokumentin me të cilin në Kosovë do themelohej një “Republika srpska” e re..!?

Ngase dihet fare mirë se çfarë synojnë çetnikët serb, që me çdo kusht të shkatërrohen themelet e pavarësisë së Kosovës, të defunksionalizohet Kosova si shtet, e më vonë veriu të ndahet për t’ia bashkuar Serbisë, etj., qëllime krejtësisht djallëzore dhe të papranueshme për Kosovën dhe udhëheqësit e saj politikë dhe shtetërorë..!

Po qese eventualisht Kosova do tërhiqej nga dialogu me Serbinë, nuk do të ndodhte asgjë e pazakonshme, ngase ka mjaft raste në botë që dialogjet midis shteteve janë ndërprerë, ose janë suspenduar në kohë të caktuar, ose janë ndërprerë fare, dhe ky nuk do të ishte aspak fundi i botës për Kosovën.

Sepse, më mirë është që pala kosovare të tërhiqet plotësisht nga dialogu, se sa ta pranojë formimin e AKS-së jashtë normave kushtetuese të Kosovës, pra me kompetenca ekzekutive, e, që për vendin tonë do ishte një humbje e pariparueshme, pasojat e së cilës do kishin qenë tragjike për shtetin dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundon ai.

Mehazi: Të BE-së ose kanë interesat e tyre proruse ose janë kundër ambicieve politike e strategjike amerikane në Kosovë

Image
Sulejman Mehazi

Edhe profesori Sulejman Mehazi thotë se deklarata e Konjufcës ishte me vend, sepse nuk po kërkon asgjë më shumë nga BE, përveç mbrojtjes së Kushtetutës së Kosovës.

Ai shton, se qëllimet e Serbisë dihen tashmë, është shkatërrimi i themeleve kushtetuese e ligjore të shtetit të Kosovës.

Respekt të veçantë për guximin e deklaratës së Kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndaj BE-së të cilët më shumë duan t'ia plotësojnë dëshirat politike ekspansioniste presidentit kriminel serb, Aleksandar Vuçiqi, për krijimin e asociacioneve 4 % serbe brenda Kosovës që kanë kuptime të qarta territoriale e okupuese serbe në Kosovë. Shumë i respektuari Konjufca asgjë më shumë nuk do e nuk kërkon prej BE-së përveç mbrojtjes së Kushtetutës së Kosovës, kështu do kishin vepruar të gjithë shtetet perëndimore, prandaj deklarata e kryeparlamentarit të Kosovës duhet respektuar nga BE-ja pasi Konjufca mbron autoritetin e pacenueshëm juridike-kushtetuese e territoriale të Kosovës.

Shumë e vërtetë, e qartë dhe e saktë është deklarata e Konjufcës se nëse për BE-në qëllimi kryesor i procesit të dialogut me Serbine është shkatërrimi i themeleve kushtetuese e ligjore të shtetit të Kosovës, atëherë nuk na duhet BE-ja e “mirupafshim nga ky proces”, shprehet ai.

Tutje, profesori thotë se BE ka dy qëllime në këtë mes, ose kanë interesa proruse ose janë kundër ambicieve politike e strategjike amerikane në Kosovë, duke shtuar se në vendet e Ballkani ata po e tolerojnë Serbinë të miklojë pesë shtetet fqinje.

Të BE-së ose kanë interesat e tyre proruse ose janë kundër ambicieve politike e strategjike amerikane në Kosovë. Nuk mund ta kuptojmë BE-në sesi është e mundur të tolerojë e miklojë aq shumë Serbinë e krimeve të luftës duke robëruar politikisht e juridikisht pesë shtetet fqinje Bosnjë-Hercegovinën me "Srpska Republikën", Kosovën me asociacionet operative serbe të "Srpska Republikës" me vetëm 4% serbë, të një "Republike serbe" në Mal të Zi me anë të Kishës Ortodokse Serbe, me robërimin e dy shteteve tjera fqinje Shqipërinë dhe RMV-në me anë të Ballkanit te Hapur të Vuçiqit.

Si është e mundur BE-ja të pajtohet që prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, pesë shtete të dominohen e sundohen politikisht, juridikisht e territorialisht nga Serbia? Si është e mundur Serbia të krijojë republikat e veta në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri e RMV e BE-ja të hesht e mos të jetë kundër ekspansionizmit të Vuviqit, pse?

Besojmë se të gjithë pajtohemi me Konjufcën që tha: "se nëse Bashkimi Evropian nuk mendon se zgjidhja për Asociacionin duhet të jetë brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon më në dialog." atëherë mirupafshim e çao Evropë se nuk na duhesh!”, përmbylli Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat