Vuçiq nuk po i respekton marrëveshjet, Biserko dhe Schneerberger zbulojnë si mund t’i jepet fund çështjes së Kosovës

Politika

Vuçiq nuk po i respekton marrëveshjet, Biserko dhe Schneerberger zbulojnë si mund t’i jepet fund çështjes së Kosovës

Nga: A.Zh Më: 4 korrik 2023 Në ora: 08:30
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneerberger, ka thënë se duhen njerëz të rinj nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ndërmjetëses në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka kërkuar që ata të mos jenë të njëanshëm në procesin e dialogut mes të dyja vendeve.

“Së pari na duhen njerëz të tjerë nga SHBA dhe BE për të mbështetur dialogun. Ata nuk duhet të jenë të njëanshëm. Për më tepër, interesat e njerëzve duhet të merren parasysh më shumë sesa interesat e një grupi të vogël politikanësh dhe biznesmenësh. Nuk duhet të ketë më kapje pas konstrukteve të vjetra, siç është Asociacioni i Komunave”, ka deklaruar Schneerberger.

Ajo ka treguar edhe mënyrën, përmes së cilës, sipas saj, mund të gjetet një zgjidhje e respektueshme edhe nga Serbia.

“Për të gjetur zgjidhje nevojiten procese moderne, demokratike. Njerëzit e prekur duhet të përfshihen përmes pjesëmarrjes. Kjo është mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje që respektohet dhe zbatohet nga të gjithë të prekurit”, ka shtuar këshilltarja e BE-së.

Se Serbia nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, e ka pohuar edhe Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Ajo ka thënë se presidenti serb Aleskandar Vuçiq, nuk e ka ndërmend t’i zbatojë ato marrëveshje.

“BE-ja dhe SHBA-ja humbën mundësinë për të bërë presion ndaj Beogradit për të nënshkruar këto dy marrëveshje. Presidenti Vuçiq tha se ato marrëveshje nuk e obligojnë dhe as nuk ka ndërmend t'i zbatojë ato. Kjo është arsyeja pse ai dialog është i pakuptimtë, sepse nuk i përmbahet asaj për të cilën duhet të angazhohen të dyja palët”, është shprehur Biserko për “Bota sot”.

Ajo ka deklaruar se komuniteti perëndimor i ka të gjitha mjetet për t'i dhënë fund çështjes së Kosovës.

“SHBA-ja dhe BE-ja duhet të imponojnë një zgjidhje për Asociacionin në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane. Është gjithashtu e nevojshme të vendoset një kornizë sigurie që do të qetësojë situatën dhe do t'i detyrojë të dyja palët, veçanërisht Beogradin, t'i përmbahen marrëveshjes. Komuniteti perëndimor i ka të gjitha mjetet për t'i dhënë fund çështjes së Kosovës. Sipas mendimit tim, përshkallëzimi në Kosovë nuk është vetëm rezultat i akterëve vendorë, por konteksti ndërkombëtar shumë më i gjerë”, ka theksuar Sonja Biserko./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat