Tensionet në veri/ Arifi: Bojkoti opozitar, pritet të bllokojë punën e Kuvendit

Politika

Tensionet në veri/ Arifi: Bojkoti opozitar, pritet të bllokojë punën e Kuvendit

Nga: Q.R Më: 4 korrik 2023 Në ora: 10:00
Veriu i Kosovës

Qeveria e Kosovës po përballet me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri të vendit. Nga ana tjetër, partitë opozitare në vend kanë deklaruar se do të bojkotojnë Kuvendin e Kosovës, shkruan "Bota sot".

Kështu po priten, masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia shqiptoi Kosovës, për shkak të, siç u tha, mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, duke komentuar situatën aktuale në vend, vlerëson se qeveria e Kosovës duhet të marrë masa urgjente për de-eskalimin e krizës në veri, për shkak që, sipas tij, Kosova mund të futet në krizë brenda dhe jashtë vendit.

Image
Dritëro Arifi

“Presion i jashtëzakonshëm ndaj qeverisë që për t’i zbatuar masat e BE-së, apo masat e qeverisë së Kosovës në drejtim të zgjidhjes së de-eskalimit të krizës në veri, apo mund të kemi zgjedhje të parakohshme të dyja tash janë opsione të mundshme, por varet nga veprimet e qeverisë dhe nga Presidenca se si po dëshirojnë të zgjidhin çështjen. Por, çka do që dëshirojnë të bëjnë duhet ta bëjnë shpejt sepse përndryshe Kosova futet në një krizë të pakuptimtë edhe nga brenda edhe nga jashtë”, deklaron Arifi për Bota sot.

Sa i përket presionit të opozitës karshi qeverisë për bojkotim të kuvendit, ai thekson se me suspendimin e kuvendit edhe puna e qeverisë është e pa dobishme.

“Sa i përket veprimeve të opozitës pas masave ndëshkuese të BE-së, pra veprimet e tyre që i prononcuan dje që do të bojkotojnë çdo forum, do të bojkotojnë edhe kuvendin e Kosovës, kjo i bie që Kuvendi i Kosovës, sidomos nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike që dje e tutje pra do të jetë i suspenduar, pra do të kemi suspendim të punës së tërësishme të kuvendit, që i bie se nuk mund të votohet asnjë ligj. Pra me suspendimin e parlamentit të Kosovës, edhe qeveria suspendohet të themi në thonjëza kushtimisht sepse puna e tyre më është e pa dobishme, çka do që bëjnë ata nuk mund të aprovojnë apo votojnë asnjë ligj”, deklaron ai.

Kujtojmë se, BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për MSA-në, ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë, programimin e fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat