Nuk e takoi Ramën/ Analistët komentojnë refuzimin e Kurtit – ja pse duhej të ndodhte ky takim!

Politika

Nuk e takoi Ramën/ Analistët komentojnë refuzimin e Kurtit – ja pse duhej të ndodhte ky takim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 korrik 2023 Në ora: 08:05
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi të enjten në Prishtinë, ku takoi Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, por jo kryeministrin Albin Kurti.

Megjithë kërkesën e Edi Ramës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta presë kryeministrin e Shqipërisë, në një takim të veçantë.

Kryeministri Kurti tha se nuk e sheh të arsyeshëm një takim të tillë pa mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, e cila u anulua një ditë para se të niste punimet në muajin qershor nga kryeministri Edi Rama.

Kurti tha se “për shkak të anulimit të paarsyeshëm të kësaj mbledhjeje, po dëmtohen qytetarët e të dyja vendeve duke mos përfituar nga 13 marrëveshje që ishin planifikuar të nënshkruheshin gjatë asaj mbledhjeje”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimeve me Osmanin dhe Konjufcën, nuk foli për media, por në mbrëmje dha një intervistë të gjatë e kritikoi ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “politika në Prishtinë ka bërë që Serbia të duket si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare”.

Mirëpo pas gjith kësaj situate cila do të jetë e ardhmja e raportëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Elezaj: Pa marrë parasysh raportet e këqija mes dy kryeministrave tonë, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet ditë të forcohen

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Ai u shpreh se qeveria e Kosovës ishte refuzuese e nismës së Ballkanit të Hapur, prandaj vizita e z. Rama në Prishtinë ishte një rast i mirë për këmbim informatash dhe koordinim të veprimeve të përbashkëta Kosovë-Shqipëri.

“Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama pardje në Kosovë, në kuadër të turrit të tij ballkanik për përgatitjet paraprake të mbajtjes së samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë në muajin tetor të këtij viti, ai si nikoqir i këtij samiti vizitoi Kosovën ku ishte i mirëseardhur, meqenëse vendi më i interesuar për këtë proces ka qenë vetë shteti i Kosovës. Ngase zhvillimi ekonomik i saj në masë të madhe do varet nga përfitimet që do t’i ketë Kosova në të ardhmen.

Ngase, siç dihet qeveria e Kosovës ishte refuzuese e nismës së Ballkanit të Hapur, prandaj vizita e z. Rama në Prishtinë ishte një rast i mirë për këmbim informatash dhe koordinim të veprimeve të përbashkëta Kosovë-Shqipëri, por siç duket për arsye naive kryeministri Kurti e refuzoi takimin me Edi Ramën, duke lëshuar nga dora një rast të volitshëm për të biseduar konkretisht rreth përgatitjeve për pjesëmarrjen tonë në samitin në fjalë”, u shpreh ai.

Më tej, analisti shprehet se është dashur që Kurti ta pres Ramën në takim dhe të mos e refuzonte.

“Pra, vizita e Edi Ramës në Prishtinë nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret, veçse ishte një rast mjaft i mirë që dy kryeministrat vendeve tona t’i harmonizojnë veprimet me qëllim që Kosova të përfitojë sa më shumë që është e mundur nga burimet financiare të Procesit të Berlinit, si një shans i rrallë kur nikoqir i samitit është Shqipëria jonë.

Pyetja e juaj, se a veproi drejtë kryeministri Kurti që refuzoi ta priste në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, unë mendoj dhe jam i bindur se një veprim i tillë i Albin Kurtit ka qenë tejet i gabuar politikisht, por edhe jashtë traditave autoktone shqiptare, sepse mysafiri dhe miku, në këtë rast vëllai, nuk refuzohet derisa ai ka hyrë në oborrin e shtëpisë, gjë të cilën nuk ka guxuar ta bënte Albin Kurti, aq më tepër duke qenë në postin e kryeministrit të Kosovës, pra përfaqësues i popullit dhe jo vetëm i personit të tij”, shpjegon analisti.

Elezaj nga ana tjetër shton që pa marrë parasysh raportet e këqija mes dy kryeministrave tonë, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet çdo ditë të forcohen dhe dinamizohen sa më shumë.

“Pra, çfarëdo që të kenë qenë shkaqet dhe arsyet të cilat Albin Kurtin e kanë shtyrë që mos ta pranojë në takim kryeministrin e shtetit shqiptar, E. Ramën, ato është dashur të lihen jashtë kodit dhe protokollit shtetëror të mikpritjes, siç e ka pasur zakon ta pretë shqiptari-shqiptarin, sepse në kuadër të raporteve mes dy shteteve gjithmonë predominon interesi i dy popujve përkatës, dhe se në këto marrëdhënie nuk guxon të ketë ndikim çfarëdolloj raporti personal mes dy udhëheqësve shtetëror, siç janë Edi Rama dhe Albin Kurti. Ngase dihet qartë se cilat janë detyrat dhe obligimet kushtetuese të kryeministrave në çdo vend demokratik, pra edhe në dy shtetet tona.

Unë besoj, se pa marrë parasysh raportet e këqija mes dy kryeministrave tonë, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet çdo ditë të forcohen dhe dinamizohen sa më shumë, ngase për këtë qëllim nuk ekziston asnjë pengesë objektive, sepse tek e fundit jemi një gjak, një gjuhë dhe një komb që asgjë nuk guxon të na ndajë, ose pengojë në ecjen tonë dorë-për-dorë drejtë integrimit evropian, duke u bërë si dy popuj dhe si dy shtete sovrane, faktor vendimtar në Ballkan, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht, kur tanimë Shqipëria është anëtare e NATO-s si dhe faktor kyç në arenën ndërkombëtare”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”.

Kelmendi: Rrjedhimisht vërehet se shteti shqiptar nuk është më anëtar i “Ballkanit të Hapur”.

Ndërsa profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, fillon të përmend së pari iniciativën e “Ballkanit të Hapur” e më pas përmend deklaratat e Ramës dhe Vuçiq, që në thelb janë të kundërta.

Image
Muhamet Kelmendi

“Marrëveshjet që u nënshkruan në Berlin, tri sa ishin, de-jure e kanë përmbajtjen e katër marrëveshjeve që u nënshkruan në “Ballkanin e Hapur”. Kundër deklaratës se z Rama, krimineli i luftës dhe neofashisti imperialiste A.Vuçiq, deklaroi: Nuk besoj se z.Rama ka hequr dorë nga “Ballkani i Hapur”, qëndrimet e kundërta kanë karakter tjetër domethënëse.

Rrjedhimisht vërehet se shteti shqiptar nuk është më anëtar i “Ballkanit të Hapur”. Ndërsa, deklarata e racistit Vuçiqi, mund të merret si “kërcënim”, kur të kemi parasysh se si dhe kush ishin shkaktarët a subjektet fizike që e dërguan z. Rama fillimisht në Beograd dhe si u formua “Ballkanit i Hapur”. Mirëpo, më qartë se deklarata e z.Rama për “Ballkanin e Hapur” nuk ka ku shkon. E rrezikshme është ndoshta deklarata e kriminelit të luftës A.Vuçiq për vet z. Edi Rama”, thotë ai.

Profesori në fund shtoi që ikja nga takimet me z.Rama nuk i shërbejnë sovraniterit të shtetit të Kosovës.

“Mirëpo nënshkrimet u dhanë në Berlim në marrëveshjet nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk po zbatohen. Asnjë pikë e marrëveshjes midis Kosovës, Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës nuk po realizohet. Në këtë anë, ikja nga takimet me z.Rama nuk i shërbejnë sovraniterit të shtetit të Kosovës. Mos takimi vetëm e komplikon edhe më shumë gjendjen në këto anë”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat