Tensionet Kosovë - Serbi, juristi jep “alarmin” për këtë sektor: Qeveria të ndërmerr këto masa!

Politika

Tensionet Kosovë - Serbi, juristi jep “alarmin” për këtë sektor: Qeveria të ndërmerr këto masa!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 korrik 2023 Në ora: 23:22
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Raportet në mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të njëjta pas situatës së krijuar në veri të Kosovës dhe kryetarëve të rinj.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot është takuar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe tashmë janë marrë vesh për hapat që çojnë në shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Pas një takimi në Bratisllavë, Bislimi thotë se me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian ka diskutuar për zbatimin e marrëveshjes bazike për normalizimin e raporteve, që është arritur me Serbinë në fund të shkurtit dhe për zbatimin e aneksit të kësaj marrëveshjeje, për të cilën palët janë pajtuar më 18 mars, në Ohër.

Përveç këtij diskutimi, Zv.kryeministri njofton se ka pajtim për shtensionim të situatës. Sipas tij, hapat do të zbatohen në sundim të ligjit.

“U takova me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm në zbatimin e plotë dhe të drejtë të Marrëveshjes Bazike dhe Ankesit të saj. U pajtuam për hapat e nevojshëm për të siguruar deeskalim efektiv dhe siç parashihet me ligj, duke u fokusuar në normalizim dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, ka shkruar Bislimi.

Gjersa, priten të zbatohen hapat për shtensionim të situatës, juristi Muhamet Kelmendi, thotë se Kosova është e nënshtruar ndaj shtetit serb edhe në fushën e ekonomisë.

Ai përmend firmat që kanë bërë vartësi totale ekonomike të Kosovës kundrejt Serbisë.

“Nënshtrimi ekonomik i Kosovës ndaj Serbisë krijon edhe nënshtrimin politik dhe juridik të vendit. Në raport me shtetin serb, jo vetëm në fushën politike, por në veçanti edhe në atë ekonomike, Kosova është tërësisht e nënshtruar ndaj shtetit serb. Firmat e Kosovës, si ETC, Devolli, Superviva, Vivafresh, Interex, HIB, Albi Mall, Emona etj., të mbështetur në faktin e përfitimeve me çdo kusht, e kanë bërë vartësinë totale ekonomike të Kosovës nga Serbia. Të dhënat flasin se Kosova vetëm në (6) gjashte mujorin e parë te vitit 2021 ka importuar mbi 200 milionë mallra nga Serbia. Po kështu konstatohet se eksporti nga Kosova në Serbi është vetëm disa milionë, apo 20 herë më pak. Ky disproporcion tregon një vartësi totale ekonomike të Kosovës nga Serbia. Këtej, krijohet edhe baza e vartësisë politike e juridike, e cila ka lidhje të drejtpërdrejt me vartësinë ekonomike. Gjendja e tillë obligon Qeverinë e Kosovës në marrjen e masave në dogana dhe në taksa duke i rritur për të ndaluar këtë importim të pakontrolluar dhe shumë të rrezikshëm edhe për shtet”, shprehet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai përmend dy veprime të domosdoshme që qeveria t’i bëjë para se mallrat serbe të hyjnë në Kosovë.

Sipas tij, më vënien në fuqi të atyre masave mafiozët do të ndalen.

“Këtu duhet të shërbejë si shembull politika ekonominë e SHBA-ve kundruall UE, Kinës, Kanadës, Meksikës etj, ku Qeveria e Presidentit i ka rritur taksat deri në 25%, për të bërë barazimin me mallrat e vendit, respektivisht të SHBA-ve. Mbi këtë politike të reciporcitetit ekonomik kërkohet të veprojë edhe Qeveria e Kosovës. Mallrat serbe duhet për të hyrë në Kosovë të nënshtrohen dy veprimeve të domosdoshme: 1. Kontrollit të kualitetit të mallrave, sepse këto mallra, duket se nuk e kanë kualitetin e duhur, nga se prodhohen në linja të veçanta për tregun e Kosovës dhe 2. Kërkohet që Qeveria të rrittë doganën dhe taksën për mallrat e Serbisë në përmasa të barazimit me mallrat e vendit, për të qenë mallrat e vendit konkurruese në treg. Këto masa do të bëjnë barazimin e mallrave në treg. Përndryshe, duke ia lënë këtë veprim mafiozet kriminal, të tipit të ETC, Devollit etj., vetëm kriminalitet do të ketë dhe vartësia është në maksimum. Këta mafioze ndalen me masa të politikës fiskale dhe me masa penale që duhet shteti të ndërmerr. Nëse këto dy masa nuk veprojne mbi veprimet kriminale, krimi dhe korrupsioni nuk njeh kufi dhe vartësia e Kosovës ndaj Serbisë bëhet totale. Kështu duhet të veprohet aktualisht. Kosovës i duhet një mbrojtje ligjore e ekonomisë vendore nga jashtë”, pohon Kelmendi.

Kujtojmë, se pas arrestimit të tre zyrtarëve policor nga Kosovë qeveria kishte vendosur bllokimin e mallrave serbe në Kosovë si një masë të nevojshme për garantimin e sigurisë së territorit të vendit.

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka bërë të ditur se shkëmbimet nga të dyja anët janë të bllokuara në një shumë prej rreth 70 milionë euro, duke përfshirë paratë e parapaguara për produkte të bizneseve të Kosovës në Serbi dhe borxhet e bizneseve të Kosovës ndaj Serbisë.

Në bazë të kësaj llogaritje, kryetari i kësaj Aleance, Agim Shahini, ka thënë se vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara dhe janë të parapaguara me kompanitë serbe arrin vlerën rreth 30 milionë euro. Këto para janë investuar në lëndë të parë dhe produkte të gatshme që janë në pritje të hyrjes në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, sipas tij, bizneset e Kosovës kanë borxhe mbi 40 milionë euro në Serbi, të cilat transaksionet bankare ende nuk janë të ndaluara.

“Sipas një hulumtim që Aleanca ka bërë në shtatë ditët e para kanë qenë rreth 30 milionë euro të parapaguara në Serbi, pra të produkteve të ndryshme të bizneseve të Kosovës, qoftë lëndë e parë, apo të gatshme. Por njëkohësisht gjëja që është vërtetuar këto ditëve të fundit po ashtu edhe kosovarët kanë borxhe në Serbi, për të cilat transaksionet bankare nuk janë të ndaluara. Pra kanë borxhe mbi 40 milionë euro, dhe kjo është një vlerë tejet e lartë”, ka thënë kryetari i AKB-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat