Drejt de-përshkallëzimit, me marrëveshje të nënshkruara dhe marrje e obligimeve për zbatimin e tyre

Politika

Drejt de-përshkallëzimit, me marrëveshje të nënshkruara dhe marrje e obligimeve për zbatimin e tyre

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 korrik 2023 Në ora: 19:21
Miroslav Lajçak-, Besnik Bislimin

Akoma nuk janë shuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht presioneve nga BE dhe SHBA.

Por, një ditë më parë dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit dypalësh me Bislimin në Bratislavë kanë rënë dakord për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës.

“Pata diskutime intensive dypalëshe sot me Besnik Bislimin në Bratislavë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në përputhje më deklaratën e 27 vendeve të BE-së të 3 qershorit, dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, shkroi Lajçak.

Edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se ka pajtim për shtensionim të situatës.  

Sipas tij, hapat do të zbatohen në sundim të ligjit.

“U takova me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak, për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm në zbatimin e plotë dhe të drejtë të Marrëveshjes Bazike dhe Ankesit të saj. U pajtuam për hapat e nevojshëm për të siguruar de-eskalim efektiv dhe sic parashihet me ligj, duke u fokuaur në normalizim dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, ka shkruar Bislimi.

Qarri: Lajçak sigurisht me lejen e Vuçiqit njoftoi se me Bislimin kanë rënë dakord për hapat e parë drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri

Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se nuk e di nëse është rastësi apo jo, që bashkëshortes së Escobarit Serbia me parat e veta, ia financon ekspozitën personale, dhe madje, pikërisht ai të jetë emisar i bisedimeve të Serbisë, me një shtet fqinj, siç është rasti me Kosovën.

"Në fakt, më duhet ta them që në fillim, se unë nuk e di saktësisht, se sa është e drejtë dhe e moralshme, por edhe e pranueshme politikisht, që në parim, një figure të lartë diplomatike amerikane, me qëndrim të gjatë në shtetet e Ballkanit Perëndimor, bashkëshortes së të cilit Serbia me parat e veta, ia financon ekspozitën personale, pikërisht ai të jetë emisar i bisedimeve të Serbisë, me një shtet fqinj, siç është rasti me Kosovën.

Përndryshe nëse ky nuk cilësohet konflikt interesi dhe gjëra të tilla, lejohen dhe quhen të mirëseardhura në ndërmjetësimet ndërkombëtare, rasti i Kosovës, na dëshmon se paraja nuk e kthyeka vetëm ujin përpjetë, siç shpreheshin të vjetërit tanë, por i kthyeka edhe emisarët dhe ndërmjetësit ndërkombëtar, të marrin publikisht anë, gjë që mendoj se po dëshmohet edhe këto ditë të krizës në vendin tonë, se ryshfeti dhe shpërblesat monetare, luajnë rol vendimtar edhe në përfitimin e përkrahjes së ndërmjetësuesve dhe mbështetjen nga miqtë, apo ndonjë emisar, gjë që Kosova nuk diti, apo edhe nuk pati guximin ta provojë si opsion, duke i lënë hapësirë të pakufishme manovruese Serbisë hegjemoniste, ti përvetësoj me manipulimet e saj, ndërmjetësuesit e BE-së dhe vet emisarin amerikan.

Serbia në anën tjetër ka përvojë të gjatë në këtë drejtim, dhe qysh me kohë, ajo as që hezitoi, ta fillonte forcimin e pozitave të saj, duke nisë si hap të parë, me financimin e një ekspozitë ekskluzive të bashkëshortes së z. Gabriel Eskobar, gjë që duket se u prit fort mirë dhe me shumë dashamirësi nga emisari Eskobar, i cili njëjtë si Borell e Lajçak, filloi ta atakonte gjithnjë e më vrazhdët Kosovën, ndërsa së fundi u bë edhe palë me Borellin e Lajçakun, për vënien e viktimës nën masa shtrënguese, që në këtë rast ishte Kosova”, shprehet analisti.

Image
Gani Qarri

Ai shton se BE, me emisarët e saj duhet të tregoheshin më të arsyeshëm e të mos përpiqeshin ta nënshtronin në të gjitha format madje edhe me forcë dhe masa shtrënguese Kosovën, deri te kërkesat e pakuptimta.

“Pas gjithë kësaj trysnie të paparë dhe padrejtësive të njëpasnjëshme, të ushtruara në mënyrë kaq cinike ndaj Kosovës, nuk po ndodhë gjë e jashtëzakonshme, madje sikur ndërmjetësuesit e BE-së, Borell e Lajçak dhe emisari amerikan Eskobar, të tregoheshin më të arsyeshëm e të mos përpiqeshin ta nënshtronin në të gjitha format madje edhe me forcë dhe masa shtrënguese Kosovën, deri te kërkesat e pakuptimta, që edhe policia e shtetit, të tërhiqej para bandave kriminale serbe, si dhe kryetarët e zgjedhur në mënyrë legjitime, të tërhiqeshin nga ndërtesat komunale, në mënyrë që t`ua lëshonin vendin strukturave paralele të Serbisë, tensionimet në veri do të ishin harruar deri më tani.

Po të dakordoheshin ndërmjetësuesit e dialogut me kohë, që së pari të tërhiqeshin bandat kriminale serbe, grupet paramilitare dhe demonstruesit agresiv nga afërsia e ndërtesave komunale, në mënyrë që gradualisht me tërheqjen e tyre të zvogëlohej edhe numri i policëve, si dhe zgjedhjet në veri të vendit të mbahen sipas ligjeve të Kosovës, në mënyrë që bazuar në ligje dhe kushtetutën e vendit, të bëhet edhe zëvendësimi i kryetarëve aktual me ata të cilët do të mund të dalin nga zgjedhjet që pritet të mbahen, nuk do kishte fare nevojë, të zhagmitej kaq gjatë kjo punë, kur dihet mirëfilli se Kosova është në të drejtën e saj dhe nuk mëton asgjë më tepër, se sa brenda territorit të vet, të zbatohet vetëm rendi dhe ligji, pa atakuar qytetarët e pakicës serbe, as ngacmuar kudo qoftë Vuçiqin apo shtetin e Serbisë!”, nënvizon ai.

Kurse, në fund thotë se me njoftimin e Lajçakut, lë të kuptohet se palët do t'i kthehen tryezës së bisedimeve dhe të shkohet drejt një zgjidhjeje të problemeve, duke shtuar se më nuk do të ketë forma të ashtuquajtura të "dakordimit" por do të vendoset për marrëveshje të nënshkruara nga të dy palët dhe marrjen e obligimeve.

“Sipas informatave në media, vetëm para një dite Vuçiqi, "hapi zemrën" e dha "pajtueshmërinë" për pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhje, të cilës para dy-tre muajve vet ia ndaloi të dilte në votime, ndaj dhe menjëherë u raportua se i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në takim e zhvilluar në Bratisllavë me zv/kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, janë marrë vesh për zbatimin e kërkesave të BE-së, të cilat i bllokoi Serbia e jo Kosova, por nga emisarët e njëanshëm euro-amerikan, u dëmtua Kosova, pa asnjë faj, dhe jo Serbia e cila ishte fajtore për të gjitha sa ndodhën në veri, akt që Eskobar, Borell dhe Lajçak duhet ta kenë për turp, në gjithë karrierën e tyre, të cilën po tentojnë ta avancojnë edhe më tej, në kurriz të Kosovës!

Lajçak sigurisht me lejen e Vuçiqit, përmes një postimi në Tëitter njoftoi se me Bislimin kanë rënë dakord për hapat e parë drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog, gjë që lë të shpresohet se, së shpejti palët do t'i kthehen tryezës së bisedimeve dhe të shkohet drejt një zgjidhjeje të problemeve, por gjithnjë duke pritur se tani e tutje, nuk do të luhet më me forma të ashtuquajtura të "dakordimit" por do të vendoset për marrëveshje të nënshkruara nga të dy palët dhe marrjen e obligimeve, për zbatimin e tyre edhe nga ana e Serbisë, pa i lënë hapësirë, pasardhësit të Millosjeviqit, edhe 24 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, të luaj me marrëveshjet ndërkombëtare dhe zbatoj vetëm ato që i pëlqejnë atij, kurse ndërmjetësuesit e BE-së, Borell e Lajkçak, bashkë me emisarin Eskobar të heshtin!”, përfundon ai për “Bota sot”.

Mulliqi: Ata me qafë e me krye janë duke bërë përpjekje për ta integruar Serbinë

Analisti Skënder Mulliqi thotë se Serbia është ajo e cila nuk zbaton asnjë marrëveshje në raport me Kosovën.

Sipas tij, e gjitha kjo situatë po ndodh për themelimin e Asociacionit në veri të Kosovës, edhe pse kjo është e papranueshme ndërkombëtarisht.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit edhe pse gojore zgjuan shpresat se do të kemi përparime në procesin e dialogut Kosovë –Serbi. Marrëveshja e Ohrit dhe mos zbatimi i saj nga ana e Vuqiqit la për të kuptuar se Serbia do të shfrytëzon marrëveshjen për shpërthim të trazirave në veri, siç edhe ndodhi.

Kurti u shpreh i gatshëm që kjo marrëveshje të jetë e shkruar, por këtë e refuzoj presidenti serb. Sa herë që Kosova ka bërë hapa konkret që proceset të avancohen, Serbia ka qenë ajo që i ka përdorë opstrukcionet politike të shoqërura në terren me protesta dhe incidente për ta bërë faktike asociacionin me komptenca ekzekutive. Minoriteti serb që përbën vetëm 5 për qind të popullsisë ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botën demokratike. Të kërkohet nga një komunitet me një përqindje të tillë të banorëve të këtë të drejta shtesë deri në shkëputje siç po pretendon Serbia me pakicën serbe në Kosovë, është jashtë çdo të drejte ndërkombëtare për minoritete.

Të kërkohen të drejta të veçanta përmes Asociacionit të kamufluar në një Republikë tjetër serbe është e pa pranueshme për shqiptarët. Kosova është shtet multientik që u pranua si i tillë nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe, shtrohet pyetja logjike, pse po ndodhë një ndryshim i tillë radikal nga BE-ja dhe Amerika?

Po kërkohet asociacioni i cili bie ndesh mbi parimet bazë ndërkombëtare, mbi të cilat edhe u pranua ndërkombëtarisht Kosova si shtet sovran dhe i pavarur. Në vend që të ndëshkohet Serbia për shpërfaqje të dhunës në veri për të zhbërë shtetësinë e Kosovës, të fituar me luftë së bashku me aleatet tanë, ajo po përballet me fajësi dhe me sanksione ekonomike dhe politike nga BE-ja. Kjo është e çuditshme dhe është për studim. Duket se po dëshirohet të përsëriten politikat e vjetra hilqare ndaj të drejtave legjitime të shqiptarëve për vetëvendosje në rajon, të cilët janë popull unik si më popullatë ashtu edhe me territore”, deklaron ai.

Image
Skënder Mulliqi

Tutje, ai thotë se edhe pse Lajçak ka paralajmëruar se palët do t’i kthehen dialogut, analisti thotë se pa një qasje të barabartë, nuk duhet të vazhdohet dialogu.

“Çdo tentim për ndarje të veriut të Mitrovicës nga jugu do të thotë luftë. Për të dërguarit e BE-së, Borrel dhe Lajçak integrimi i Kosovës nuk është në asnjërën nga agjendat e tyre. Ata me qafë e me krye janë duke bërë përpjekje për ta integruar Serbinë, e cila nuk po përfillë asgjë nga ajo që po bisedohet. Nëse shikoni zhvillimet e muajve të fundit në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës është e qartë se veshtirë do të kemi ndonjë përparim në bisedime. Të hënën i dërguari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka zhvilluar një takim në Bratisllavë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, përshkallëzim të situtës të krijuar qëllimisht nga bandat serbo ruse, të cilat shpëfaqën dhunë ndaj policisë të Kosovës dhe KFOR-it.

Pa një qasje të barabart nuk duhet ta vazhdohen bisedimet. Kosova u vu në masa të embargos që t’i bëhet presion në bisedime, kurse në anën tjetër BE-ja dhe Amerika Serbisë po ja serojnë vetëm karotën. Shtensionimi i situatës nuk bëhet, duke përkrahur terroristë serb të instrumentalizuar për të shkaktuar trazira kundër shtetësisë të Kosovës. Prandaj, edhe takimi i Lajçakut dhe Bislimit edhe përkundër deklarimve se ka përparime, vështirë do të arrihet ndonjë progres, deri sa Beogradi zyrtar nuk heq dorë nga ndarja e Kosovës siç po mendon Vuçiqi. Serbia lojën politike po e zhvillon mbi krahun e Putinit, i cili shtet moti është në kampin e Rusisë, e BE-ne dhe Amerikën po i shfrytëzon për qëllime ekonomike. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të cilat po ushtrojnë presion mbi politikën e Kosovës, nëse po mendojnë me shkëput Serbinë nga Rusia, duke sakrifikuar Kosovën, kjo është shumë e padrejtë së pari ndaj shqiptarëve, dhe është qasje e gabuar e tyre strategjike dhe gjeopolitike në rajon”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat