Ushtarit të KFOR-it i është amputuar këmba, krijohen argumente për llogari diplomatike

Politika

Ushtarit të KFOR-it i është amputuar këmba, krijohen argumente për llogari diplomatike

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 korrik 2023 Në ora: 08:08
Pamje nga veriu i vendit/Zveçan

Protesta e 29 majit në veri të Kosovës vazhdon të japë pasojat negative sidomos ndaj ushtarëve të KFOR-it që u sulmuan gjatë asaj dite.

Të hënën media hungareze ka njoftuar se një ushtari të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba pasi kishte marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj.

Media hungareze, Telex, ka njoftuar se disa nga ushtarët hungarezë të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare menjëherë të nesërmen, ku pastaj ministri i Mbrojtjes Kombëtare Kristóf Szalay-Bobrovniczky raportoi për gjithsej 27 ushtarë të plagosur.

Ministria ka thënë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është e qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Shala: Kosova do të duhej që këta ushtarë t’i dekorojë me medalje

Lëndimet e tilla, sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, do të jenë argument në qarqet diplomatike për të kërkuar llogari.

Image
Drizan Shala

Shala thotë se Kosova duhet që këta ushtarë t’i dekretojë me medalje nga presidenca.

Situata me paqeruesit e KFOR-it te protestave të dhunshme të majt 2023 në Komunën e Zveçanit tregoi një brutalitet të skajshëm në drejtim të jetës dhe pronës. Lëndimet e tilla do të jenë argument në qarqet diplomatike ushtarake për të kërkuar llogari prapa dyerve të mbyllura por që për situatën e krijuar mund të thuhet që politikisht do të bartë përgjegjësi qeveria e Kosovës si argument do të jenë pozicionimet politike në tërë procesin në veri. Kosova do të duhej që këta ushtarë t’i dekorojë me medalje nga Presidenca, Ministria e Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK për një sakrificë në mbrojtje të rendit dhe ruajtjen e integritetit territorial”, deklaron Shala.

Se ushtarit hungarez i është amputuar këmba, e ka konfirmuar edhe KFOR-i, duke shtuar se të gjithë ushtarët e lënduar “janë kthyer në shtëpitë e tyre”.

Mulliqi: Nuk është hera e parë që po rrezikohet struktura e KFOR-t nga bandat kriminale serbe

Image
Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti politik Skënder Mulliqi, thotë se kronologjia e dhunës në veri të Kosovës është 20 vjeçare.

Sipas tij, bandat në veri kanë shkaktuar incidente të rënda ku humbën jetën shqiptarë dhe madje edhe ndërkombëtarë.

Dhuna në veri të Kosovës nga strukturat kriminale paralele serbe ka një kronologji 20 vjeçare. Kjo pjesë e vendit deri më ardhjen në pushtet të kësaj klase të re politike ishte Eldorado për kriminelet të minoritetit serb, të cilët nuk po i respektojnë ligjet e Kosovës. Këto struktura nuk u shpërbën nga pushtetet të cilat ishin për një kohë të gjatë në pushtet. Dhe, mos shpërbërja e tyre i shtyrë në veprimet e tyre brutale ndaj organeve tona të pushtetit. Jemi dëshmitarë së shumë herë deri më sot bandat serbe në veri të përkrahura nga Beogradi zyrtar dhe kohën e fundit edhe nga Moska zyrtare, shkaktuan incidente të rënda ku humben jetën shqiptarë dhe madje edhe të ndërkombëtarë. Gjithmonë këto struktura banditeske kanë gjetur pretekste për të shkaktuar dhunë dhe pa siguri më qëllime të caktuara politike, për ndarje të Kosovës. U instrumentalizua një pjesë e minoritetit serb nga Vuçiqi dhe Putini, sidomos pas invazionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën sovrane.

Moska po dëshiron më çdo kusht që të hap edhe një vatër tjetër të luftës në Ballkan përmes çetnikut Vuçiq, i cili haptazi ka shprehur ambiciet për ndarje të veriut të Mitrovicës, kur dihet së kjo pjesë e vendit ka resurse të mëdha nëntokësore. Putin dhe Vuçiqi krijuan gjendje lufte edhe në Mal të Zi, Bosnje , për të realizuar idenë serbomadhe” të gjithë serbët në një shtet”. Rusia po pretendon që të realizon idenë e botës ruse duke i pushtuar shtetet e ish Bashkimit Sovjetik. Lufta në Ukrainë po tentohet me çdo kusht të zhvendoset edhe në rajonin e Ballkanit, me veprimet brutale të bandave serbo ruse ne veri, të cilët vepruan më barrikada, me incidente, me gjuajtje bombash”, shprehet Mulliqi.

Ai shpreson që gjendja e ushtarit hungarez të ndikojë në kthjellimin edhe politikë të BE-së, gjersa shton se nuk është hera e parë që po rrezikohet struktura e KFOR-it nga bandat kriminale serbe.

Deklaratat e Eskobarit, Borrellit dhe Lajçakut ishin skandaloze , dhe mua më duket që kjo përkrahje politike që ju bë Serbisë, bëri që të marrin hov terroristët serb, duke lënduar rëndë dhe lehtë 30 pjesëtarë të KFOR-it, shumë prej tyre hungarez, pastaj sulmuan policinë dhe gazetaret tanë, thyen dhe dogjën shumë vetura. Mediat hungareze kanë njoftuar se një ushtari të KFOR-it hungarez i është amputuar këmba pasi kishte marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj. Gjithashtu mësohet së edhe dy pjesëtarë të KFOR-t hungarez janë në gjendje kritike. Dhe, e gjithë kjo kalojë nga BE-ja , sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Ndoshta ky gjymtim i pjesëtarit hungarez do të ndikon sadopak në kthjellimin edhe politik të BE-së, e cila po bënë gabim kur po e akuzojnë Kosovën, e cila nuk po e rrezikon minoritetin serb më asgjë, por vetëm po mbron ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë. Serbia nuk po ndalet në synimet ekspansioniste në rajon.

Nuk është hera e parë që po rrezikohet struktura e KFOR-t nga bandat kriminale serbe. Edhe grabitja e tre policëve të Kosovës, që u bë pas burgosjes të një krimineli serb në veri nga organet tona , nuk hasi shumë në reagime të faktorit ndërkombëtar. Me këta ndërmjetës ndërkombëtar dhe më Vuqiqin në krye të shtetit serb, shumë vështirë do të jetë që të kemi ndonjë marrëveshje paqeje. Lajçak dhe Borell më shumë po i kontribojnë të keqes se sa të mirës, prandaj edhe nuk pritet që të kemi zhvillime pozitive në dialog deri sa këta mos të largohen”, thekson Mulliqi.

Në protestën e 29 majit në veri, në qytetin e Zveçanit serbët kishin sulmuar me gjësende të forta trupat e KFOR-it, derisa këta po qëndronin para objektit të komunës.

Misioni paqeruajtës i NATO-s kishte ndërhyrë pasi paraprakisht i pati paralajmëruar, por ata nuk ishin bindur. Gaz lotsjellës, zjarr dhe shtëllunga tymi patën përfshirë zonën, ndërkohë që janë dëgjuar edhe sirena dhe shpërthime.

Përveç 19 ushtarëve hungarezë, atë ditë në komunën e Zveçanit, ishin lënduar edhe 11 ushtarë italianë.

Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.

Serbët në katër komunat veriore të Kosovës janë duke protestuar që nga 26 maji, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat