Protesta e sotme/ Analistët paralajmërojnë eskalim të situatës – ja pse kritikohen veteranët!

Politika

Protesta e sotme/ Analistët paralajmërojnë eskalim të situatës – ja pse kritikohen veteranët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 korrik 2023 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Veteranët e Luftës së UÇK-së do të protestojnë sot në Prishtinë kundër Qeverisë së Kosovës.

Protestën e ka paralajmëruar kryetari i OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla.

Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 18:00, në kundërshtim, sic i ka quajtur “skandaleve qeveritare”, që lidhen edhe me miratimin e pagës minimale, nga e cila janë lënë jashtë veteranët.

“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe antiUÇK”, thuhet në njoftimin për protestë.

Atyre do t’iu bashkohen edhe AAK-ja, Partia Social Demokrate dhe Nisma Socialdemokrate.

Kujtojmë që deputetët e pushtetit, të enjten kanë miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk u garanton pension në vlerë të kësaj page veteranëve të luftës.

Mirëpo shtrohet pyetja nëse mund të ketë eskalim të situatës tashmë edhe jashtë Kuvendit siç po paralajmërohet?

Qarri: Veteranët nuk kanë të drejtë të protestojnë kundër Qeverisë

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai u shpreh se inçizimet e Mimoza Kusari-Lila janë shumë shqetësuese pasi siç shihet ka biseduar me prijsin e bandave kriminale.

“Në fakt, është tepër shqetësuese për popullin dhe shtetin e Kosovës, që një shefe e grupit parlamentar, si Mimoza Kusari-Lila, jo vetëm të diskutojë në mënyrë aq përulëse me një përfaqësues të të ashtuquajturës Lista Serbe, shefi faktik i të cilës është MIlan Radojçiqi i cili është në Listën e Zezë të SHBA-ve, iu prinë bandave kriminale dhe njihet si promotor i të gjitha tendosjeve në veri të Kosovës, por të vazhdojë të mbetet në të njëjtën pozitë politike edhe pas këtij rasti pafundësisht fyes dhe më tepër se të turpshëm”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që me gjithë paralajmërimet me pompozitet për eskalim, pas përleshjes fizike në Kuvend, situata nuk mund, dhe as nuk duhet të eskalojë, në asnjë mënyrë jashtë Kuvendit.

“Përndryshe me gjithë paralajmërimet me pompozitet për eskalim, pas përleshjes fizike në Kuvend, situata nuk mund, dhe as nuk duhet të eskalojë, në asnjë mënyrë jashtë Kuvendit, për faktin madhor se njerëzit që paralajmërojnë akte të tilla, nuk kanë qenë kurrë në "luftë" me Listën “srpska”, përkundrazi shefi i tyre, i ka pasur gjithmonë partner jo vetëm në biznesin kriminal, që është zhvilluar lirshëm, për mese dy dekada në veri, por edhe kanë bashkëqeverisur shtetin me Listën “srpska”, duke rrëzuar edhe Qeverinë Kurti 1, për ta bërë Goran Rakiqin edhe Zëvendëskryeministër të parë të Kosovës.

Veteranët nuk kanë të drejtë të protestojnë kundër Qeverisë edhe për faktin se ata kurrë nuk kanë protestuar kundër Milan Radojçiqit, Sllavko Simiqit dhe vet Listës “srpska”, nuk kanë kundërshtuar as protestuar kundër faljes së 2500 hektarëve tokë nga Thaçi & Co FYROM-it, siç nuk kanë protestuar as kundër faljes së 8300 hektarëve tjerë Malit të Zi, nuk kanë protestuar kundër letrës së Thaçit, dërguar sekretarit të NATO-së se Ushtria e Kosovës, nuk do të vendoset në veri, nuk kanë reaguar fare, se lëre më për të, protestuar jo,se jo, kundër shprehjeve publike të Thaçit se veriu i Kosovës,është tokë e Rankoviqit, siç nuk kanë protestuar, as kundër pazareve të Thaçit & Co për ndarjen e Kosovës, as pagimin e firmave të huaja nga ministrja e PDK-së në Qeverinë e PAN-it, për propagandimin në botë, të ndarjes së Kosovës”, shpjegon analisti.

Nga ana tjetër Qarri përmend disa nga ngjarjet që veteranët do të duhej mirëpo nuk kanë protestuar.

“Veteranët, nuk kanë protestuar kurrë, kundër vendosjes së flamujve të Serbisë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, përderisa digjnin flamujt e Dardanisë në mes të Prishtinës, duke kërkuar gjakderdhje ndër-shqiptare, as nuk protestojnë tash e mese 24 vite, pas lufte, për veprimin e lirshëm të strukturave paralele të Serbisë, kudo në Kosovë, nga Leposaviqi, në Graçanicë e deri në Shtërpce, të mos i përmendi këtu edhe fshatrat me disa dhjetëra shtëpi, që Thaçi i ka ngritur në komuna serbe, për t`ia plotësuar dëshirat Serbisë.

Veteranët nuk kanë protestuar as kundër shuarjes së Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe gjenocidit të ushtrisë okupatore serbe, të shkaktuar ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, nga Qeveria e PAN-it, nuk kanë protestuar kundër vendimit të Hashim Thaçit me shokë për faljen e krimeve të Serbisë, nuk kanë protestuar asnjëherë të vetme për kthimin në veri, të shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga bandat kriminale serbe, as kundër ngjarjeve në veri të Kosovës, kundër veprimeve të bandave kriminale, as kundër ndërhyrjeve të Serbisë në çështjet e brendshme dhe rregullimin shtetëror të Republikës së Kosovës”, foli ai.

Në bised e sipër analisti shtoi që duhet të dorëhiqet Mimoza Kusari pasiqë është treguar shumë naïve dhe mendje lehtë.

Kurse sa i takon, aferës së audio-incizimeve të shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, qoftë edhe vetëm, për shkaqe parimore dhe kombëtare, të gjithë, pa dallime partiake, do duhej të kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të saj, një politikbërëse kaq naive e mendjelehtë, e cila në një diskutim fare të thjeshtë tregohet aq emocionale, dorëzohet tërësisht para Simiqit dhe nuk tregon asnjë rezervë, në ballafaqim me një amator politik serb, në zyrën e saj, të cilit i mungon uni dhe vepron i dirigjuar nga një kriminel i vendosur në Listën e Zezë të SHBA-ve, si Milan Radojçiq, mbajtja e saj në postin e pamerituar, nuk e nderon qeverinë as Kosovën!

Mimoza Kusari-Lila, duhet të shkarkohet edhe për faktin se ajo mund të ketë nostalgji, jo për Sllavko Simiqin, sa për Milan Radojçiqin, të cilin dikur mund ta ketë pasur fqinjë në Gjakovë, dhe ndjenë ndoshta edhe sot mungesën e ti, kur dihet se përveç anës personale, në Gjakovë dashuria për serbët, ka qenë e jashtëzakonshme, madje femrat gjakovare, në mesin e të cilave ndoshta edhe vet Mimoza, kanë punuar bashkë me serbët e punësuar në institucionet e uzurpuara komunale, nga Serbia deri në fund të luftës, kur ata nisën ti vrasin edhe gjakovarët, nëpër shtëpitë e tyre”, foli Qarri për “Bota sot”.

Haziri: Sot na pret një situatë e tensionuar

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti tjetër politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë gjithashtu se skandali i deputetet Kusari-Lila do të ndikoj në tensionimin e situatës gjatë ditës së sotme.

“Indiferenca e Qeverisë dhe tentimi për t'i ikur përgjegjësisë për skandalin e ashtuquajtur "ZDRAVO" në të cilin është përfshirë zyrtarja e lartë e partisë në pushtet, Mimoza Kusari Lila në një bisedë më Rajdojçiqin i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe i akuzuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dhe eksponentë të tjerë të Listës Serbe me të cilën tentohet kordinim për çështje të ndjeshme në Kosovë, siç është edhe çështja e listave të veteranëve të UÇK-së, në një farë forme ka me provokuar protesta dhe tensionim të skenës politike siç e pamë edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës ku pati përleshje në mes deputetëve të opozitës dhe ministrave të qeverisë së Kosovës”, potencon ai.

Në fund, analisti nënvizon që në këtë tensinim të situatës ka ndikuar edhe ligji për pagën minimale në Kosovë në të cilën nuk janë përfshirë edhe veteranët e luftës së UÇK-së.

“Gjithsesi në këtë tensinim të situatës ka ndikuar edhe ligji për pagën minimale në Kosovë në të cilën nuk janë përfshirë edhe veteranët e luftës së UÇK-së të cilët poashtu kanë paralajmëruar protesta. Pra bazuar në këto që i thash por edhe në dështimet e shumta të kësaj qeverie, na pret një situatë e tensionuar nga e cila do të mund të dilet vetëm me shkuarjen në zgjedhje të parakohëshme”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat