Publicisti vjen me deklaratë të fortë: Borrell dhe Vuçiq bashkëpunuan kundër Kosovës – ky dokument u hartua në Beograd!

Politika

Publicisti vjen me deklaratë të fortë: Borrell dhe Vuçiq bashkëpunuan kundër Kosovës – ky dokument u hartua në Beograd!

Nga: A.M. Më: 15 korrik 2023 Në ora: 19:59
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq/Foto ilustrim nga "Bota sot"

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë në qendër të vëmendjes, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

E ajo që po kritikohet është edhe qasja e përfaqësuesve të BE-së, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak ndaj Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.

Së fundmi, kujtojmë se Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur edhe masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” kritikoi ashpër Lajçakun dhe Borellin për qasjen e tyre ndaj Kosovës në ‘betejën’ e saj me Serbinë.

Së pari, ai tha se të gjitha situatat eskaluese në veri i kanë nxitur këta dy përfaqësues me deklaratat e tyre nxitëse dhe të njëanshme.

“Qasjet Lajçak dhe Borrell ndaj Kurtit, përkatësisht, Kosovës, janë destruktive dhe të njëanshme. Kurti rrëfen: "Në një takim dialogues në Bruksel, unë bëra 8 (tetë) propozime, si variante të bollshme për zgjidhje të çështjeve, të mbetura peng nga Serbia. Të gjitha u refuzuan. Vetëm një propozim e bëri Vuçiq dhe u pranua nga Borrell!” Kjo dëshmon se Vuçiq e Borrell konsultoheshin paraprakisht. Dhe, Kjo është e padrejtë, e dhimbshme, sepse peshorja e së drejtës anon nga i forti.

Të gjitha kundërshtive eskaluese të situatave të serbëve në veriun e Kosovës, u kanë paraprirë deklaratat nxitëse të ndërmjetësuesëve të dialogut Kosovë-Serbi. Udhërin e heqjes të targave, edhe pse ndërkombëtarët e pranuan si të ligjshme, me vonë u penduan, i relativizuan si "teneqe", që nuk duhet marrë me ato, edhe pse serbët deklaronin hapur se "nuk e pranojmë as qeverinë dhe as shtetin e Kosovës", pra, as targat RKS! Pasojnë barrikadat serbe dhe ndërkombëtarët i quajnë të ligjshme! Edhe pse KFOR dhe EULEX proklamonin se "jemi këtu, për sigurimin e lëvizjes së lirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut", megjithatë, ishte rast unik në botë, për një muaj radhazi u toleruan barrikadat, të vëna nga bandat e veriut”, deklaroi publicisti.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Po ashtu, Zeqiraj, komentoi edhe ‘pendimin’ që kishin ndërkombëtarët për lejimin e zgjedhjeve lokale në komunat veriore, ku me përfundimin e tyre edhe shpërthyen protestat e dhunshme.

“Për ta paralizuar administratën, rendin, jetën politike, zyrtarët komunalë, policia, gjyqësia, me urdhër të Beogradit, provokuan bojkotin total, me qëllimin politik, për ta paralizuar jetën në veri, për të përfituar favore në dialogun Kosovë-Serbi. Vakumi administrativ pushtetar në veri, ku ligjin e bënin bandat, duke maltretuar me rrahje e djegie veturash dhe pronash bashkëkombasit serbë dhe të tjerët, ndërkombëtarët u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 (katër) komunat e veriut. "Lista Serbe" bojkotoi zgjedhjet. Fituan shqiptarët, por serbët filluan protestat, duke mos lejuar hyrjen në objektet komunale, të kryetarëve të zgjedhur! Përsëri u penduan ndërkombëtarët, pse aprovuan mbajtjen e zgjedhjeve! Dhe, pendesën e tyre i pari e denoncoi Vuçiq.

Protestat e dhunshme, me elementë kriminelë, të ardhur enkas nga Serbia, për të provokuar dhunë, deri në përgjakje, përfshirë edhe ushtarakët e KFOR-it; Policinë e Kosovës; gazetarët dhe vendorët shqiptarë. E gjithë bota demokratike reagoi, për egërsinë e bandave dhe qëllimet politike e kriminale të tyre. Madje edhe ndërkombëtarët, sidomos Borrell dhe Hovenier, deklaruan se për sjelljet banditeske duhet të veproi ligji, ndëshkimi”, theksoi ai.

Në vazhdim, publicisti nuk e përjashtoi mundësinë se Borell edhe mund të kërkojë lirimin e kriminelëve serbë, të cilët shkaktuan trazira në veri.

“Policia e Kosovës filloi arrestimin e disa kriminelëve, "të zënë me pelë për dore", pra, të faktuar me regjistrime në aksionet ekstrem të dhunshme. Përsëri ndërkombëtarët u penduan dhe akuzojnë Kurtin dhe strukturat e rendit, kinse, po provokojnë serbët në veri me burgosje. Më i ashpri ishte Borrell, fliste dhe flet me gjuhën e Vuçiqit. Nuk është çudi që nesër mund të kërkojnë edhe lirimin e tyre, në emër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, edhe pse kanë shtenë me armë zjarri në publik, duke shkaktuar plagë trupi. Dhe, ligji këto akte kriminale i cilëson shkaktim të rrezikut masiv, tentativë vrasje”, nënvizoi Zeqiraj.

Mirëpo, sipas tij, Kurti e bëri një gabim gjuhësor, të cilin e shfrytëzoi Vuçiqi.

“Kryeministri Kurti, mendoj se, bëri një "lapsus lingua", kur tha se "banditët ose në burg, ose të ikin në Serbi"! Në fakt, Kurti duhej të thoshte se turmat me pagesë, të dërguara nga Serbia, enkas për protesta në veriun e Kosovës, të kthehen nga kanë ardhur, ndërsa banditët e dhunshëm të arrestohen menjëherë. Banditërit e dhunshëm, që kanë shkaktuar plagë e gjak, të cilët arrijnë të arratisën në Serbi, apo gjetkë, ndërkombëtarët të trysnojnë tek Vuçiq, për t`i kthyer kriminelët në vendin e krimit, në Kosovë, për t`u hetuar dhe dënuar, për krimet e tyre ndër vite dhe këto të fundit.

Presidenti Vuçiq e shfrytëzoi këtë gabim të Kurtit, do ta quaja gjuhësor, dhe vazhdon ta keqpëdorë, duke thënë se "Kurti po bënë spastrim etnik në Kosovë, duke u thënë serbëve në Kosovë ose ikni në Serbi, ose do t`ju fus në burg"”, shpejgoi publicist nga Gjermania.

Ndër të tjera, ai kritikoi edhe Lajçakun dhe presionin për themelimin e Asociacionit, ku vlerësoi se kjo është një qasje armiqësore ndaj Kosovës.

“Lakuam emrin e shefit Borrell, në qasjen kontraverse të tij, në raport me Kurtin dhe Kosovën. Por, hiq më të lehta nuk i ka "dajret" vartësi i tij Lajçak, në qasjet tejet të vrazhda ndaj Kosovës, në veçanti, kur bëhet fjalë për Asociacionin. Ilustrojmë me Draft statutin, të paraqitur në Bruksel, nga Komisioni Menaxhues serb, i emëruar nga qeveritë e para Kurtit, por që kurrë nuk u konsultuan dhe as nuk i dha llogari organeve përkatëse të Kosovës. Nga përmbajtja e Draftit, rezulton të jetë hartuar në Moskë e Beograd!

Në mes tjerash, Drafti përmbanë edhe këto "xhevahire": kërkohet autonomi territoriale për serbët e Kosovës, madje edhe të drejtën e referendumit, edhe pse referendumi nuk lejohet me Kushtetutën e Kosovës. Dhe, pas leximit të këtij palo Draft statuti nga Lajçak, deklaron mburrshëm se "Drafti është një pikënisje e mirë për dialogun e mëtejmë!" Pas kësaj qasjeje, thellësisht armiqësore, por edhe kriminale karshi Kosovës dhe popullit të saj, ballafaqimi me atë, pra, Lajçak-un, do të ishte i sikletshëm”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat