Juristi shqiptaro-amerikan i shkruan DASH-it, që sanksionoi Vulinin: Mos harroni se me kë keni punë!

Politika

Juristi shqiptaro-amerikan i shkruan DASH-it, që sanksionoi Vulinin: Mos harroni se me kë keni punë!

Nga: A.Zh Më: 16 korrik 2023 Në ora: 10:23
Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandar Vulin

Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit, ka futur drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, në listën e sanksioneve amerikane.

Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“Këto marrëveshje korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon”, u tha në njoftimin e Thesarit, të publikuar pesë ditë më parë.

Sipas njoftimit të Thesarit, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Vulin ka mbajtur raporte që kanë pasur përfitim reciprok me trafikantin e armëve, Sllobodan Teshiq, duke mundësuar që dërgesat me armë të tij të mund të lëvizin lirshëm përtej kufijve të Serbisë”, u tha në njoftim.

Për këtë ngjarje, ka reaguar edhe juristi shqiptar, që vepron në Amerikë Luz Tomaj. Ai ka treguar për gazetën “Bota sot”, se i ka dërguar një letër Departamentit Amerikan të Shtetit. Në këtë letër, Tomaj i ka kërkuar që të ketë kujdes, pasi Vulin është bashkëpunëtori më i ngushtë i ministrit të Sllobodan Millosheviqit, që kreu krime në Kosovë.

“Në fund të çdo jave, përmes rrjetit elektronik – E-maillit, më vjen, nga DASH-i, raporti i aktiviteteve ditore, gjatë javës. Sot, më erdhi raporti. Përveç tjerash, me datën 11 korrik, raportohet edhe për rastin e serbit të korruptuar – Vulin – nën titullin Dezignation of corrupt official in Serbia, në të cilin përshkruhen aktivitetet korruptive të Vulinit.

Nuk munda ta anashkaloj dhe të mos reagoj. Ndaj edhe iu drejtova DASH-it:

Po sa e lexova raportin e 11 korrikut. Serbi Vulin ishte dhe është shoku dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i presidentit Vuçiq. Vuçiqi ka qenë ministër dhe bashkëpunëtor i S. Millosheviqit, i cili kreu gjenocid më 1999, në Kosovë.

Mos harroni, ju lutem, se me kë keni punë”, ka deklaruar Tomaj për “Bota sot”.

Ai ka thënë se pret që “brenda 3-5 ditëve, DASH-i t’ia thotë ndonjë fjalë”.

Vulin më herët ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat