“Takime të dështuara” Kurti – Rama/ Hakmarrje apo sinjale?

Politika

“Takime të dështuara” Kurti – Rama/ Hakmarrje apo sinjale?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 korrik 2023 Në ora: 08:19
Albin Kurti dhe Edi Rama

Ka kaluar një muaj që nga anulimi i mbledhjes së përbashkët Kosovë- Shqipëri nga ana e kryeministrit shqiptar, Edi Rama e takimet e “mundshme” mes tij dhe kryeministrit Kurti ende nuk po realizohen.

Të hënën është mbajtur takimi informal i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me liderët e Ballkanit Perëndimor, ai u zhvillua në “Vilën 30” dhe ishin të pranishëm Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.

Në takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte shkuar në margjinat e edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.

Mungesa e Kurtit, Ramës “nuk i bëri përshtypje”, ku pasi përfundoi takimi në konferencën e pyetur rreth Kurtit, ai u shpreh se “nuk shoh asnjë interes sepse ishin të gjithë të ftuar dhe kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”.

E hëna e 18 korrikut, nuk është e vetmja ditë apo takim ku Rama nuk mundi të takohej me Kurtin, ai në fillim të korrikut kishte qëndruar në Kosovë, ku ishte takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me kryeparalementarin Glauk Konjfuca, por jo edhe me kryeministrin Kurti, ndonëse shpresonte një takim me të.

Tashmë po bëhen dy herë mostakimi që nga anulimi i mbledhjes së përbashkët dhe nëse këto janë “hakmarrje” të Kurtit kundrejt Ramës, kanë folur analistët politikë të cilët nuk e shohin si “hakmarrje”, por si sinjal të fundit për veprimet e Ramës dhe “përzierjet” e tij.

Sipas tyre, më me rëndësi për Kurtin ishte vizita në Greqi, pasi kjo e fundit nuk e ka njohur Kosovën.

Mehazi: Kurti nuk ka problem me Procesin e Berlinit, por me Vuçiqin

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se Kurti ka qenë i detyruar ta lë takimin informal të Ramës në Tiranë.

Image
Sulejman Mehazi

“Mospjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në darkën joformale apo në takimin informal në Tiranë me liderët e Ballkanit Perëndimor me rastin e Procesit të Berlinit nuk ka aspak të bëjë me hakmarrje ndaj Ramës, por me detyrime shumë më të rëndësishme diplomatike të shkuarjes së Albin Kurtit në Greqi, Kurti ka qenë i detyruar që të le takimin informal të Ramës në Tiranë për të shkuar zyrtarisht në Greqi, për t'u takuar me funksionarët e Greqisë që ende se kanë njohur Kosovën, por njëkohësisht Kurti në Athinë të takohet me ndërmjetësuesin e BE-së të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, shprehet Mehazi.

Sipas tij, më me rëndësi për Kosovën ka qenë takimi në Athinë dhe nuk ka të bëj fare me hakmarrje e inate.

Për Kosovën shumë më i rëndësishëm ka qenë takimi i Kurtit në Athinë që ende se ka njohur Kosovën, po dhe me përfaqësuesin e lartë të BE-se, Borellin, sesa të shkonte në Tiranë për darka të çuditshme joformale e për takime informale. Kurti nuk ka problem me Procesin e Berlinit, por me Vuçiqin, për shkak se kryeministri Kurti që moti kundërshtonte Ballkanin e Hapur të Ramës duke përkrahur fuqishëm Procesin e Berlinit dhe jemi të bindur se Kurti më 18 tetor do të merr pjesë në Tiranë me liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe do të mbështes Planin e Ri financiar dhe ekonomik të BE të Berlinit. Mesazhi i mospjesëmarrjes në Tiranë dhe shkuarjes së Kurtit në Greqi më shumë është diplomatik e s'ka fare të bëjë me hakmarrje e inate, për Kurtin më e rëndësishme është njohja e Kosovës nga Greqia sesa takimi informal apo darka jo formale e Ramës në Tiranë”, pohon Mehazi.

Kujtojmë se kryeministri shqiptar, Edi Rama kishte anuluar mbledhjen e qeverive të përbashkët në kohën kur veriu i Kosovës ishte i tensionuar dhe për këtë ai dëshironte takim veçmas me kryeministrin Kurti.

E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar” – ka thënë fillimisht kryeministri Rama.

Por, përveç anulimit të mbledhjes, Rama ishte “kujdesur” për Kosovën edhe për “zgjidhjen” e asociacionit, ku kishte dërguar një draft status të tij në Francë e Gjermani, ndërsa në anën tjetër “miqësinë” me Vuçiqin ai nuk e kursen.

Qarri: Ishte koha e fundit, që Ramës t’i bëhet e ditur se raportet ndërmjet dy shteteve dhe kryeministrave, nuk do të jenë më raporte vazale

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se përzierjet e pareshtuara të Ramës në çështjet shtetërore të Kosovës bëri që kryeministri Kurti “t’ia tregojë vendin”.

Image
Gani Qarri

“Në fakt duke parë sjelljet megalomane dhe qëndrimet e dyshimta e frustruese të Edi Ramës, me goditje të herëpashershme prapa shpine të Qeverisë dhe shtetit të pavarur të Kosovës, ishte koha e fundit, që atij ti bëhej, jo më vetëm me fjalë, por edhe praktikisht me dije, se raportet ndërmjet dy shteteve dhe kryeministrave, nuk do të jenë më raporte vazale, por raporte zyrtare, ndërshtetërore, ashtu siç i ka vendi ynë edhe me shtetet tjera shumë më të mëdha si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Hollanda, Franca etj. Rama, shprehur më së buti, ka bërë shumë mëkate, për të mos thënë edhe tradhti të vazhdueshme kundër Republikës së Kosovës, që nga paraqitja e shtetit tonë, në hartat e ideimit utopik ruso-serb, me emra humoristik, si "mini-shengen" " ballkan open" "mini-jugosllavi" etj., si pjesë e territorit të Serbisë, deri te mbështetja e idesë për ndarjen e Kosovës, mbajtja e konferencave ndërkombëtare për Kosovën etj., që në fakt është ide e Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste

“Përzierjet e pareshtura të Edi Ramës në çështjet tona shtetërore, anulimi i takimit të paraparë të dy qeverive, vetëm një ditë para takimit, i cili pa fije turpi, as ndërgjegjeje njerëzore e kombëtare, Qeverinë e vendit amë të shqiptarëve-Shqipërinë e futi në histori si Qeveri e cila, e para në Evropë, vendosi sanksione kundër Kosovës, përderisa vendet tjera evropiane shumë më të largëta, ende flisnin vetëm për ndërmarrje masash. Anashkalimi i udhëheqësve të Kosovës, kudo që takoheshin në tubimet evropiane, vëllazërimi me Vuçiqin dhe mbështetja e Serbisë, edhe për tendosjet që Vuçiqi me grupet e tij kriminale shkaktonte në Kosovë, projekti i "asociacionit" pa asnjë koordinim me udhëheqjen e Kosovës, dërguar kokë më vete, presidentit francez Makron dhe kancelarit gjerman Scholz, përmbajtjen e të cilit mund ta di Vuçiqi, por jo edhe Kosova, ani pse formimin e tij, Rama e parasheh në Kosovë, jo në Afrikë. Për aq më tepër, mjerisht Edi Rama, përflitet edhe për angazhim të drejtpërdrejtë, në fushatën për rrëzimin e Kryeministrit Kurti, faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë së Vuçiqit, imponimin e primatit të babait, mbi udhëheqësit e Kosovës etj., mbajtja e konferencave ndërkombëtare për Kosovën, etj, të cilat vërtetë kanë mbushur kupën dhe u bë mirë, që Kryeminstri Kurti, përfundimisht i tregoi vendin Ramës, si dhe bëri me dije ati, se veprimet e mëtejme të kësaj forme, nuk do të tolerohen më nga Kosova”, shprehet Qarri.

Sipas tij, Rama e ka goditur vazhdimisht dhe e godet jo vetëm Kurtin, por edhe popullin dhe shtetin e Kosovës dhe për këtë ishte momenti i fundit që t’i thuhet stop.

Kosova kaq sa është, është shtet i pavarur, edhe Shqipëria nuk është fort e madhe, madje, nuk është as aq sa do duhej të ishte, sido që të jetë, Kosova nuk ka vendosur kurrë kushte dhe është treguar e interesuar gjithmonë për bashkëpunim, sa më të ngushtë dhe koordinim permanent në politikën e jashtme me shtetin shqiptar. Kosova ishte çdo herë për marrëdhënie të përhershme vëllazërore dhe ndihmë e mbështetje të ndërsjella me Shqipërinë, por nuk kishte interes për tradhti dhe goditje pas shpine, të një shqipfolësi, të cilin rastësia e solli në krye të qeverisë së Shqipërisë, i cili fatkeqësisht në raport me Kosovën, sillet sikur të jetë vetëm shqipfolës, por jo edhe shqiptar me ndjesi dhe afinitet për bashkëkombësit në Kosovë as trojet tjera shqiptare, të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Madje këto që unë ceka, janë vetëm një pjesë e vogël, e ajsbergut të bëmave negative të Edi Ramës kundër popullit dhe shtetit të Kosovës, të cilat janë publikuar qindra herë nëpër media, ndërsa dyshohet se ka edhe shumë tjera, që për shkaqe dhe arsye të ndryshme nuk janë bërë të njohura për publikun, me të cilat Rama e godet vazhdimisht dhe e ka goditur sa herë ka mundur, jo vetëm kryeministrin Kurti, por edhe popullin dhe shtetin e Kosovës, prapa shpine. Prandaj ishte momenti i fundit, që një matrapazi dhe megalomani të paskrupullt, ti thuhej stop, nga dikush, dhe ai dikush, nuk mund të ishte kush tjetër më me peshë dhe rëndësi, se vet kryeministri i vendit tonë, i cili ka sakrifikuar shëndetin dhe vitet më të mira të jetës për këtë vend, si dhe ka kontribuuar e kontribuon në vijimësi me tërë qenien, dijen dhe aftësitë e tij intelektuale e njerëzore, për mbarëvajtjen e shtetit dhe perspektivën sa më pozitive të popullit të Kosovës, duke arrit i vetëm, për dy vite e gjysmë, më shumë se disa qeveri bashkë, për dy dekada me radhë, e njëra prej këtyre arritjeve madhore është data e liberalizimit të vizave si dhe perspektiva premtuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës etj.”, pohon Qarri.

Mostakimet me Ramën, Qarri nuk i sheh “hakmarrje” të Kurtit, por sinjal të fundit që ai ta kuptojë se për Kosovën mund dhe jenë të autorizuar të flasin vetëm të zgjedhurit e saj.

Kryeministri Albin Kurti, nuk u takua me Ramën, as gjatë vizitës që ai edhe pas anulimit të takimit të dy qeverive, pati sy e fytyrë, ti bënte Kosovës, ndaj ishte e natyrshme, që atë të cilin nuk e takoi në Prishtinë, kryeministri ynë, nuk do të shkonte ta takonte as në Tiranë, në takimin informal të thirrur nga Edi Rama me liderët e Ballkanit perëndimor. Akt të cilin unë nuk e shoh fare si lloj “hakmarrje”, vetëm për shkak të anulimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë- Serbi nga ana e Ramës, por më tepër si sinjal i fundit dërguar Ramës, që përfundimisht ta kuptojë ai vet dhe të binden edhe udhëheqësit e BE-së si organizatë shtetesh të pavarura si dhe president e kancelar të Fuqive Evropiane, si Franca, Gjermania, e vende tjera, se për Kosovën, mund dhe janë të autorizuar të flasin vetëm të zgjedhurit e saj me votën e lirë të popullit, e jo satrapët, që hanë me një sahan dhe deklarojnë veten për vëlla me pasardhësin e Millosheviqit, në Serbi Aleksandër Vuiçiqin. Kështu që Rama, tanimë, ka dëshmitarë të gjitha vendet e BE-së, se tash e tutje, kur është në pyetje Kosova dhe çështjet e saj të brendshme, ndërhyrjet e tij, nuk janë të dëshirueshme as nuk do të tolerohen, dhe ai duhet të tregohet më i kujdesshëm,e të mos insistojë, ta luaj me forcë rolin e "babait", mbi Kosovën, përderisa populli dhe shteti i Kosovës i ka mësuar të gjitha dredhitë e tij dhe është shumë i injoruar, me projektet e Ramës për bosnjëzimin e Kosovës dhe propozimin për konferenca ndërkombëtare, që pas gati 25 vitesh të çlirimit nga Serbia dhe mbi 15 vite të pavarësisë, të diskutohet edhe njëherë statusi ynë, në konferenca ndërkombëtare, ani pse pavarësia e Kosovës, është vulosur qysh më 2010, nga vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, si organi më i lartë juridik i OKB-së”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat