Thirrja për protesta dhe bllokim të Kuvendit, “zbulohet” kush fshihet prapa OVL-UÇK-së/ Ja qëllimi i tyre

Politika

Thirrja për protesta dhe bllokim të Kuvendit, “zbulohet” kush fshihet prapa OVL-UÇK-së/ Ja qëllimi i tyre

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 korrik 2023 Në ora: 10:17
Protesta e fundit e veteranëve

Ligji për pagën minimale është arsyeja që veteranët janë duke paralajmëruar përsëri protestë dhe bllokim të parlamentit.

Të shtunën, veteranët kishin protestuar kundër ligjit për pagën minimale, ligji ky i cili nuk i ka përshirë ata dhe që ishte miratuar nga kuvendi të enjten.

Protesta paralajmërohen sërish më 26 korrik, ndërsa për këtë është informuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një takim me Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës OVL e UÇK-së.

Pas takimit, Kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se do të mbajnë protesta që të bllokojnë punën e parlamentit të Kosovës.

OVL paralajmëron bllokim të punës së Kuvendit

Sipas tij, para presidentes i parashtruan kërkesat e tyre dhe siç tha Jashari presin nga Osmani që mos ta dekretojë ligjin.

“I dini qëndrimet e OVL e UÇK-së. Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë të bllokojmë tutje punët e parlamentit. I thamë çfarë kishim për t’ thënë presidentes dhe i bëmë kërkesë që mos ta nënshkruaj një ligj të tillë i cili i diskriminon veteranët e luftës. Besoj që edhe në përputhje me ligjet për këto kategori ka plotë shkelje dhe ne i thamë që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kompetencat si dhe do të bllokojmë punën e kuvendit. …Këtu u shkel dinjiteti i kësaj kategorie….”, ka thënë Jashari.

Ai po ashtu tha se: “Kërkesa jonë ishte që Osmani mos të dekretojë dhe mos të nënshkruaj ligjin. Presidentja ka kabinetin e saj dhe paanshëm kanë me i pa të gjitha ato. Nëse e nënshkruan një ligj ‘do i vendosësh vetes një notë të keqe’ ”.

Analistët politikë konsiderojnë se protestat nuk janë zgjidhje. Sipas tyre, ato janë të orkestruara nga opozita dhe kanë për qëllim rrëzimin e qeverisë Kurti.

Burjan: Protesta është legjitime, por nuk është zgjidhje

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se problemet janë të kuptueshme dhe publike.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, duhet të dihet saktë numri i veteranëve dhe pastaj të gjendet një zgjidhje.

“Problemet janë të kuptueshme dhe publike, duhet të dihet numri i saktë i veteranëve, pa u ditë numri nuk mund të dihet saktë edhe buxheti që duhet të ndahet për këtë kategori. Deri më tash nuk ka numër zyrtar për këtë kategori, ka pasur plot persona që janë paraqitur si veteran, pra duhet të zbardhet numri i saktë i tyre për të marrë orientim zgjidhja, kështu është e vështirë e komplikuar të orientohet deri te një zgjidhje, asistenca kompenzuese apo pagesa duhet të jetë paga mesatare në Kosovë, por jo pagë minimale, normal për të marrë kompensim veterani duhet të jetë i papunë, ose edhe i sëmurë apo i pa aftë për punë”, shprehet Burjani.

Sipas tij, protesta është legjitime, por nuk ofron zgjidhje.

“Mirë presidentja që i ka prit dhe që janë takuar, por problemi i takon organit ekzekutiv. Protesta është legjitime, por nuk është zgjidhje, pra duhet zgjidhje për këtë çështje, do të ishte shumë e drejtë që vetë vullnetarisht të deklarohen se kush janë të vërtetë dhe kush jo. Duhet të dihet të gjithë personat që kanë marrë paga duhet t’i kthejnë ato me këste ose të ndjeken penalisht”, thekson Burjani.

Rreth takimit me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, zyra e presidentes thotë se Presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

Sipas Presidentes Osmani, ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive.

Miftari: Kërcënimi me demostratë është kërcënim i PDK-së, LDK-së

Image
Naim Miftari

Kurse, ish-agjenti i SHIK-ut dhe analisti, Naim Miftari, OVL-në e konsideron degë politike të PDK-së, AAK-së dhe Nismas.

Ai përmend edhe mediat, sindikatat që sipas tij, janë lodra politike të partive të përmendura më lartë.

“Takimi me presidenten e vendit rreth kinse ligjit për rrogë minimale dhe kërcënimet e OVL-së, kinse me protesta kundër qeverisë është luftë speciale, shantazhe e opozira të Kosovës, pasi nuk është sekret se OVL-ja është vetëm degë politike e PDK-së dhe AAK-së, pasi shumica rreth 80 për qind e veteranëve të rrejshëm janë militantë dhe votues të PDK-së, AAK-së dhe Nismës. Pra, nëse llogarit nga 50.000 veteranë nga ta mbi 40.000 veteranë të rrejshëm nga të cilët PDK, AAK, Nisma i sigurojnë deri 200.000 vota politike për partitë e tyre dhe lufta speciale serbe me miqtë e saj ndërkombëtarë. Kundër qeverisë së Kosovës si aleat serbë sot janë edhe opozita e cila sa ishte në pushtet nga pas lufta zë nuk guxonte të bënte, OVL dhe mediat kontrolluara nga ish- pushtetarët, sindikatat e tyre si për shembull sindikata Arsimi, AVL..et, OJQ... të gjitha pothuajse shumica mbi 90 janë vetëm lodra politike të PDK-së, AAK-së, LDK-së”, shprehet Miftari.

Sipas tij, kërcënimi me protestë është i PDK-së dhe LDK-së, prandaj ai kërkon që fillimisht të pastrohen listat pastaj të ndahen pensionet.

“Pra, kërcënimi me demostratë është kërcënim i PDK-së, LDK-së, qeveria derisa të pastrohen lista do të ishte mirë që t’i ndalonte të gjitha pensionet dhe ato fonde t’i destinojë për blerjen e armëve për FSK-në, Policinë, për shtetin e Kosovës, barrikadat serbe, lojëra të listës serbe, incizimet ilegale në parlamentin e Kosovës nga BIA serbe dhe publikimi i tyre përmes miqve të UBD-së. Dhuna në paralament, paralajmërimi i sindikatave të arsimit dhe tani kërcënimi i OVL-së e kanë një adresë dhe një qëllim dhe qëllimi i tyre është rrëzimi i qeverisë Kurti që i ka 51 për qind të votave dhe ta kthejnë në pushtet PDK-në, LDK-në, AAK-në, Listën Serbe dhe në fund ndarja e Kosovës që do të përkrahet edhe nga miqtë tanë”, thekson Miftari.

Tutje, sipas tij, protesta ka të drejtë të bëj secili, por nëse protesta tenton që me dhunë të arrihen qëllimet e errëta të opozitës dhe qëllimet e shtetit serb, atëherë duhet të ndërhyjë policia.

“PDK, LDK, AAK e Lista serbe e dinë shumë mirë se edhe së paku 10 vitet e ardhshme nuk munden ta fitojnë LVV dhe Guxo në zgjedhje të ndershme demokratike dhe prandaj këtyre partive të korruptuara ju duhet dhuna, skenat, trazirat, protestat, pasi vetëm ashtu në koordinim edhe me shtetin serb mund të vijnë prapë në pushtet në pushtetin e korrupsionit, të tenderave dhe të hajnisë si e kishin shndërruar Kosovën nga viti 1999- 2020. Protestë ka të drejt çdokush të bëj, por nëse protesta tenton që me dhunë të arrijë qëllimet e errëta të opozitës dhe qëllimet e shtetit serb, policia e Kosovës për atë paguhet, ta mbrojë shtetin e Kosovës nga anarkia e ish- pushtetarëve, ish- komandantëve që sot secili është më milionerë sesa tjetri, edhe pse para dhe deri në përfundim të luftës ishin shumë njerëz të vobekët, por sot janë multi milionera të pasuruara nga korrupsioni sa ishin në pushtet, nga hajnia, nga kontrabanda, nga uzurpimet, nga krimi i organizuar. Një luftëtar i vërtetë i UÇK-së edhe nëse 1000 euro e ka pensionin dhe nëse nuk është i punësuar është pak, por atyre tjerëve 80 për qind, pra mbi 40.000 veteranë të rrejshëm e meritojnë burgun, bashkë me ata komandantë që për qëllime politike dhe përmes parave i kanë bërë veteranë të luftës pa qenë në luftë asnjë ditë të vetme”, përfundon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat