“Serbia nuk ndahet nga ndikimi rus e kinez”, profesori “zbulon” lojën e Vuçiqit me ndërkombëtarët

Politika

“Serbia nuk ndahet nga ndikimi rus e kinez”, profesori “zbulon” lojën e Vuçiqit me ndërkombëtarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 korrik 2023 Në ora: 20:26
Aleksander Vuciq

Eksperti i Çështjeve për Ballkanin Perëndimor si dhe profesori amerikan, Alon Ben Meir, thotë se BE dhe ShBA nuk e favorizojnë Serbinë.

Sipas tij, ata duan ta distancojnë Serbinë nga Rusia, veçanërisht për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, dhe të pengojnë Rusinë që të destabilizojë rajonin përmes Serbisë.

“Duke qenë se BE-ja dhe SHBA-ja garantojnë pavarësinë e Kosovës nën ombrellën e NATO-s, përfshirja e tyre e vazhdueshme është e sigurt. Për arsye të mirë, ata duan të shmangin një përsëritje të demonstratës së serbëve etnikë dhe lëndimeve fatkeqe të marra nga afro 30 ushtarë të KFOR-it. BE dhe SHBA nuk do të shmangin ndërhyrjen nëse do të jetë e nevojshme për të parandaluar një tjetër zjarr. Të gjithë duhet të kujtojmë se as BE-ja dhe as SHBA-ja nuk e favorizojnë Serbinë mbi Kosovën, ajo që ata duan të arrijnë është të distancojnë Serbinë nga Rusia, veçanërisht për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, dhe të pengojnë Rusinë që të destabilizojë rajonin përmes Serbisë”, u shpreh Meir.

Në anën tjetër, rreth qasjes ndaj Serbisë e Vuçiqit u pyet të martën edhe i dërguari i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar.

Esobar është pyetur nga kongresmeni nga Teksasi, Keith Self për qasjen e balancuar në raport me Kosovën e Serbinë.

Self ka kërkuar një koment nga Escobari edhe një qëndrim të tij në lidhje me “përkëdheljen e Serbisë” në raport me Kosovën.

Derisa Escobar ka mohuar se po ndodh një gjë e tillë.

“Kjo qasje është e gabuar dhe ne kemi fakte. Në 60 ditët e fundit ne kemi mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës si dhe kemi njohur legjitimitetin e zgjedhjeve në veri edhe pse kanë dalë në zgjedhje vetëm 3%. Kemi sanksionuar edhe shefin e Inteligjencës së Serbisë”, ka deklaruar Escobar.

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi thotë se e kanë gabim ata që mendojnë se me lëshime ndaj Serbisë do ta tërheqin atë nga ndikimi rusi dhe kinez.

Sipas tij, Serbia nuk largohet nga Rusia dhe Kina dhe këtu ka lojë të Vuçiqit.

“Në kuadër të qëndrimeve ndaj UE-së dhe SHBA-ve mbi Kosovën, ka disa zëra kundër, që janë duke u bërë si në Evropë, ashtu edhe në SHBA.

Zërat kundër masave të ndërmarra ndaj Kosovës po dëgjohen nëpër kuvendet nacionale, në Parlamentin e UE-së, deri në Kongresin dhe në Senatin e SHBA-ve.

Qëndrimet kritike janë mjaftë të qarta. Vlerësimet janë se UE dhe SHBA kanë gabuar me masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Përgjegjës për gjendjen është shteti serb dhe direkt Vuçiqi.

Në SHBA ka edhe shumë shkencëtar, profesorë dhe analiste, si Daniel Server, Eduard Josef etj. që kritikuan masat e UE-së dhe të SHBA-ve ndaj Kosovës. U kërkua ndalimi i tyre dhe ngritja e sanksioneve ndaj Serbisë”

“E përbashkëta e kundërshtimeve është: Gabohen rënd ata që duke menduar se kështu dhe me këto lëshime ndaj Serbisë se po e tërheqin këtë shtet nga ndikimi rus dhe kinez. Kurrë Serbia nuk largohet nga Rusia dhe nga Kina. Serbia është vënë nën vartësinë e madhe ekonomike, financiare dhe ushtarake, ndaj nuk largohet nga kjo vartësi. Tash kemi vetëm një lojë të Vuçiqit që ka për qëllim ta mbroj veten dhe të marrë mjete financiare nga perëndimi dhe investime tjera”, shprehet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Çdo gjë që deklarohet nga Beogradi është fallco, thotë Kelmendi, gjersa shton se Serbia është përgjegjëse për bandat në veri të Kosovës.

“Çështja është e qartë. Serbia nuk largohet nga pozita e marrëdhënieve të afërta me Rusinë dhe me Kinën. Kemi vartësi të madhe ekonomike, ushtarake dhe njerëzore nga Rusia dhe Kina.

I tërë arsenali i luftës është ruso-kinez. Çdo gjë që deklarohet nga Beogradi është fallco dhe qëndron në përpjekjet për masa financiare dhe incestime, në mënyrë që pa u penguar të vazhdojë rrugën e konflikteve dhe të agresionit ndaj Kosovës.

Shteti serb është përgjegjës për bandat në veri të Kosovës. Serbia po i armatos bandat serbe në Kosovë. I ka shndërruar kishat e manastiret serbe në qendra të armatimit. Kurrë Serbia nuk hoqi dore nga ripushtimi i Kosovës. Në Kushtetutën e Serbisë, në preambule, qëndron se Kosova është krahinë jugore e Serbisë. Kosova konsiderohet si vend serb. Mbi këtë ndërtohet politika serbe”, përfundon profesori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat