Ish-zëvendësministri i MPB-së: Kosova po paralajmërohet për marrëveshjen finale me Serbinë!

Politika

Ish-zëvendësministri i MPB-së: Kosova po paralajmërohet për marrëveshjen finale me Serbinë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 20 korrik 2023 Në ora: 22:37
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Zhvillimet politike në Kosovë, janë jashtëzakonisht të tensionuara.

Kjo është pa edhe në Kuvendin e Kosovës, kur pati përplasje ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe ministrave të Qeverisë.

Krejt këto zhvillime po bëhen që partitë opozitare të kthehen në pushtet.

Kështu thotë ish – zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se me këto veprime të opozitës, vetëm që do t’i zgjatet mandati Qeverisë Kurti.

Tërnava paralajmëron se me Qeverinë Kurti dikujt do t’i konfiskohet pasuria e pajustifikueshme, prandaj është acaruar edhe opozita aktuale.

“Zhvillimet politike, siç po zhvillohen në vendin tonë, e kanë prapavijën e vet për të qenurit vetë në pushtet, e sidomos që partitë e ndryshme që ishin deri më tani në pushtete, nuk ishin të përkushtuara sa duhet për zgjedhjen e çështjes së pavarësisë të Kosovës, në bisedimet që zgjaten deri më tani, dhe tani ndaj kësaj partie në pushtet, po sillen në mënyrë kundërshtuese dhe mospajtime, sepse kjo parti e cila e ka mandatin 4 vjeçar për ta qeverisur vendin si shumicë absolute në parlamentin e Kosovës, ndaj kësaj qeverie ja kanë frikën e jetëgjatësisë se saj, sepse në bazë të hulumtimeve që po i ndërmerr kjo qeveri dhe fakteve që i ka tani, hulumtimet po shkojnë në atë drejtim që shumë kujt do i konfiskohet pasuria e pa justifikueshme dhe dhënia e përgjegjësisë për këto dëme që iu kanë bërë shtetit të Kosovës”, thotë Tërnava.

Ai thekson se, është dëshmua edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, se pavarësisht dilemave, hezitimeve dhe lojërave të ndryshme politike, viti në të cilin kemi shkelur, është ndër vitet më të rëndësishme, krucial, për të pasur inatet sjellje dhe veprimi politik në interesin nacional.

“Agjenda e imponuar e faktorit ndërkombëtar tani më është e qartë, indirekt e ka pranuar dhe konfirmuar para deputetëve edhe kryeministri i vendit Albin Kurti. Asociacioni është një çështje e detyrueshme që duhet të merr epilog në këtë verë, derisa plani franko-gjerman, si projekt marrëveshje në mes të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdon të dialogohet e negociohet deri në fund të vitit. Këto janë dy elemente që flasin qartë se tani më nuk ka kthim mbrapa dhe se vetëm po paralajmërohet Kosova për marrëveshje finale me Serbinë”, thotë ai.

Tërnava potencon se, faktori ndërkombëtar po vepron me agjendë të qartë të dizajnuar për zbatim që Asociacioni mund të formohet deri në verë, ndërsa propozimi franko-gjerman mund të zbatohet deri në fund të vitit.

“Në këtë situatë të tanishme një mos koordinim pozitë dhe opozitë do të ishte rrezik për vendin në këtë proces, mos bashkëpunim dhe mos bashkëveprim, derisa dihet mirëfilli që kjo finale e dialogut me Serbinë, deri në këtë mandat të qeverisë Kurti, e ka vulën dhe mbanë firmat e ish pushtetarëve, zyrtarëve të sotëm politik në opozitë, qofshin ata deputet në parlament apo edhe jashtë parlamentit”, potencon ai.

Sipas tij, këto veprime të opozitës duhet të jenë mësim për gjeneratat politike në ardhje, që ta kuptojnë se kur e përfaqësojnë shtetin ndërkombëtarisht duhet të jenë të vëmendshëm se çfarë marrëveshjesh nënshkruajnë.

“Ato marrëveshje të nënshkruara të pakoordinuara me ligjet në fuqi, vendit i sjellin dëme të pariparueshme sikur tani që po na sillen këto telashe nga ata që i nënshkruan asociacionin si në vitin 2013 dhe 2015, dhe tani faktori ndërkombëtar po na detyron t’i jetësojmë ato vendime edhe që tani qartë vërehen dobësitë e atyre marrëveshjeve”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat