Atentatet! Gjykatës Speciale i bëhet thirrje t’i zbulojë vrasjet politike, edhe vrasjen e Shaban Manajt

Politika

Atentatet! Gjykatës Speciale i bëhet thirrje t’i zbulojë vrasjet politike, edhe vrasjen e Shaban Manajt

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 korrik 2023 Në ora: 08:12
Shaban Manaj

Shumë veprimtarë të LDK-së, pasluftës janë vrarë, e disa të tjerëve iu është bërë atentat, por fatmirësisht kanë shpëtuar.

I tillë ishte fatkeqësisht fati i veprimtarit të shquar të LDK-së, Shaban Manaj.

Më 23 korrik bëhen plotë 23 vite nga vrasja tinëzare e veprimtarit të shquar të LDK-së..

Vrasja e tij ende ka mbetur enigmë dhe nuk është zbardhur nga institucionet përkatëse.

Drejtësia në Kosovë, deri tani nuk është se ka zbluuar ndonjë gjë rreth kësaj vrasje.

Tahiraj: Sytë janë kah Gjykata Speciale

Image
Saim Tahiraj

Saim Tahiraj, veprimtar i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkëluftëtarë dhe bashkorganizator i luftës në Kosovë me Sali Çekajn, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se dhimbja për familjarët është shumë e madhe, por edhe më shumë shtohet kjo dhimbje kur që 23 vite nuk është bërë asgjë për zbulimin e saj.

Tahiraj thotë se, shpresa e vetem ka mbetur Gjykata Speciale.

“Më 23.07.2023 mbushen 23 vite nga vrasja makabre e atdhetarit dhe njëri ndër figurat më të rëndësishme të LDK-së, Shaban Manaj. Sa herë vijnë këto ditë që shënojnë shumë vrasje politike, janë të rënda dhe shtojnë dhembjen, sidomos për familjet. Peshën e dhembjes dhe të urrejtjes e shtojnë fakti që tani e 23 vite nuk u bë asgjë për zbulimin e kësaj vrasje kriminale dhe shumë vrasje tjera si kjo. Shpresat se drejtësia vendore do merret me këtë rast dhe rastet si ky, janë shuar moti sepse drejtësia vendore është kapur po nga bosët e po atij krimi të organizuar dhe dyshohet që urdhëruan ekzekutimin e tyre. Drejtësia ndërkombëtare përmes UNMIK Ddhe EULEX tentoi të bëj diçka por fare pak arriti sukses, siç duket edhe ata ranë nën ndikimin e krimit të organizuar përmes korruptimit dhe formave tjera të ndikimit. Tani shpresa e vetme ka mbet Gjykata Speciale në Hagë ku të gjithë i kemi drejtuar sytë drejt saj, sidomos familjarët e të vrarëve”, shprehet ai.

Më tej, nënvizon se të gjitha vrasjet politike janë bërë nga një qendrë, duke shtuar se zbulimi i njërës është në fije peri që do e demanton tërë lëmshin e vrasjeve politike dhe qendra urdhërdhënëse do deshifrohet.

“Mendoj që Gjykata Speciale duhet të merret edhe me këtë rast shumë të rëndësishëm pasi që hynë edhe në targetin e saj sepse ka ndodhë në vitin 2000. Uroj që Gjykata Speciale veq ka fillue hetimet për rastin Manaj dhe zbullimi i këtij rasti do jetë pistë e rëndësishme nga e cila të dërgon drejt zbulimit të rasteve tjera. Mendoj dhe besoj se të gjitha vrasjet politike jenë urdhëruar nga një qendër, zbulimi i njërës nga ato vrasje është një fije peri që do e demanton tërë lëmshin e vrasjeve politike dhe qendra urdhërdhënëse do deshifrohet. Uroj që së shpejti do ketë edhe arrestime të reja nga regjione të ndryshme të Kosovës, po edhe nga regjioni nga është Shaban Manaj. Sa më shumë arrestime do ketë nga regjione të ndryshme, rrjeti i hetimeve do hapet dhe do kemi zbulime të reja. Shpresojmë që rasti Manaj të trajtohet seriozisht nga Gjykata Speciale, urojmë të zbulohen vrasësit dhe urdhërdhënësit e tyre ta marrin dënimin e merituar. E kam thënë disa herë dhe po e përsëriti: Liria e Kosovës është e plotë vetëm atëherë kur do zbulohen të gjitha vrasjet politike dhe kriminelët do futen prapa grilave”, përfundon ai.

Haziri: Drejtësia në Kosovë, ajo e UNMIK-ut, po edhe e EULEX-it, kanë dështuar në zbardhjen e rastit

Edhe analisti Nexhat Haziri, thotë se kjo ishte një vrasje e pastër politike, duke shtuar se gjitha vrasje e zyrtarëve të LDK-së, dhe aktivistëve të saj, ishin bërë për dobësimin e LDK-së, atë kohë.

Image
Nexhat Haziri

“Vrasja paslufte e avokatit Shaban Manajt, njëheri zyrtarit të LDK-së dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, përbën krimin më monstruoz edhe për nga forma e ekzekutimit të tij. Kjo vrasje, për të cilën kemi folur dhe shkruar gjatë këtyre 23 viteve, është vrasje e pastër politike, një fushatë vrasjesh të zyrtarëve dhe aktivistëve të LDK-së gjatë dhe pas periudhës së luftës, qëllimi i së cilës ishte dobësimi i LDK-së dhe të pozicionit të presidentit historik Rugova, dhe marrja e pushtetit përmes vrasjeve, frikësimit e shantazhimit nga ata që filluan ta konsideronin Kosovën si pronë të tyre gjoja në emër të luftës”, deklaron ai.

Në fund, thekson, se drejtësia në Kosovë, ajo e UNMIK-ut, po edhe e EULEX-it, kanë dështuar në zbardhjen e rastit, tanimë shpresa e vetme është te Gjykata Speciale.

“23 vite, drejtësia në Kosovë, qoftë ajo e UNMIK-ut, më vonë e EULEX-it dhe kjo vendore pas pavarësimit të vendit, ka dështuar për zbardhjen e vrasjes së avokatit Manaj, për mungesë të vullnetit politik. Dhe tani shpresa që kjo vrasje të zbardhet dhe autorët e saj të marrin dënimin e merituar është Gjykata Special dhe procesi i drejtësisë që po ndodhë atje".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat