“Vuçiq gjendet në gjendje të rënduar psikologjike”, ja çfarë shoqate të rrezikshme përfaqëson

Politika

“Vuçiq gjendet në gjendje të rënduar psikologjike”, ja çfarë shoqate të rrezikshme përfaqëson

Nga: Naile Ejupi Më: 25 korrik 2023 Në ora: 23:07
Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Zgjedhjet në katër komuna veriore në Kosovë vazhdojnë të ngjallin diskutime.

Javë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte pajtuar me marrëveshjen e BE-së për shtensionim të situatës në veri, e cila kërkonte zgjedhje të reja dhe reduktimin e njësisë policore në atë pjesë.

Vendimi i Kurtit u përshëndet nga ndërkombëtarët, mirëpo BE u shpreh se masat ndëshkuese nuk largohen pa hapa në praktikë, kjo ka bërë që zv.kryeministri Besnik Bislimi të deklaronte që zgjedhjet të mos shpallen pa u larguar masat.

E ndaj, Bislimit reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili të martën u shpreh se autoritetet në Kosovë nuk duan zgjedhje.

“Lërini të bëjnë punën e tyre, por ata as nuk i duan ato zgjedhje, nuk duan asgjë”, tha Vuçiq pas ndjekjes së fazës përfundimtare të trajnimit të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Serbe.

Një përshkrim të profilit të Vuçiqit ka dhënë kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari kur është pyetur se çka duhet të presim nga dialogu Kosovë- Serbi.

Ai thotë se Vuçiqi ka probleme me veten dhe ai përfaqëson një shoqatë fanatike e të rrezikshme veteranësh nga koha e Millosheviçit.

“Sa herë Kurti takohet me Vuçiçin unë shoh përpara meje një kryeministër dhe një burrë që ka probleme me veten. Kurti ulet për të fol për shtetin, Vuçiq ulet për të fol për gjendjen e tij psiko-emocionale. Kurti flet për Kosovën, Vuçiq flet për grupin e tij të ngushtë. Kurti përfaqëson Kosovën, Vuçiq përfaqëson një shoqatë fanatike e të rrezikshme veteranësh nga koha e Millosheviçit, që për bela të Serbisë dhe gjithë botës kanë ende poste. Ndaj çfarë të presësh nga takime të tilla?!”, shprehet Taravari.

Image
Arben Taravari

Ai shpreson që Kurti të ketë durim dhe duke iu referuar profesionit të tij, Taravari thotë se është e vështirë të merret “me pacientë të vështirë”.

“Kemi një njeri i cili ka qenë pjesë e luftës pushtuese në Kosovë në kohë të Millosheviçit, që ka qenë pjesë aktive e atij grupi që ka vrarë e prerë në Kosovë, që i thotë kryeministrit të atij vendi "dua që të ndërtoj një shtëpi aty, premtoj që "tokën" nuk ta marr...pra takimet janë të ç'ekulibruara. Unë uroj që z.Kurti të ketë sa më shumë durim sepse si neurolog e di se sa e vështirë është të merresh ndonjëherë me pacientë të vështirë. Jam konfident që diplomacia ndërkombëtare në mos e ka kuptuar do ta kuptoj së shpejti se jo të gjithë qaramanët zbuten duke i dhënë lodra, e mbi të gjitha Kosova nuk është lodër, është shtet”, thekson ai.

Taravari shton se Vuçiqi gjendet në një gjendje të rënduar psikologjike dhe se marrëveshjet e arritura me të nuk kanë ndonjë peshë specifike.

“Shikoni, mendoj se fola qartë se Aleksandër Vuçiq ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike ndaj nuk mendoj se marrëveshjet e arritura me të kanë ndonjë peshë specifike. Më duket se diplomacia botërore po kërkon dëshpërimisht që t'i japi fund tensionit në Ballkan, kurse Kurti ka fatin e dëshpëruar që të jetë shteti i tij toka e zgjedhur për kurban nga Vuçiq. Qëndrimi i z.Kurti është një faqe e ndritur e qëndrimit të një burri shteti përballë një njeriu i cili ka probleme të dëshmuara në historinë e tij si është presidenti serb”, shton kryetari i ASH-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat