Mërgata kërkon përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe përfshirje në vendimmarrje

Politika

Mërgata kërkon përfaqësim në Kuvendin e Kosovës dhe përfshirje në vendimmarrje

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 korrik 2023 Në ora: 08:05
Kuvendi i Kosovës

Në Kosovë po mbahet aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend” që nisi nga data 24 korrik.

Me këtë aktivitet mërgimtarëve u jepet mundësia ta vizitojnë Kuvnedin e Kosovës, derisa edhe interesimi i tyre është mjaft i madh.

Ata takojnë dhe bashkëbisedojnë me deputetë, duke u njohur edhe nga afër me punën dhe veprimtarinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës kanë bërë të ditur se gjithsej në dy ditët e aktivitetit, ky institucion ligjvënës u vizitua nga mbi 450 bashkëatdhetarë, me banim në shtete të ndryshme të botës.

Latifi: Mërgata shqiptare paraqet një potencial të madh në të gjitha aspektet

Image
Haki Latifi

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, Haki Latifi, në një përgjigje për “Bota sot”, mërgata është nj potencial i pashfrytëzuar për shkak të ndarjeve të shumta.

Ai tutje, thotë se, Prishtina dhe Tirana, ministritë e tyre, kanë përgjegjësi përballë mërgimtarëve shqiptarë.

Mendoj se mërgata shqiptare paraqet një potencial të madh në të gjitha aspektet, potencial i pashfrytëzuar për shkak të ndarjeve të shumta. Është me rëndësi që shqiptarët të bëhen faktor unik, përballë shteteve ku kanë emigruar dhe vendeve të prejardhjes.

Ku do të kishin si pikë orientimi krijimin e urave bashkëpunuese, në mes të organizatave, qeverive në Atdhe, pse jo edhe koordinimin, hulumtimin e potencialit investues në komunat e Kosovës.

Problemi i shkollës shqipe- mësimit plotësues (për fat të keq ka ra në minimum); mendoj se, Ministritë shqiptare; Tiranë – Prishtinë- Shkup, kanë përgjegjësi përballë mërgimtarëve shqiptarë. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe për përfaqësuesit e shteteve tona janë e vetmja rrugë që fëmijët tanë të mësojnë të shkruajnë e lexojnë, shqip. Përveç seminareve dhe konferencave që janë mbajtur, por që nuk ka patur rezultate në masivizimin, shtimin e numrit të nxënësve në mësim plotësues nuk ka dhënë rezultate. Institucionet e Kosovës, duhet ta bëjnë institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, që shkolla të jetë pjesë përbërëse e arsimit në atdhe”, thotë ai.

Latifi si problem tjetër e sheh edhe mos miratimin i ligjit nga Kuvendi i Kosovës, për mundësimin e votimit nga konsullata ose në ambasada.

Tutje, Latifi shton se roli i mërgatës është i reduktuar sa i përket përfshirjes në vendimarrje.

Ende vazhon të jetë hendikep, procedimi, mos miratimi i ligjit nga Kuvendi i Kosovës që do t’ua mundësojë mërgimtareve votimin në ambasada dhe konsullata. Kjo do ta lehtësonte procesin e votimit për mërgimtaret. Që deri më tani mërgimtarët edhe pse e kanë pasur të drejtën e votës nga vendet ku jetojnë, shpesh herë atyre iu është pamundësuar kjo e drejtë për shkak të pengesave teknike dhe burokracisë së ngarkuar.

Fatkeqësisht dhe jo për fajin e mërgimtarëve, roli politik i mërgatës është reduktuar shumë kur bëhet fjalë përfshirjen e tyre në vendimmarrje.

Kosova ka nevojë për Energji të re me fjalë tjera, më shkurt i bie TË FAKTORIZOHET DIASPORA e jo të mbetet gjithmonë makineri votimi për interesa partiake!

Mërgata gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet promotorë i vlerave të mirëfillta kombëtare. Interesi kombëtar për mërgimtarin është mbi të gjitha interesat tjera.

Ka shumë tema që janë në interes të ndërsjell në raport me bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim, siç janë:

Rregullimi një herë e përgjithmonë i çështjës së sigurimeve të automjeteve apo siç quhet ndryshe, Kartoni i gjelbër.

Gjithashtu duhet që mërgimtari i Kosovës të llogaritet dhe të mbrohet me Ligj që çdo fëmijë, që ka njërin prind Kosovar si dhe t’iu pranohet nënshtetësia ngjashëm siç veprojnë shtetet demokratike përendimore me shtetasit e vet, pa procedura byrokratike”, përfundon ai për “Bota sot”.

Duhanaj: Mërgata do të duhej përfaqësuar në Kuvend dhe përfaqësuesit, kryesisht do të duhej mbrojtur interesat e mërgatës

Analisti Leon Duhanaj, thotë se mërgata është dëshmuar se është arteria kryesore e trungut shqiptar.

Image
Leon Duhanaj

“Bazuar mbi të kaluarën tonë historike, por jo vetëm kaq, edhe në aktualitet, mërgata ka qenë dhe mbetet njëra ndër arteriet kryesore të trungut tonë kombëtar shqiptar.

Në ketë kontekst, për mendimin tim, ajo çfarë bëhet për mergatën është në rregull por assesi mjaftueshëm.

Kur e them këtë, nuk e mendoj veç si kritikë ndaj organeve shtetërore, apo edhe subjekteve politike. Sepse arsyet pse nuk jemi mirë të organizuar besoj janë shumëdimensionale dhe, fajtorë për ndonjë ngecje, nuk janë vetëm thënë kushtimisht vendorët, por edhe vetë mërgata.

Nga njëra anë, kemi shtetet amë të cilat bëjnë shumë punë, por pa ndonjë analizë konkrete, veç sa për sy e faqe. Kjo nuk i ndihmon as mërgatës, as vendit”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova duhet që ta përfshijë mërgatën në vendimarrje, përmes një përfaqësimin të saj, përkatësisht në ligjin zgjedhor.

Kosova në këtë rast, do të duhej ta parashihte në legjislativ, përkatësisht në ligjin zgjedhor, përfaqësimin e mërgatës.

Pos kësaj do të duhej të kishim masa stimuluese- lehtësuese për mundësinë eninvestimeve nga përfaqësues të mergatës. Kosova do të duhej shumë më shumë të angazhohej dhe të investonte në shkollimin plotësues të mergatës, në mënyrë që të ruhet gjuha, kultura dhe traditat.

Tek pastaj do të vinë pritja e mergimtarëve që besoj edhe kjo është me vend”, shprehet Duhanaj.

Në fund, ai deklaron se mërgata duhet të ketë përfsqësues në Kuvend, dhe t’i mbrojë intersat e mërgatës.

Mërgata në anën tjetër, do të duhej rishikuar qasjen, karshi Kosovës, në disa aspekte.

Ne nuk mundemi si mërgimtarë me i njohur nevojat dhe rrethanat e qytetarëve rezident dhe nuk mund as t'i zgjidhim ato. Ne mund të japim këshilla në parim, për fenomene, nëse kemi çfarë të themi, e jo të përzihemi për çdo gjë.

Mërgata do të duhej përfaqësuar në Kuvend dhe përfaqësuesit nga mërgata, kryesisht do të duhej mbrojtur interesat e mërgatës. Por, kjo ndoshta merr kohë akoma. me shpresë që një ditë do të organizohemi në atë mënyrë, që secili t'i njoh përgjegjësitë dhe mundësitë e veta dhe t'u dalë ballë atyre”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat