Frikësim dhe kërcënim ndaj policëve në veri/ Analisti Raci zbulon arsyen pse Serbia po e bën këtë – ka një mesazh për Brukselin!

Politika

Frikësim dhe kërcënim ndaj policëve në veri/ Analisti Raci zbulon arsyen pse Serbia po e bën këtë – ka një mesazh për Brukselin!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 26 korrik 2023 Në ora: 17:18
Policia e Kosovës

Ditën e djeshme kanë filluar punën në veri të Kosovës 74 policë të rinj të komuniteteve joshumicë, të cilët diplomuan ditë më parë. Prej tyre, 45 janë të komunitetit serb.

Policët e rinj janë shpërndarë në të katër komunat e veriut- Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Mirëpo, ende pa filluar mirë, që nga dita e djeshme, këta zyrtarë policorë kanë filluar të kërcënohen nga Serbia.

Pas këtyre kërcënimeve ka pasur reagime të ashpra nga krerët e institucioneve të Kosovës, por edhe nga ambasadorët e huaj në Kosovë.

Për këtë çështje, analisti politik Gazmir Raci, thotë se ende nuk beson që Serbia është e gatshme për t’u rreshtuar kah perëndimi.

Image
Gazmir Raci

Ai thotë se Serbia ende ka synime territoriale ndaj Kosovës dhe kjo është arsyeja që integrimi i serbëve nuk i pëlqen asaj.

“Unë nuk po besoj që Serbia ende është e gatshme për t’u rreshtuar kah perëndimit. Edhe këto veprime na bëjnë me kuptu dhe me u bind që ajo ka synime territoriale ndaj Kosovës dhe për këtë arsye integrimi i vetëm serbëve lokal në veri nuk i pëlqen dhe me çdo forcë po e kundërshton dhe do ta kundërshtoj”, thotë Raci për gazetën “Bota sot”.

Analisti thotë se për këtë nuk pati asnjë reagim nga Brukseli, të cilët janë ndërmjetësues të dialogut.

Ne sot pamë reagim vetëm të Ambasadorëve të huaj në Prishtinë dhe asnjë reagim nga Brukseli që janë ndërmjetësues të dialogut për “normalizim të raporteve” në mes të Kosovës dhe Serbisë”, potencon ai.

Tutje, Raci thotë se duhet unitet ndërkombëtarë për të kuptuar a është e gatshme Serbia për integrim në BE.

“Kërkohet unitet tek faktori ndërkombëtarë për të kuptuar njëherë e mirë se a është Serbia e gatshme për integrim në BE dhe nëse atëherë ajo edhe sjelljet duhet t’i ketë si gjitha shtetet anëtare të familjes evropiane”, thotë ai.

Në fund Raci pohon se, Serbia vazhdon të qeveriset nga mentaliteti i Qubriloviqit, Garashaninit dhe Millosheviqit.

“Serbia ende vazhdon të qeveriset nga mentaliteti i Vasa Qubriloviqit & Millutin Garashaninit dhe Sllobodan Milosheviqit dhe planeve të tyre hegjemone në ballkan”, përfundon analisti Gazmir Raci.

Ndryshe, sot kryeministri Albin Kurti, tha se janë të papranueshme fushatat kërcënuese ndaj policëve të rinj dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të reagojë zëshëm për këtë.

“Fushata kanale dhe platformat sociale që ka për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne dhe pse jam shumë i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vetë tyre. Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë profesionistë të guximshëm dhe se kanë dashuri për vendin dhe e shprehin këtë duke kontribuar atij. Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushatë të organizuar linçimi e kërcënimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e integrimit e plotë të tyre në jetën institucionale të Kosovës. Ata që integrohen jetojnë më mirë, u shpreh ai.

Edhe presidentja Vjosa Osman i ka dënuar kërcënimet ndaj tyre.

I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”, ka shkruar Osmani në Tëitter.

Për frikësimet dhe kërcënimet e policëve të rinj ka reaguar edhe Giovanni Pietro Barbano, shefi i EULEX’it në Kosovë.

”Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar ai në Tëitter.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se frikësimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhet e komuniteteve është shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.

“Plotësisht dakord. Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde, duke u pajtuar me qëndrimin e shefit të EULEX-it.

I shqetësuar për këto kërcënime, është shprehur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Kërcënimet dhe frikësimet e individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë janë komplet të papranueshme”, ka shkruar ai në Twitter.

Ai ka shkruar se Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“E kam thënë më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet ta pasqyrojë diversitetin e Kosovës”.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat