Jepet alarmi: “Vrima e zezë” e Serbisë, aktive dhe e rrezikshme/ Ja faktorët që mund të ndikojnë në ri-eskalim në veri

Politika

Jepet alarmi: “Vrima e zezë” e Serbisë, aktive dhe e rrezikshme/ Ja faktorët që mund të ndikojnë në ri-eskalim në veri

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 korrik 2023 Në ora: 19:37
Albin Kurti

Situata në veri të Kosovës mund të rieskalojë dhe për këtë ka paralajmëruar vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në një konferencë për gazetarët ka thënë është i brengosur më potenciali i rieskalimit sesa de-eskalimi.

Sipas tij, rieskalimi nëse do të ndodhë, nuk varet nga Kosova.

“Ajo çfarë na brengosë neve tash, më shumë sesa de-eskalimi, është potenciali i rieskalimit. Veçse rieskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garant Qeverinë e Republikës së Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeministër që me asgjë, ama bash asgjë, asnjëherë, askund nuk kontribuojmë për eskalim”, u shpreh Kurti.

“Nëse do të ketë ndonjë të tillë, atëherë adresa, siç dihet, është Beogradi zyrtar”, ka thënë kryeministri.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pas mos largimit të masave ndëshkuese për Kosovën nga ana e BE-së, edhe pas pranimit të tij për marrëveshje për shtensionim të situatës në veri.

Analistët politikë thonë se kryeministri ka të drejtë që brengoset, kjo pasi situata në veri është e rrezikshme. Sipas tyre, rieskalimi varet nga dy faktorë, nga Serbia dhe nga deklaratat që vijnë nga BE.

Zogaj: Brenga e kryeministrit, e saktë!

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe brenga e kryeministrit Kurti është e saktë.

Image
Skënder Zogaj

“Situata në veriun e Kosovës është e rrezikshme sepse, për fatin tonë të keq, Serbia e ka realizuar me shumë sukses krijimin e "vrimës së zezë" nëpërmjet së cilës do të vazhdojë ta destabilizojë Kosovën fare lehtë. Këtë e ka siguruar sepse, me tre kriminelë ordinerë serbë, kurdo që i teket atakon rendin dhe qetësinë dhe destabilizon jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin. Prandaj është e saktë brenga e kryeministrit Kurti, kur dihet disponimi rebel dhe potenciali i rieskalimit serb, që është në favorin e politikës aktuale serbe”, shprehet Zogaj.

Ai kërkon që situata në veri të merret me seriozitet të lartë dhe Kosova t’i koordinojë të gjitha veprimet me BE-në dhe ShBA-të.

“Këtë fakt udhëheqja kosovare duhet ta analizojë me seriozitet të lartë dhe pa ekuliente politikaneske sepse situata është e rëndë dhe mund të jetë me pasoja afatgjate për Kosovën. Serbët nuk kanë çka humbin, sepse po kërkojnë të përvetësojnë veriun e Kosovës, ndërsa Kosova duhet të mos harrojë se, i ka humbur 800 vendbanime të Toplicës, në Mal të Zi, Maqedoni dhe e ka në peng "Kosovën lindore", kështu që, Kosova duhet të koordinojë të gjitha veprimet me BE-në dhe SHBA-të, sepse në bashkëveprim me to Kosova, sa fiton nuk mund ta them, por e di saktë se e humbur nuk del. Kosovës sot i duhet syçeltësia e në asnjë mënyrë konfrontimi. Serbia është skile, kafshon tinës dhe ankohet!”, thekson analisti.

Mehazi: Rieskalimi i mundshëm varet nga Serbia dhe BE

Image
Sulejman Mehazi

Në anën tjetër, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se Ministria e Mbrojtjes së Kosovës me siguri kanë informacione të sakta destabilizuese serbe.

Sipas tij, prononcimet e presidentit serb, Alesandër Vuçiqit japin sinjale se Serbia nuk do paqe.

Deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për rieskalimin e situatës në veri duhet besuar për shkak se qeveria, sidomos Ministria e Mbrojtjes së Kosovës me siguri kanë informacione të sakta destabilizuese serbe dhe se nuk është e rastësishme që Kosova forcon Forcat Mbrojtëse me Bajraktarët e Turqisë dhe me armëve të tjera të sofistikuara, Kurti e qeveria e Kosovës me siguri kanë njohuri se i sëmuri i dytë pas Millosheviqit, Vuçiqi i Serbisë gjenocidiale më shumë është për të rieskaluar sesa të de-eskalojë veriun e Kosovës. Edhe prononcimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit japin sinjale se Serbia nuk do paqe dhe se vazhdon me avazin e së kaluarës okupuese e luftënxitëse ndaj sovranitetit të Kosovës”, pohon Mehazi.

Sipas tij, rieskalimi nuk varet nga Kosova, por nga Serbia dhe BE-ja.

Ai deklaratat që vijnë nga BE i sheh të pamatura dhe fajtor kryesor për rieskalim.

“Ky rieskalim nuk varet nga Kosova, por nga dy faktorë, një Serbia dhe dy, BE-ja, e cila me mos heqjen e masave ndaj Kosovës më shumë frymëzojnë, inspirojnë e nxisin elitën politike serbe, Vuçiqin, Daçiqin, Brnabiqin e Gashiqin për të rikallur e rieskaluar situatën në veri të Kosovës e kurrsesi të qetësojnë këtë anë me shumicë serbe. Pra, për rieskalimin e situatës në veri fajtor kryesor janë edhe deklaratat e pamatura të BE-së të cilët me vazhdimin e masave izoluese ndaj Kosovës sikur ju japin përkrahje e forcë kriminelëve serbë për të rindezur veriun e Kosovës. BE-ja në vend të shtrëngojnë Serbinë për shkak marrëveshjes paqësore të Ohrit, ata bëjnë të kundërtën përkrahin Serbinë e Rusisë për të cenuar veriun e Kosovës. Shkurt e qartë, nëse rikallet përsëri veriu atëherë shkaktar të djegies do jenë Serbia në koordinim me BE-në e jo qeveria e Kosovës që paqësisht është duke mbrojtur sovranitetin dhe kushtetutën e Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat