Ardhja e James O’Brien në vend të Escobar/ “Do të sjellë përvoja të reja në rajon – Kjo është zgjidhja Kosovë-Serbi!”

Politika

Ardhja e James O’Brien në vend të Escobar/ “Do të sjellë përvoja të reja në rajon – Kjo është zgjidhja Kosovë-Serbi!”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 28 korrik 2023 Në ora: 17:49
James O’Brien

Deri tani Gabriel Escobar ishte i dërguari amerikan për çështje të Ballkanit Perëndimor. Ai u angazhua për një zgjidhje mes Kosvoën dhe Serbisë, sa i përket procesit të dialogut, por deri tani pa sukses.

Si duket presidenti amerikan Joe Biden po luan ‘figurat’ për të pasur më shumë zgjidhje në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk është në situatë të favorshme, duke përfshirë edhe Kosovën.

James O’Brien i nominuar nga presidenti amerikane Joe Biden, pritet të jetë i dërguar amerikan për Ballkanin.

Madje, O’Brien thotë se gjashtë shteteve të këtij rajoni duhet t’u jepen sipas tij kërkesa e stimuj të qartë e të ripërtërirë për t’u reformuar, derisa bëjnë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Koci: Përfshirja më e fuqishme e SHBA-ve në dialogun Kosovë - Serbi është hap në drejtimin e duhur

Image
Analisti Melazim Koci

Analisti Melazim Koci në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se përvoja e James O'Brien në Ballkan do të sjellë ide të reja për rajonin.

James O'Brien është njeri ndër njohësit më të mirë të Ballkanit. Ai ka marrë pjesë aktivisht në Konferencën e Dejtonit kushtuar Bosnjës dhe është i përfshirë në të gjitha proceset rreth Kosovës nga viti 1998.

Përvoja e tij e gjatë në Ballkan do të sjellë ide të reja për rajonin dhe njëra prej tyre është përshpejtimi i përfshirjes së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian. Mbetet për t'u parë se si do të pritet kjo nismë nga Brukseli”, thotë ai.

Sa i përket dialogut, Koci thotë se nuk e di nëse O'Brien mund ta shpëtojë sepse Serbia është kundër marrëveshjes franko-gjermane, këtë e ka konfirmuar edhe në Ohër kur refuzoi të nënshkruajë.

“Sa i përket dialogut Kosovë - Serbi, ai është në krizë të thellë dhe me gjasë është duke shkuar drejtë dështimit. Nuk jam i sigurtë që James O'Brien mund ta shpëtojë, sepse Marrëveshjen franko - gjermane, Serbia nuk e ka dashur nga fillimi dhe këtë e ka konfirmuar me faktin që ka refuzuar nënshkrimi në Ohër. Mjerisht, Bashkimi Evropian nuk e ndëshkoi Beogradin për këtë diversion dhe për më shumë, tash se voni zbatoi masa (sanksione) ndaj Kosovës.

Javëve të fundit duket qartë se as Kosova nuk është shumë e interesuar për Marrëveshjen franko - gjermane, mbase për shkak të Asociacionit.

Në një situatë të tillë dhe me një Bashkim Evropian që nuk ka politikë unike në raport me Kosovën (për shkak të 5 vendeve që nuk e njohin), puna dhe angazhimi i J. O'Brien nuk do të jetë e lehtë. Sidoqofte përfshirja më e fuqishme e SHBA-ve në dialogun Kosovë - Serbi është hap në drejtimin e duhur”, nënvizon ai.

Kelmendi: Zgjidhja e raporteve të Kosovës me Serbi varet nga SHBA-të

Image
Njohësi i çështjeve politike, Muhamet Klemendi

Njohësi i çështjeve politike, Muhamet Klemendi në një përgjigje për “Bota sot”, se edhe ky si Escobari politikën e ndërtojnë mbi bazën e qëndrimeve të administratës së z.Biden.

“Ka një kohë që SHBA-të kanë një qasje mbi Kosovën dhe Serbinë jo produktive. Duke shkuar pas UE-së është krijuar një gjendje e rëndë.

Si z.Eskobar, ashtu edhe i nominuari i tashëm nga z.Biden, z.James O'Brien, e ndërtojnë politikën mbi themelet e qëndrimeve të administratës së z.Biden. Nga të dërguarit varet ndërtimi dhe zbatimi i politikës.

Baze e kësaj është politika aktuale. Nuk pritet këtu që të kemi tjetër politikë, veç asaj të ndërtuar dhe konstante”, thotë ai.

Sipas tij, edhe ai do të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj në Ohër.

“Mirëpo, i deleguari, sigurisht do të kërkoj zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit të Ohrit. Këtu po çalon shumë më shumë shteti serb. Në Beograd e kemi kundërshtimin më të theksuar. Prishtina e ka pranuar atë dokument dhe po kërkon zbatimin e të gjitha neneve të saj, pa i dhënë përparësi një çështjeje, kundruall çështjeve tjera. Këtu Uashingtoni ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 mbi Asociacion, duke kërkuar ndërtimin sipas Kushtetutës së Kosovës, si themelore. Në këtë anë ka fërkim Prishtina me Uashingtonin”, deklaron ai.

Në fund, ai thotë se zgjidhja me Kosovës dhe Serbisë, është vetëm sipas modelit kroat.

“Kosova do zgjidhje të të gjitha çështjeve dhe njohje reciproke. Do gjithashtu zgjidhje të pozitës së komunitetit serb në Kosovë sikurse të serbëve në Kroaci.

Sa do te kapet kjo ide nga z.O'Brien do të varet se si i tregohet kjo zgjidhje dhe sa e pranon Uashingtoni këtë zgjidhje. Deri më tash ka qenë kundër. Megjithatë, Kosova nuk duhet të pranon zgjidhje mbi bazën territoriale të Asociacionit. Me atë zgjidhje vihen themelet e një Republikë të re serbe në Ballkan.

Zgjidhja e vetme është modeli kroat”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat